1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kocijančić: Po hetojmë mundësitë se si të vazhdojmë me raundin tjetër të dialogut

Zëdhënësja e Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme e të Sigurisë shprehet se ndërmjetësi Robert Cooper dëgjoi nga të dyja palët, Prishtina dhe Beogradi, se janë gati të rifillojnë dialogun sa më shpejt.

Maja Kocijančić

Maja Kocijančić

DW: Cilat ishin rezultatet e vizitave të fundit në rajon të ndërmjetësit Cooper?

Kocijančić: Ndërmjetësi i BE-së Robert Cooper shkoi në Beograd dhe Prishtinë në vijim të përpjekjes për të pasur një raund të ri dialogu, i cili nuk ishte i suksesshëm, sepse pala serbe nuk ishte gati për të vazhduar me dialogun. Ai takoi përfaqësues kyç për dialogun si në Beograd ashtu edhe në Prishtinë. Dhe ajo që dëgjoi nga të dyja palët është se si Prishtina ashtu edhe Beogradi janë gati të rifillojnë dialogun sa më shpejt që të jetë e mundur dhe ne do të vazhdojmë me konsultimet për të bërë që kjo të ngjasë sa më shpejt që të jetë e mundur. Aktualisht këto përpjekje janë në ecje e sipër. Ai është kthyer nga rajoni dhe vazhdon të jetë në kontakt me të dyja palët si dhe me ne. Ne jemi në konsultime që gjërat të lëvizin në drejtimin e duhur.

DW: Me ç'kushte për Serbinë, përsa i përket Kosovës, është i lidhur rekomandimi i komisionerit të BE-së për t'i dhënë këtij vendi status të një vendi kandidat për në BE?

Kocijančić: Komisioneri për zgjerimin pati një konferencë shtypi ku ai shpjegoi se cili është opinioni i Komisionit. Sikurse thuhet në dokument, Komisioni rekomandon që Këshilli Evropian (siç e dini, këta janë krerët e shteteve dhe të qeverive) i cili do ta diskutojë këtë çështje në fund të këtij viti, t'i japë Serbisë statusin e vendit kandidat duke marrë parasysh progresin e arritur deri tani dhe me kusht që Serbia të ripërfshihet në dialogun me Kosovën dhe të zbatojë shpejt marrëveshjen, me ndërgjegje për marrëveshjet e arritura deri më sot. Mendoj se kjo është krejt e qartë. Ju e dini që një nga kërkesat kyç për të gjitha vendet në Ballkanin Perëndimor në kornizën e procesit të zgjerimit është bashkëpunimi rajonal dhe ky është një detyrim e kusht i qartë për secilin, përfshirë afërmendsh Serbinë dhe Kosovën; dhe në lidhje me këtë ne kemi vendosur të lehtësojmë dialogun që vazhdon dhe do ta bëjmë këtë edhe më tej. Raporti është shumë i qartë, se ne nuk kemi vetëm mbështetjen e vendeve anëtare për lehtësimin e dialogut, ne kemi gjithashtu një mbështetje shumë të qartë të Komisionit Evropian. Ne besojmë që dialogu është e vetmja rrugë përpara. Ai zgjidh çështje praktike dhe i ndihmon të dyja, Serbinë dhe Kosovën, të tejkalojnë pengesat në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian. Dhe ne besojmë se të dyja palët përfitojnë ose do të përfitojnë prej dialogut.

DW: A nuk ka këtu një kundërthënie në mosvazhdimin e bisedimeve?

Kocijančić: Mendoj se kushdo e mbështet këtë dialog dhe ajo që kemi dëgjuar prej Beogradit dhe Prishtinës ishte shumë e ngjashme, asnjëri prej tyre nuk ishte kundër dialogut. Madje, edhe në Serbi askush nuk tha se nuk duam të vazhdojmë me dialogun. Pati një vullnet të qartë për t'u përfshirë në dialog nga të dyja palët, gjë që kuptohet ne e interpretojmë si pranim të zhvillimeve pozitive që mund të sjellë ky dialog, të përfitimeve që ai mund t'u sjellë të dyve, Beogradit dhe Prishtinës. Ka çështje të caktuara që duhet të zgjidhen në këtë kontekst dhe kjo është ajo çka ne po bëjmë pikërisht tani (po përpiqemi të bashkëpunojmë me të dyja palët për të parë nëse mund të bëjmë përpara dhe të vazhdojmë me raundin tjetër të dialogut). Ne që prej nisjes së dialogut e dinim se dialogu nuk do të ishte i lehtë sepse ai merret me çështje të ndjeshme, të cilat prekin popullsinë serbe dhe popullsinë e Kosovës, çështje të lidhura me tema të vështira të së shkuarës, por gjithmonë kemi pasur besim të madh dhe kemi pasur mbështetje të fuqishme nga të gjitha shtetet anëtare se vetëm dialogu mund të sjellë përmirësimet e nevojshme. Ne jemi përballur me pengesa në dialog, gjithashtu në javët dhe muajt e fundit, por duke punuar shumë dhe me vullnetin e të dyve, Beogradit dhe Prishtinës, kemi gjetur rrugët për t'i kapërcyer ato, kemi arritur të gjejmë zgjidhje dhe të arrijmë marrëveshje konkrete. Kjo është ajo që vazhdojmë të bëjmë. Ne po bashkëpunojmë me të dyja palët, po diskutojmë çështje shumë specifike, ku mendojmë se mund të shënohet progres dhe ne po këmbëngulim në zbatimin e marrëveshjeve të arritura tashmë.

DW: Ç'progres është arritur në çështjen e pikave doganore në veriun e Kosovës?

Kocijančić: Ju e dini që në dialogun e lehtësuar prej BE-së u arrit marrëveshje në fillim të shtatorit për vulat doganore. Për ne kjo ishte pjesa që mungonte në një çështje më të gjerë, që ishte ngritja e një sistemi funksionues siç duhet për krejt territorin e Kosovës. Siç mund ta dini, BE-ja po e trajton Kosovën prej 2010-s si një hapësirë doganore të njësuar, dhe fakti që ne nuk e kishim të zgjidhur këtë çështje hapte rrugë për gjëra kundër të cilave po luftojmë mjaft, si korrupsioni dhe kriminaliteti i organizuar. Zbatimi është në ecje e sipër. EULEX-i po kryen punën operative së bashku me KFOR-in. Ne po shohim nëse dhe si mund të zgjidhen megjithatë çështjet e mbetura pezull.

Autor: Elert Ajazaj

Redaktoi: Lindita Arapi

Audio dhe video për temën