1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koalicioni i vjetër dhe i ri në Shkup - Vendosen kontaktet e para për krijimin e qeverisë mes VMRO-DPMNE dhe BDI

13 Qershor 2011

Analistët: BDI-ja është në pozicion më të favorshëm për formulimin e kërkesave, sepse pa të vështirë të krijohet qeveria e re. Ndërkombëtarët partive fituese: Të zgjidhet çështja e emrit dhe të vazhdojnë reformat.

https://p.dw.com/p/11ZV4
Kryeministri Nikola Gruevski me bashkëshorten në ditën e votimeve në Shkup, 5 qershor 2011
Kryeministri Nikola Gruevski me bashkëshorten në ditën e votimeve në Shkup, 5 qershor 2011Fotografi: dapd

Dy partitë fituese të zgjedhjeve të 5 qershorit VMRO-DPMNE dhe BDI kanë filluar kontaktet e para për bisedime rreth formimit të koalicionit të ri qeveritar. Partia shqiptare ka rënë dakord me disa pjesë të programit elektoral të VMRO-DPMNE-së, në fushën e ekonomisë dhe atë sociale ndërsa pret që në programin qeveritar të përfshihen edhe pjesë të platformës së BDI-së. Fitorja e BDI-së në zgjedhjet parlamentare, sipas analistëve e fuqizon atë, sepse partia fituese maqedonase nuk do të mund ta formojë qeverinë pa votat e shqiptarëve. Ky fakt do t'i mundësojë BDI-së që ta kushtëzojë formimin e qeverisë me kërkesa më të mëdha në raport me pozitën e shqiptarëve.

“Partia maqedonase nuk mund të bëjë qeveri vet siç ishte rasti në qeverinë e kaluar dhe detyrimisht faktori shqiptar në një farë mënyre mund të pozicionohet më mirë. Do të duhet të reflektohet fryma se Maqedonia i përket të gjithëve”, thotë analisti Nazim Rashiti. Në përbërjen e re të parlamentit 25 votat e deputetëve shqiptarë do të kenë një peshë të veçantë, e sidomos ato të BDI-së, e cila pritet të vazhdojë qeverisjen me VMRO-DPMNE-në, thotë Tanja Karakamisheva. “BDI kësaj rradhe mund të ketë kërkesa më të mëdha në raport me zgjidhjen e më shumë çështjeve të hapura. Ajo mund të vendosë edhe afate për zgjidhjen e tyre”, shprehet Karakamisheva.

Ali Ahmeti kryetari i BDI-së
Ali Ahmeti kryetari i BDI-sëFotografi: DW

BDI-ja e vetëdijshme për pozitën e favorshme

Për pozitën e favorshme dhe rolin kyç në formimin e qeverisë së re është i vetëdijshëm edhe kryetari i BDI-së Ali Ahmeti. “Është mandat goxha me përgjegjësi shumë të mëdha. Pikërisht aludova në të ardhmen e shtetit, në të ardhmen, stabilitetin dhe sigurinë jo vetëm në vendin tonë por edhe të rajonit në tërësi”, thotë Ali Ahmeti.

BDI-ja në qeverinë e re duhet të ketë një strategji të veçantë dhe largëpamëse që do t`i mundësojë asaj të përfitojë si në marjen e posteve të ministrave poashtu edhe në përfshierjen e kërkesave të saja në programin qeveritar, thotë analisti politik Albert Musliu. “Mënyrat e vjetra të veprimit kur subjektet politike shqiptare hynin në qeveri me vetëm disa kërkesa, mendoj se duhet t'i takojnë së kaluarës. Konsideroj se jo vetëm përfaqësimi i drejtë por edhe bashkëqeverisja të jetë pjesë fundamentale e marrëveshtjes së re që do të mundësojë formimin e qeverisë së re”, shprehet Musliu.

Qeveria e re duhet të formohet më së voni deri më 10 gusht, ndërsa konstituimi i përbërjes së re parlamentare duhet të përfundojë më 25 qershor.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora