1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kisha kundër dëbimit të romëve nga Franca

24 Gusht 2010

Dëbimi masiv i romëve nga Franca ka shkaktuar reagimin edhe të kishës. Pas kërkesës së Papa Benediktit XVI për më shumë tolerancë, gatishmëri për bisedime. Kritika të ashpra kundër presidentit Sarkozy.

https://p.dw.com/p/OuKv
Dëbime masiveFotografi: picture alliance/dpa

Besimtarët nuk u besonin veshëve të tyre kur menjëherë pas një meshe në sheshin e Kishës, prifti i tyre mbajti një lutje tjetër para kamerave televizive. „Sinqerisht, dhe për këtë kërkoj falje, lutem që zoti Sarkozy të përjetojë një infarkt në zemër", tha ai.

Prifti pendohet për fjalët e rënda

"Sarkozy të raftë pika?"
"Sarkozy të raftë pika?"Fotografi: picture alliance / dpa

Fotografitë e 71 vjeçarit Arthur Hervet, me flokë të thinjura dhe sy të kaltër si qielli, sot mund të shihen në të gjitha gazetat. Për lutjen e tij për infarktin e presidentit ai ka kërkuar ndërkohë falje me fjalët: "Kam menduar që Zoti duhet t'ia zbusë zemrën Sarkozy-s". Kjo sepse për një prift që punon në Lille ku ka probleme të shumta sociale dhe i cili kujdeset për minoritetet, dëbimi masiv i romëve paraqet një problem shumë serioz.

Sarkozy i harron premtimet dhënë papës!

„Kur një vend ka probleme, duhet gjetur edhe përgjegjësi. Prandaj, qeveria tha: romët janë fajtorë. Fronti i djathtë ekstrem po feston, ndërsa romët kanë përjetuar një fat të keq", pohon ai.

Pakënaqësitë e kishës janë edhe më të mëdha, sepse pikërisht Sarkozy, si presidenti i parë i Republikës së pestë, ka paralajmëruar më shumë mirëkuptim për kishën. „Laicizmi pozitiv, laicizmi i hapur, për ne nënkupton thirrje për dialog, tolerancë dhe respekt", tha Sarkozy para dy vitesh, me rastin e vizitës së Papa Benediktit XVI në Paris. Papa nuk i ka harruar këto fjalë. Në rastet e ngjashme ai flet italisht apo anglisht, por kësaj radhe foli në frëngjisht.

Benedikt schweigt zu Missbrauchsfällen in Deutschland
Papa kritikonFotografi: picture alliance/dpa

„Teksti i liturgjisë na kujton kërkesën për njohjen e të gjithë njerëzve. Kjo është një thirrrje për njohjen e ndryshimeve legjitime dhe bashkimin e të gjithë njerëzve dhe gjuhëve", theksoi papa.

Ministri e kupton mesazhin

Në Francë, ku është zbuluar diplomacia, ishte menjëherë e qartë që papa foli për dëbimin e romëve. Ministri i Brendshëm Brice Hortefeux i ka kuptuar seriozisht paralajmërimet e Vatikanit, sepse votat e të krishterëve janë për konservatorët të rëndësishme. Ai tha se do të takohet me kardinalin francez André Vingt-Trois, për t'ia shpjeguar politikën e dëbimeve. Kardinali e ka pranuar këtë takim, por ministri shfrytëzoi këtë rast për të sulmuar të tjerët. „Jam pak i befasuar nga egoizmi i pashembullt dhe fjalët e mëdha. Po proteston një pjesë e vogël e Parisit, e cila nuk ka ofruar asgjë për sistemimin e romëve në fqinjësinë e vet", u shpreh ministri.

Debimi i romëve mund të kushtojë humbjen e zgjedhjeve

Por nëse me të vërtetë është fjala për një grup të vogël njerëzish, të cilëve po u jepet hapësirë tepër e madhe në media, ende nuk është e qartë. Gazeta „Libération" ka botuar një sondazh në të cilin thuhet se 55 për qind e francezëve janë të mendimit që në zgjedhjet e vitit 2012 duhet të fitojë një socialist. Me këtë Sarkozy do të futej në harresë.

Autor: Christoph Wöß/Bahri Cani

Redaktoi: Lindita Arapi