1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Kisha ruse, ajo ukrainase dhe çështja e Krimesë

Në vend të entuziazmit, lutje për paqen dhe refuzim të armëve. Kisha ortodokse ruse reagon e përmbajtur pas aneksimit të gadishullit të Krimesë. Çfarë fshihet pas këtij qëndrimi?

Ministria e Jashtme e Rusisë është e shqetësuar. Në Ukrainë sundon "një atmosferë etnike dhe fetare jotolerante", thuhet në një deklaratë të publikuar të martën (25.03). Që në fund të shkurtit kjo ministri kishe ngritur zërin për disa zhvillime në "paqen fetare" në Ukrainë. Në shkurt u tha se janë kërcënuar priftërinj të Kishës Ortodokse Ukrainase, në varësi të Patriarkatit të Moskës. Por prova nuk u dhanë, dhe as kisha e prekur në Kiev dhe as mburoja e saj në Moskë nuk ishin ankuar.

Ndarja e kishës pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik

Deklaratat janë të pazakonta. Moska përzihet kështu në punët e kishës në Ukrainë. Kisha e Ukrainës dhe ajo e Moskës ndodhen dukshëm para sfidës më të madhe prej disa dhjetëvjeçarësh. Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991 u nda edhe kisha ortodokse. Që atëherë në këtë vend ekzistojnë tre kisha ortodokse. Gati gjysma e besimtarëve ortodoksë i bashkohet Kishës Ortodokse Ukrainase të Patriarkatit të Moskës. Brenda Kishës Ortodokse Ruse ajo gëzon statusin autonom. Krahas kësaj ekziston Kisha Ortodokse Ukrainase e Patriarkatit të Kievit dhe Kisha Ortodokse Autoqefale e Ukrainës.Të dyja këto kisha nuk njihen nga ortodoksia botërore. Në Ukrainë ekziston edhe Kisha Katolike-Greke e Ukrainës, e unifikuar me Romën, e cila është mjaft prezente në Ukrainën Perëndimore.

Neuer Moskauer Patriarch Kirill in sein Amt eingeführt

Çështja e pazgjidhur e kishës ruse

Aneksimi i gadishullit të Krimesë përbën rrezik për lidhjen e ngushtë deri më tani mes Kremlinit dhe kishës në Rusi. Kur presidenti Putin mbajti fjalimin për Krimenë më 18 mars 2014 para dy dhomave të parlamentit, nuk ishte prezent kreu i kishës ortodokse, Patriarku Kirill. Një ditë më vonë sinoda e kishës nën drejtimin e Kirillit, lëshoi një deklaratë, nga e cila nuk kuptohet qartë nëse Krimeja shihet si pjesë e Rusisë. Në vend të kësaj deklarata bën thirrje për paqe, dhe se "problemet mes dy popujve vëllezër të Rusisë dhe Ukrainës, nuk mund të zgjidhen me forcën e armëve dhe kundër vullnetit të njerëzve." Fati i komuniteteve fetare të kishës ortodokse ukrainase në Krime u la i hapur.

Ekspertët si Thomas Bremer nga Universiteti i Münster-it e lidhin këtë qëndrim me faktin se besimtarët e Patriarkatit të Moskës në Ukrainë janë të ndarë në çështjen e Krimesë. "Për shkak të kësaj kisha po qe se do të pozicionohej tani do të humbiste një pjesë të besimtarëve të saj", shprehet Bremer në bisedë me Deutsche Welle-n.

Ndërsa eksperti i kishës ortodokse, Nikolay Mitrokhin në analizën e tij shkon edhe një hap më tej: "Pushtimi i Krimesë mund t'i prishë tërësisht lidhjet mes Kishës Ortodokse Ruse dhe vartëses së saj, Kishës Ortodokse Ukrainase, thotë Mitrokhin, punonjës shkencor në katedrën e Europës Lindore në Universitetin e Bremen-it. Sepse Kisha Ortodokse Ukrainase e dënoi haptazi aneksimin e Krimesë, thotë Mitrokhin. Ai beson se zhvillimet e fundit do të përshpejtojnë më shumë ndarjen e ortodoksisë në Kiev dhe Moskë.

Roli i kishës në projektin e integrimit të Putinit

Në rast se kjo ndodh, atëherë goditet edhe presidentin Putin, mendojnë vëzhguesit. Kreu i Kremlinit i jep peshë prej vitesh kishës ortodokse ruse në integrimin kulturor, ekonomik të ish-republikave sovjetike. Ukraina luan një rol të rëndësishëm në këtë projekt, sepse Kievi është vendi, me të cilin të krishterët rusë lidhin pagëzimin e tyre në këtë kishë në shekullin e 10.

Në këtë projekt si Putini ashtu edhe Patriarku Kirill kanë një qëndrim në këtë çështje. Vitet e fundit Kirilli ka udhëtuar shpesh në Ukrainë, duke theksuar se rusët dhe ukrainasit janë pjesë e "ruski mir" - botës ruse. Kështu cilësohet ideja e unitetit shpirtëror dhe kulturor, e cila sipas Kremlinit dhe kishës ruse ekziston përtej kufijve të Rusisë. Eksperti Mitrokhin mendon se kjo ide tashmë është diskredituar, sepse kisha ortodokse ukrainase nuk do të lejojë të instrumentalizohet. Tani çështja shtrohet se si të dy kishat do të gjejnë rrugën e "një divorci të civilizuar", prognostikon eksperti Nikolay Mitrokhin.