1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

"Klima dhe Shëndeti" - motoja e ditës së shëndetit

Dita Botërore e Shëndetit, gjashtëdhjetë vjet mbas themelimit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), ka moton: Ndryshimi i klimës dhe shëndeti. OBSH u krijua më 7 prill 1948 dhe ka 193 anëtarë

default

Fushatë kundër malaries në Kenia

"Kemi mundur të shohim se si ndikon transformimi klimaterik ndaj ambjentit. Përhapja e epidemive është njëra nga pasojat. Por edhe probleme të tjera, si ndotja e ajrit, papastërtia e ujit të pijshëm dhe e ushqimit bazë ndikojnë mbi sistemin shëndetësor. Nuk ka dyshim që ndryshimi i klimës do të ketë pasoja të rënda edhe mbi shëndetin publik", - thotë David Heymann nga OBSH-ja.

Qysh tani po vihet re se si disa sëmundje tropikale, si për shembull malaria, po përhapen edhe në zonat veriore dhe të larta. Kështu për shembull, në vitin 2007 në Itali u shfaqën disa raste të etheve Chikungunya, një sëmundje e cila deri atëherë ishte gjetur vetëm në vendet tropikale. Edhe verdhëza është shfaqur tashmë në ditët e nxehta të verës në Evropë, dhe është transportuese sëmundjesh, si edhe mushkonja Anopheles, e quajtur ndryshe dhe mushkonja e malaries, e cila u soll nga turistët: Mjafton një rritje e vogël temperature, që ky transportues të shumohet.

Megjithatë, barra më e madhe e pasojave nuk bie mbi vendet industriale, thotë David Heymann. "Vendet në zhvillim, dhe para së gjithash vendet më të varfra, do t'i ndjejnë më së shumti pasojat e transformimit klimaterik. Nga njëra anë, sepse ato vuajnë nga disa sëmundje, që mund të barten me anë të mushkonjave ose insekteve të tjera. Në anën tjetër, sepse këto vende kanë sistemet më të këqija shëndetësore dhe sanitare."

Prandaj edhe OBSH është për zgjerimin në përgjithësi të sistemeve shëndetësore të vendeve në zhvillim. Vetëm kur ka një sistem shëndetësor bazë, mund të reduktohen rreziqet e reja që vijnë nga ndryshimi klimatik. Për këtë nevojitet një personel i arsimuar shëndetësor, dhe kjo është shumë e vështirë në vendet në zhvillim, thotë David Heymann. Ka dy probleme thelbësore, thotë ai: "Njëri është se në vendet në zhvillim është shumë e vështirë të gjesh personel mjekësor për zonat rurale. Shumica e tyre preferojnë të punojnë nëpër qytete. Por më të varfrit jetojnë nëpër fshatra. Përveç kësaj, shumë punonjës të sektorit të shëndetësisë shkojnë jashtë shtetit. Këto janë dy problemet që do ta keqësojnë edhe më shumë situatën në dekadat e ardhshme. Sistemet shëndetësore bëhen gjithnjë e më keq kështu që në kohë krize, do të jetë e pamundur që të furnizohet shoqëria."

Në përgjithësi deri më sot shumëkush nuk sheh ndonjë lidhje ndërmjet sëmundjeve dhe klimës. Por në se mungon bashkëpunimi global, sëmundje të tilla si kolera, tifoja dhe malaria do të përhapen edhe më shumë në të ardhmen. "Ne kemi dëshmi bindëse për efektet që do të shkaktojë ndryshimi i klimës ndaj sistemit shëndetësor. Këtë duhet t'ua bëjmë të qartë edhe politikanëve. Këtë vit ne duam të diskutojmë një rezolutë për shëndetësinë dhe transformimin e klimës, në mënyrë që sistemet tona shëndetësore të jenë më të përgatitura ndaj këtij ndryshimi."

  • Data 06.04.2008
  • Autor Helle Jeppesen
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Dd1k
  • Data 06.04.2008
  • Autor Helle Jeppesen
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Dd1k