1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Klinton: Mbështetje e SHBA-ve për Shqipërinë

Zgjedhjet e lira e të ndershme, pavarësia e sistemit të drejtësisë, forcimi i luftës kundër korrupsionit dhe bashkëpunimi mes faktorëve politikë në realizmin e reformave çështjet kryesore që preku Klinton në Shqipëri.

epa03357020 US Secretary of State Hillary Clinton speaks during a press conference with Turkey's Foreign Minister Ahmet Davutoglu (not pictured) in Istanbul, Turkey 11 August 2012. Clinton is in Turkey for a one-day visit to discuss the onoing unrest in Syria. EPA/TOLGA BOZOGLU

Hillary Clinton

Sekretarja amerikane e shtetit Hillari Klinton bëri gjatë fjalës së saj para deputetëve në Parlament një bilanc të marrëdhënieve të ngushta mes dy vendeve, duke i përshkruar ato si një miqësi të fuqishme. Pasi përshëndeti anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, shefja e diplomacisë amerikane është ndalur dhe në sfidat e mëdha të vendit në procesin e integrimit evropian, duke përmendur një sërë objektivash që do të sigurojnë përparimin afatgjatë.

Zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe sundimi i ligjit domosdoshmëri

Pikësëpari, shefja e diplomacisë amerikane përmendi nevojën e zhvillimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, që njerëzit të kenë besim në rezultatet e shpallura. "Ky do të ishte dhe një sinjal për BE-në se politika shqiptare funksionon pa problem e pa ngërçe". Sipas saj për t'i bërë të suksesshme zgjedhjet e ardhshme të vitit 2013 duhet të punojnë jo vetëm forcat politike, por dhe vetë qytetarët.

Hillari Klinton kërkoi dhe vijueshmërinë e reformave për forcimin e sundimit të ligjit dhe për pavarësinë e sistemit të drejtësisë, si atribute që sipas saj japin direkt efekte pozitive në jetën e qytetarëve.

Zyrtarja e lartë e SHBA-ve ka theksuar dhe një objektiv tjetër të rëndësishëm, që lidhet me forcimin më shumë të luftës kundër korrupsionit, si një fenomen kancer që konsumon shoqërinë. "Eliminimi i korrupsionit kërkon një bashkëpunim, pavarësisht dallimeve partiake. Të gjithë liderët politikë duhet të punojnë bashkë kundër këtij kërcënimi për pavarësinë tuaj." - tha Klinton.

Objektivi i tretë themelor sipas Hillari Klinton është instalimi i një kulture bashkëpunuese mes politikanëve për çështjet e mëdha me të cilat përballet Shqipëria. Për ta konkretizuar domosdoshmërinë e bashkëpunimit politik për të mirën e vendit, sekretarja amerikane e shtetit ju referua eksperiencës personale, në rastin e bashkëpunimit të saj me presidentin Obama. Pas një gare elektrorale shumë të ashpër që ata patën brenda partisë së tyre për kandidimin për president të SHBA-ve, Obama dhe Klinton nisën të punojnë së bashku për objektivat madhore të SHBA.

"Kur më pyesin se si ka mundësi që punojnë bashkë dy rivalë që luftuan aq fort me njeri-tjetrin, që shpenzuan aq shumë para në këtë duel, unë ju përgjigjem thjesht, se të dy ne e duam vendin tonë. Shpresoj që edhe ju do të gjeni rrugën tuaj për një bashkëpunim të sinqertë dhe të vazhdueshëm."

Takime me qeverinë dhe opozitën

Më herët gjatë paradites të së enjtes, shefja e diplomacisë amerikane ishte në një takim me kryeministrin Sali Berisha. Shefi i qeverisë shqiptare e konsideroi si mjaft të rëndësishme vizitën e Hillari Klintonit, si tha ai, për shkak të përkimit me festimet e 100-vjetorit të themelimit të shtetit shqiptar.

"Është xhevahiri më i çmuar në kurorën e festimeve që po bëhen në këtë përvjetor." - deklaroi Berisha duke shtuar dhe vlerësimet për ndihmën që kanë dhënë SHBA për proceset e integrimit euroatlantik të Shqipërisë.

Nga ana saj Hillari Klinton shprehu krenarinë e vendit të saj për partneritetin dhe miqësinë me Shqipërinë në rrugën e transformimit demokratik dhe për një ekonomi të hapur të tregut. Duke përçuar vijimësinë e mbështetjes amerikane, ajo pasi ka uruar për 100 vitet e para shtetin shqiptar, ka theksuar gatishmërinë për të punuar në planifikimin e bashkëpunimit dypalësh për 100 vitet e ardhshme. Hillari Klinton përpara se të largohej nga Shqipëria zhvilloi dhe një takim me shefin e opozitës Edi Rama.

Dekoratë dhe masa të rrepta sigurie

Me rastin e vizitës së saj Presidenti i Republikës Bujar Nishani i akordoi sekretares amerikane të shtetit "Urdhërin e Flamurit Kombëtar" në shenjë nderimi mes të tjerave dhe "për kontribut e merita të shquara në mbështetje të Republikës së Shqipërisë dhe kombit shqiptar në të gjitha përpjekjet për përparim e mirëqenie, për konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe të një shoqërie të lirë e të hapur."

Autoritetet zyrtare në Shqipëri treguan shumë kujdes që atmosfera në kryeqytet të ishte sa më shprehëse për rëndësinë e vizitës katërorëshe të Hillari Klintonit. Në rrugë e sheshe ishin varur flamuj shqiptarë e amerikanë si dhe banderola që uronin mirëserdhjen. Për arësye të sigurisë në realizimin e agjendës, akset rrugore kryesore të Tiranës mbetën të bllokuara, ndërkohë që dukshëm ishin shtuar vëzhgimet dhe patrullimet e forcave policore përreth institucioneve më të rëndësishme në kryeqytet.