1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kishat dhe manastiret serbe në Kosovë të shkatërruara në trazira nuk janë riparuar

Bekim Shehu7 Dhjetor 2007

Në Kosovë, akoma nuk ka përfunduar meremetimi i kishave dhe manastireve serbe të dëmtuara në mars 2004. Meremetimi i kishave dhe manastireve do t'i kushtojë Kosovës 8 milionë Euro.

https://p.dw.com/p/CYtZ
Kishë serbe në Deçan, Kosovë
Kishë serbe në Deçan, KosovëFotografi: picture-alliance/ dpa

Pasojat e trazirave të marsit të vitit 2004, akoma po i kushtojnë Kosovës. Kjo për faktin që meremetimi i kishave dhe manastireve ortodokse serbe të dëmtuara gjatë trazirave të marsit, akoma nuk ka përfunduar dhe për këtë kërkohen fonde shtesë. Qeveria e Kosovës deri tash ka ndarë 6 milion Euro, ndërsa, për vitin e ardhshëm kërkohen edhe dy milionë të tjera, me shpresën që të përfundojë tërësisht meremetimi i kishave dhe manastireve serbe. Emma Karmicael (Carmichael), nga komisioni i ndërtimit, thotë:

"vitin e ardhshëm procesi i meremetimit do të fokusohet më shumë në punën e specialistëve, përkatësisht në vizatimin e ikonave të reja kishtare. Në këtë projekt janëpërfshirë ekspertë nga Kosova dhe Serbia të ndihmuar nga ekspertë ndërkombëtarë dhe kjo punë është shumë e ndjeshme dhe po ashtu kushton shumë", tha zonja Karmichael. Autoritetet ndërkombëtare dhe institucionet e Kosovës, kanë marrë masa të vecanta për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në Kosovë. Në këtë linjë, autoritetet thonë se, trashëgimia kulturore e Kosovës nuk duhet ndarë nga ajo e Evropës. Zurab Sakashvilli, nga Këshilli i Evropës, thotë:

"ne konsiderojmë se trashëgimia kulturore e Kosovës është si çdo trashëgimi e çdo pjese të Evropës dhe kjo është arsyeja se pse ne nuk jemi të fokusuar vetëm në Kosovë, por edhe në çdo cep të Evropës. Por, tash në rastin e Kosovës kemi të bëjmë me meremetimin e kishave dhe manastireve serbe. Ne këtë cështje nuk e shohim në aspektin etnik dhe fetar, por, si një trashëgimi evropiane".

Në trazirat e marsit të vitit 2004, u dëmtuan 34 Kisha dhe Manastire serbe. Gjatë tri viteve të shkuara, pothuaj të gjitha punët e vazhda u përfunduan me fonde të qeverisë së Kosovës dhe një pjesë u nda edhe nga mekanizmat financiarë të Evropës. Mirëpo, procesi i meremetimit akoma nuk ka përfunduar tërësisht. Kjo pritet të ndodhë gjatë vitit të ardhshëm, ndërsa fjalën e fundit do ta thotë komisioni i cili mbikqyrë meremetimin e kishave dhe manastireve serbe.