1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kjo forcë nuk është ushtri - Intervistë me Xheims Appathurain

Ani Ruci / Bruksel28 Janar 2009

Një javë pas fillimit të aktivitetit të FSK-së, zëdhënësi i NATO-s, Xheims Appathurai, flet për Deutsche Wellen, për misionin e kësaj force, karakterin multietnik, kontrollin dhe monitorimin, kriteret e rekrutimit.

https://p.dw.com/p/Ghw8
Zëdhënësi i Nato-s, James Appathurai
Zëdhënësi i Nato-s, James AppathuraiFotografi: NATO photos

Deutsche Welle: Që prej një jave në Kosovë ështe ngritur Forca e Sigurisë, (FSK) e

trajnuar nga NATO. Si po shkon ajo, cilat janë përgjegjësitë dhe detyrat e saj kryesore?


Xheims Appathurai: Po, ka kaluar një javë dhe po shkon mirë. Numri i aplikimeve është i madh. Është e rëndësishme të kuptohet që kjo forcë nuk është një ushtri. Ajo nuk ka detyra ushtarake, nuk ka armë të rënda dhe është relativisht e vogël në numër, rreth 2.500 vetë që do të kryejnë detyra të tilla si çminime, përballimin e situatave emergjente civile. Pra, jo detyra ushtarake, jo e madhe në numër, jo me armë të rënda por e armatosur lehtë, pra jo një ushtri.


Deutsche Welle: Cila strukturë do ta kontrollojë dhe do ta monitorojë FSK?


Xheims Appathurai: Është ngritur një Ministri Civile dhe është caktuar një ministër për FSK. Personat që do të punësohen atje do të kalojnë në një proces shqyrtimi, përzgjedhjeje për të plotësuar të gjitha kriteret e vendosura. Askush nuk mund të pranohet pa i përmbushur ato. NATO do të marrë pjesë në përzgjedhjen e personave dhe KFOR-i do të sigurojë mbështetje gjatë gjithë kohës së kalimit, transferimit të kompetencave të tij tek kjo FSK.


Deustche Welle: Cilat janë kriteret për përzgjedhjen e atyre që do të jenë pjesëmarrës në FSK?


Xheims Appathurai: Po, ka kritere. Për to, natyrisht është rënë dakort me autoritetet e Qeverisë së Kosovës dhe janë në përputhje me standartet e duhura ndërkombëtare, që kanë të bëjnë me formimin e tyre, me aftësitë fizike, moshën. Shumë e rëndësishme është që kjo Forcë synon të jetë multietnike. Pra jo vetëm shqiptarët e Kosovës, por në të do të përfaqësohen edhe minoritetet dhe kjo është pjesë e përzgjedhjes.


Deutsche Welle: Tani për tani duket i vështirë sigurimi i karakterit multietnik të kësaj force pasi serbët kanë deklaruar se nuk do të marrin pjesë në të.


Xheims Appathurai: Në fakt askush nuk mund t' i detyrojë ata që të marrin pjesë dhe kjo është e natyrshme. Por, ajo që mund të bëhet, dhe është bërë, është lënia vakant e një numri vendesh në FSK për ata. Së dyti, gjetja e një Zv. Komandanti serb dhe siguria se do të jetë pikërisht ai në këtë pozicion, pra ky është plani. Së treti të sigurohet mbrojtja e përdorimit të gjuhës serbe dhe me sa di edhe kjo është bërë. Autoritetet e Kosovës dhe KFOR po bëjnë të gjitha përpjekjet për të inkurajuar pjesëmarrjen e minoriteteve etnike në FSK.


Deutsche Welle: A ka ndonjë përqindje të përcaktuar për pjesëmarrjen të minoriteteve dhe sidomos atij serb?


Xheims Appathurai: Duhet të ketë, por ndershmërisht nuk e di. Ajo që di është se kjo përqindje është substanciale edhe proporcionale.


Deutsche Welle: Çfarë do të ketë NATO në qendër të mbikqyrjes ndaj Forcës së Sigurisë në Kosovë?


Xheims Appathurai: Nato do të sigurojë mbikqyrjen e kësaj force, por ajo do të ketë komandën e vet, Ministrinë civile. NATO do të sigurojë mbikqyrjen e detyrave të përgjithshme për këtë forcë.


Deutsche Welle: A do të ketë të drejtën apo detyrën FSK të kryejë misione paqeruajtëse jashtë Kosovës, nën ombrellën e NATO-s?


Xheims Appathurai: Natyrisht për këtë është herët të flitet që tani, por ajo që kuptoj është se misoni dhe detyrat e FSK, nuk përjashtojnë mundësinë që kjo forcë të shërbejë në misione ndërkombëtare të NATO-s, apo edhe jo të NATO-s. Por është ende herët sepse ne sapo kemi filluar. KFOR ende nuk ka përfunduar rekrutimin dhe ende nuk janë përftuar aftësitë për të filluar operacionet. Gjithsesi ajo që dimë është që në detyrat e FSK nuk përjashtohet kjo mundësi.



