1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Koalicion i madh kundër terrorit

59 shtete nga Amerika, Evropa, Lindja e Mesme dhe Azia duan t'i kundërvihen terrorit të "shtetit islamik". Sulmet ajrore tregojnë rezultate. Nga Brukseli Bernd Riegert.

Ministri i Jashtëm i SHBA John Kerry kishte bërë ftesën dhe 58 shtete nga Evropa, bota arabe dhe Azia u mblodhën në selinë qendrore të NATO-s në Bruksel. "Ky nuk është një aksion i NATO-s", bëri të qartë Kerry që në fillim. Po shfrytëzohet vetëm logjistika e Aleancës për takimin e koalicionit të madh të krijuar tre muaj më parë kundër organizatës terroriste "shteti islamik" (IS). Të gjitha simbolet dhe emblemat e NATO-s ishin larguar nga salla e takimit ose ishin mbuluar me pëlhura blu. Aleanca ushtarake perëndimorë nuk duhet të luajë asnjë rol në koalicionin ndërkombëtar, në të cilin bëjnë pjesë tashmë 59 shtete dhe tri organizata. "Vendet tona ndryshojnë sa i takon gjeografisë, historisë dhe kulturës por të gjithë e kemi dalluar kërcënimin e përbashkët. IS është një rrezik për interesat dhe vlerat e ne të gjithëve", tha ministri i Jashtëm i SHBA.

Iraku kërkon stërvitje nga NATO

Pjesë nuk marrin Rusia dhe Siria. Siria e përçarë nga lufta civile është pjesërisht nën kontrollin e trupave të IS. Rusia si dhe më parë mbështet regjimin e Presidentit Assad të dënuar nga bashkësia ndërkombëtare. I përfaqësuar ishte Iraku, në territorin e të cilit ka mundur të përhapet "shteti islamik". Kryeministri irakian i kërkoi ndihmë ministrave të koalicionit anti-IS. NATO, tha Haider-al-Abadi duhet të rikthehet në Bagdad për të stërvitur dhe këshilluar atje përsëri ushtarët e ushtrisë irakiane. Kërkesa zyrtare e Irakut për këtë do t'i paraqitet së shpejti NATO-s, konfirmoi zëdhënësja e NATO-s Oana Lungescu.

Kerry: përparimi i IS është ndalur

Brüssel NATO Hauptquartier Anti IS Allianz

al-Abadi dhe Kerry në Bruksel

John Kerry në emër të koalicionit shprehu vendosmëri për ta vazhduar edhe vite me radhë luftën kundër IS nëse kjo do të jetë e domosdoshme: "Ne jemi të bashkuar dhe bëjmë përparime në të gjitha frontet. Në do ta vazhdojmë këtë luftë derisa të fitojmë." Kerry tha se rreth 1000 sulmet ajrore i kanë dobësuar ushtarët e IS që supozohet të jenë rreth 30.000 dhe avancimi i tyre është ndalur në shumë vende. Megjithatë rreziku nuk ka marrë fund. Për këtë arsye 59 shtetet në Bruksel miratuan një strategji, e cila përbëhet nga pesë elementë: vazhdimin e bombardimeve të pozicioneve dhe konvojeve të IS, ndalimin e hyrjes së luftëtarëve të huaj, tharjen e burimeve të financimit, luftën kundër propagandës së IS në mediet sociale dhe ndihmën e mëtejshme humanitare për refugjatët dhe viktimat e IS.

"Të asgjesohet terreni që ushqen idologjinë"

Steinmeier Bundestag Haushaltsdebatte 26.11.2014

Ministri i Jashtëm gjerman Steinmeier

Ministri i Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier konsideron veçanërisht të rëndësishme që shumë shtete arabe duan të përpiqen të kundërshtojnë ideologjinë e "shtetit islamik" dhe t'i kundërvihen propagandës së tij islamike. "Pasi IS duhet t'i hiqet terrreni që ushqen ideologjinë e tij. Këtë nuk mund ta bëjnë evropianët dhe amerikanët. Duhet të jenë shtetet myslimane që të thonë publikisht se IS nuk vepron në emër të fesë islame", tha Steinmeier para reporterëve në Bruksel. Sipas të dhënave të delegacionit të SHBA, ministri i Jashtëm i SHBA Kerry pret nga shtëpitë e sundimtarëve sunitë në Lindjen e Mesme deklarata të qarta kundër organizatës terroriste IS, që gjithashtu është në duart e sunitëve. "Shtetet arabe duhet të marrin funksion udhëheqës. Dhe kjo udhëheqje është e nevojshme dhe e përshtatshme pasi qendra gjeografike e përpjekjeve tona mbarëbotërore është Lindja e Afërt."

