1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Klub kosovar për politikën e jashtme

Bekim Shehu/Prishtinë7 Tetor 2008

Analistët në Kosovë thonë se diplomacia kosovare ka bërë shumë pak që ta ndalë nismën e Serbisë, e cila përmes një rezolute në OKB kërkon interpretimin e ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës.

https://p.dw.com/p/FVZe
Pas shpalljes së pavarësisë Kosovës i duhet edhe diplomacia
Pas shpalljes së pavarësisë Kosovës i duhet edhe diplomaciaFotografi: AP

Analistë kosovarë kritikojnë qeverinë e vendit e cila sipas tyre në politikën e jashtme ka qenë joproduktive. Ata thonë se problemet me të cilat është ballafaqur Kosova në politikën e jashtme pas shpalljes së pavarësisë, nuk kanë qenë vetëm shkas i diplomacisë aktive të Serbisë, por edhe mungesë e kapaciteteve të shtetit të Kosovës. Këto komente bëhen vetëm një ditë para se Asambleja e Përgjithshme e OKB-së voton për nismën e cila nëpërmjet një rezolute kërkon interpretimin e ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.

Për të ndihmuar tash e tutje zhvillimin e diplomacisë kosovare, në Prishtinë krijohet "Klubi Për Politikë të Jashtme", në përbërjen e të cilin ka figura të njohura të shoqërisë civile.

Veton Surroi së bashku me disa publicist të tjerë kosovarë e kane krijuar kete klub si një mekanizëm nga shoqëria civile që do të ndihmojë me analiza zhvillimin e diplomacisë kosovare.

"Kosova edhe tetë muaj pas shpalljes së pavarësisë akoma nuk ka një dokument të saj për politikën e jashtme. Kjo do të thotë se nuk ka interpretim institucional. Cdo interpretim i deritashëm është i rastit dhe në bazë të atij interpretimi të rastit çdo veprim apo mosveprim i bartësve të institucioneve mund të interpretohet si politikë e jashtme e Kosovës. Kjo është zhgënjyese", thotë Veton Surroi.

Ndërkohë, Lulzim Peci, një analist i njohur thotë se diplomacia kosovare akoma nuk ka një platformë të qartë të veprimit dhe si rezultat i kësaj ka bërë që lehtësisht Serbia të kërkojë nga Kombet e Bashkuara rezolutë për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës.

"Institucionet e Kosovës kanë mundur që të bëjnë shumë më shumë për të ndaluar nismën e Serbisë në Kombet e Bashkuara. Unë mendojë se kjo nismë është kuptuar si joserioze nga institucionet e Kosovës por edhe nga disa shtete që tashmë e kanë njohur pavarësinë e Kosovës", thotë Lulzim Peci.

Krerët e qeverisë dhe Ministrisë së Jashtme thonë se ata kanë bërë aq sa mundën për të stopuar nismën e Serbisë që mos të futet në agjëndën për votim në Kombet e Bashkuara, por procedurat në këtë organizatë janë të atilla që lehtësisht hidhet në votim një kërkesë e një shteti anëtar. Megjithkëtë, ata thonë se edhe nëse Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë shqyrton ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës dhe çfarëdo qoftë vendimi Kosovën nuk e obligon asgjë.