1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Klima: SHBA hedh poshtë kritikat

Shtëpia e Bardhë ka reaguar fort ndaj valës së kritikave pas bërjes publike nga Donald Trump, se SHBA nuk do të jenë më palë në marrëveshjen e klimës nënshkruar në Paris. Kreu i EPA-s, Pruitt thotë se klima ekzagjerohet.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp, kreu i Autoritetit Amerikan për Mjedisin (EPA) Scott Pruitt u shpreh se ky është një "vendim i guximshëm". "Ne nuk kemi asnjë arsye të kërkojmë falje", tha ai, dhe akuzoi europianët se duan me këtë marrëveshje të dëmtojnë SHBA.

"Pse duan krerët europianë që ne të qëndrojmë aty? Ata e dinë se kjo do ta lidhë me pranga ekonominë tonë!", tha Pruitt, një përkrahës i fuqishëm i daljes së SHBA nga marrëveshja e klimës. Ai akuzoi për ekzagjerime zërat kritikë që nxjerrin në pah rreziqet ndryshimit të klimës.

Lidhur me pyetjen, nëse Trump ndryshimin e klimës e sheh si "reale", kreu i EPA-s nuk donte të përgjigjej. Presidenti Trump bëri të ditur të enjten, se ai nuk do të zbatojë më detyrimet e marrëveshjes së klimës të nënshkruar nga 195 vende. Ai e cilësoi marrëveshjen e Parisit 2015 "të dëmshme". Kjo marrëveshje kushton vende pune dhe shkon në disfavor të vendit tim, tha Trump. Në të njëjtën kohë ai theksoi, se dëshiron bisedime të reja për një marrëveshje të përmirësuar të Parisit.

 

la/(afp, APE, rtr)