Deutsche Welle: Cili është kontributi konkret i Gjemanisë, si vend anëtar i NATO-s për ngritjen e kësaj Force?


Xheims Appathurai: Nga vendet anëtare të NATO-s disa e kanë njohur Kosovën, disa jo. Por, edhe ato që nuk e kanë njohur kanë dhënë miratimin e tyre politik për këtë FSK, pasi besojmë se është shumë e rëndësishme që kjo forcë sigurie të plotësojë standartet e duhura, pra të ketë karakter multienik, kontrollin civil, jo ushtarak. Për rrjedhim të gjithë vendet alerate kanë qenë dakort, pra në rregull, le të ngrihet kjo forcë, disa kontribojnë më shumë, të tjerë më pak në ngritjen dhe aftësimin esaj.


Deutsche Welle : Beogradi e kundërshton këtë forcë, edhe pse, siç thatë ju, nuk ka atributet e një ushtrie. Në konteksin e partneritetit të NATO-s me Serbinë, a ka ndonjë mundësi që të bëhet anullimi i zonës së sigurisë në kufinjtë e saj me Kosovën, zonë kjo e krijuar në bazë të Marrveshjes së Kumanovës, menjeherë pas përfundimit të bombardimeve të NATO-s, një zonë kjo 5 km e gjerë dhe që futet 25 km brena territorit të Serbisë?


Xheims Appathurai: Së pari është shumë e rëndësishme që kjo të mos futet në kontekstin e shqetësimeve të Beogradit për FSK. Marrëveshja e Kumanovës, pra marrëveshja ushtarake teknike është një marrëveshje afatgjatë mes KFOR-it dhe Ushtrisë serbe. Autoritetet serbe, gjenerali Ponosh, ish komandant i Forcave të Armatosura dhe tani Presidenti Tadiç, kanë qenë shumë të qartë që do të dëshëronin të shihnin disa rregullime të Marrëveshjes Ushtarake Teknike. Detaje konkrete se çfarë do të dëshironin ata nuk janë ende të qarta. Nuk kemi patur diskutime brenda NATO-s mes Ambasadorëve të tij për ndonjë propozim serb, që me aq sa di unë, nuk është bërë ende. Sekretari i Përgjithshëm ka thënë që nëse Beogradi ka sugjerime të veçanta atëherë ekziston vullneti për t`i ngritur ato në takime të ambasadorëve të NATO-s . Dhe nuk është hera e parë në këto vite të fundit, që ka patur disktume për të bërë rregullime në Marrëveshjen Ushatarake teknike të Kumanovës. Por, ende nuk kemi marrë asnjë kërkesë specifike dhe nuk ka ende asnjë diskutim për këtë.


Deutsche Welle: E ndryshojmë krejt temën e intervistës dhe kalojmë në Shqipëri. Çfarë mendoni për plotësimin e kërkesave të NATO-s nga ana e saj për anëtarësimin e plotë. Nga se varet tani përfundim i procesit për Shqipërinë?


Xheims Appathurai: Përgjigja e shkurtër është të them atë që, qeveritë kanë vendosur tanimë, anëtarësimi është vendosur në Bukuresht. Pra që Shqipëria dhe Kroacia kanë arritur standartet, që të dyja vendet duhet dhe do t`i bashkohen NATO-s. E vetmja gjë që ende mbetet e hapur është: Kur do të ndodhë? Kjo nuk varet më nga Shqipëria dhe Kroacia, por nga ratifikimi i procesit nga vendet anëtare të NATO-s. Procesi po ecën me gjithë shpejtësinë e mundshme. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s ështe personalisht i interesuar për këtë çështje dhe po nxit përfundimin e ratifikimit të plotë, sepse synojmë që në samitin e Strazburgut, këto dy vende të anëtarësohen në familjen e NATO-s. Shpresojme që kjo të ndodhë. Pra vendimi, që dy vendet të anëtarësohen është marrë, por kjo nuk do të thotë që procesi i reformave duhet të ndalojë. Shqipëria dhe Kroacia, por 26 edhe 26 vendet e tjera anëtare të NATO-s duhet t`i vazhdojnë reformat. Shqipëria ka shumë për të bërë pasi ka filluar nga një situatë shumë e ndryshme, krahasuar me Kanadanë apo SHBA, anëtare të hershme të NATO-s. Puna nuk duhet të përfundojë edhe kur Shqipëria të bëhet anëtare e NATO-s, por duhet të vazhdojë.

(ACA)