Koalicioni anti-IS përshëndeti përpjekjet e qeverisë së re irakiane për të ngritur një ushtri më të aftë për të reaguar dhe të integruar me pjesëtarë nga shumica shiite dhe pakica sunite në Irak. Shiitët dhe sunitët i përkasin rrymave të ndryshme besimi. Diplomatë të lartë të SHBA konfirmojnë se bashkëpunimi ushtarak me ushtrinë irakiane funksionon më mirë. "Ne kemi nevojë për ndihmë nga trupat irakiane në vend për zbulimin dhe lokalizimin e objektivit në mënyrë që sulmet tona ajrore të godasin vërtet në mënyrë shkatërruese IS", u shpreh një diplomat amerikan.

Situatë e vështirë në Siri

Thuajse i pamundur është bashkëpunimi aktualisht në Siri. Situata është krejt e paqartë, pasi shumë komando të vogla dhe grupe rebelësh luftojnë kundër qeverisë ose kundër njëri-tjetrit. Për të vënë nën kontroll kërcënimin nga IS duhet të arrihet në periudhë agfatgjatë një fund i luftës civile në Siri, tha ministri i Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier. Edhe pse kanë dështuar dy konferenca për paqe, nuk duhet të hiqet dorë nga përpjekjet për këtë. "Ne shohim me shqetësim se nuk mund të arrihet një zgjidhje me sulme ajrore nga jashtë. Për këtë arsye në Siri dhe Irak është e rëndësishme që të bëjmë hapat e parë në rrugën drejt një zgjidhjeje politike", tha Steinmeier.

Në Irak dhe Siri mendohet se janë rreth 12 milionë refugjatë dhe njerëz pa atdhe. Furnizimi i tyre me ndihma po bëhet gjithnjë e më i vështrirë, u ankua së fundi World Food Programme i OKB-së, financimi i të cilit mjafton edhe vetëm deri në fund të vitit. Në kuadër të konferencës të koalicionit anti-IS në Bruksel, ministri i Jashtëm Steinmeier njoftoi më shumë ndihmë gjermane: "Për këtë arsye nga pala gjermane kemi vendosur se do të kontribuojmë edhe me 40 milionë euro për ndihmë në ushqime dhe për dimrin, për të ndihmuar në furnizimin me ndihma të refugjatëve nga World Food Programme." Gjermania nuk merr pjesë në sulmet ajrore kundër IS, por i livron armë dhe pajisje luftëtarëve kurdë në veri të Irakut.

"Ende shumë punë për të bërë"

Iran F-4 Phantom Kampfjet Archiv 1998

F-4 Phantom

Organizata terroriste "shteti islamik", i cili quhet ndryshe edhe ISIS, ISIL apo Daesch, në qershor pati shpallur një kalifat, një lloj shteti të Perëndisë, në pjesë të Irakut dhe Sirisë dhe dallohet për metoda shumë brutale. IS akuzohet për krime të rënda si kryqëzimi i kundërshtarëve dhe përdhunime në masë. Shumë pengje perëndimorë janë ekzekutuar me prerje koke. Video tronditëse në internet të këtyre ekzekutimeve kanë qenë në kryetitujt e gazetave në mbarë botën. Mijëra përkrahës të pakicave fetare në Irak janë rrethuar ose vrarë. Këto ngjarje ishin shkaku i krijimit të koalicionit anti-IS para tre muajsh.

Ministrat e mbledhur në Bruksel vendosën që të takohen në intervale të rregullta për të vënë në jetë strategjinë anti-IS. Këtë të premte (05.12.2014) ministrat e brendshëm të BE-së zhvillojnë sërish konsultime se si mund të ndalohet udhëtimi për në Irak apo Siri i luftëtarëve të radikalizuar. Ministri i Jashtëm Steinmeier tha se aleanca e gjerë kundër IS duhet të vazhdojë me çdo kusht. "Këto përparime që kemi arritur tre muajt e fundit nuk duhet të na çojnë në konkluzionin e gabuar se kërcënimi nga IS është kapërcyer, pasi ka ende jashtëzakonisht shumë për të bërë."

LINK: http://www.dw.de/dw/article/0,,18108289,00.html