1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kineastët e rinj polakë në kërkim të formave të reja të shprehjes

Anna Maciol / Vilma Filaj-Ballvora24 Qershor 2012

Emrave të mëdhenj si Andrzej Wajda apo Roman Polanski u shtohen emra të rinj me forma mjaft premtuese: Eksperimente stilistike dhe provokim i spektatorit për ta vënë atë në mendime.

https://p.dw.com/p/15K4f
Fotografi: DW

Prej vitesh ata i sheh të parakalojnë sa herë shtrohet tapeti i kuq në festivalet prestigjoze të filmit. Fjala është për Andrzej Wajda, Agnieszka Holland, Roman Polanski. Ata e kanë bërë të njohur kinematografinë polake duke prezantuar në festivalet e mëdha edhe filmat e tyre vazhdimisht të suksesshëm. I paharruar mbetet Krzysztof Kieslowski.

Por krahas emrave të njohur kinematografia polake ofron edhe më shumë. Në pesë vitet e fundit shumë regjisorë të rinj kanë debutuar duke shënuar sukseset e para. Janek Komasa, Kasia Roslaniec dhe Leszek Dawid janë vetëm disa erma të rinj.  "Kinematografia polake ia del të nxjerrë herë pas here talente të reja dhe regjisorë të njohur. Kjo ka qenë gjithmonë forca jonë. Fillimisht ne kemi parë filmat e Wajdas apo të Holland. Ndërsa sot shijojmë filmat e Komasas, Roslaniecs dhe Leszeks , thotë kritiku i filmit Lukasz Maciejewski.

Duket sikur mjeshtrat e vjetër polakë të kinematografisë po gjejnë tani pasuesit e tyre të denjë. Pas kthesës dhe tranzicionit industria polake e filmit po përshkon rrugë të reja. Regjisorët e rinj përdorin një gjuhë të guximshme. Filmat e tyre i drejtohen publikut ndërkombëtar.

Debutuesit e rinj

Kineastët e rinj polakë nuk mund të klasifikohen brenda një grupi apo rryme të caktuar. Secili prej tyre është një personalitet i veçantë artistik, me stilin dhe mënyrën personale të shprehjes.  "Unë kam pasur shumë fat, që munda ta prodhoj filmin tim të parë përpara se të mbushja 30 vjeç", thotë regjisori Jan Komasa. "Kjo nuk ishte e mundur përpara, sepse qëkurse ekziston Instituti polak i Filmit (PISF) kineastët e rinj gjejnë mbështetje financiare. Ky institut mbështet qysh nga viti 2005 filmat e rinj.  Ndërkohë mund të flasim për brezin e PISF",  thotë Komasa.

Edhe regjisori Leszek Dawid ka kënaqësi kur dikush u krijon hapësirë autorëve të rinj duke marrë paraysh me vetëdije edhe riskun. "Për të filluar në kinema, të duhet guxim dhe gatishmëri për t'u përballur me riskun. Ne i kemi të dyja dhe na është dhënë shansi, të cilin e kemi shfrytëzuar", thotë Dawid.

Sehnsucht nach Europa Polen
Skenë nga filmi "Suicide Room"Fotografi: Filmstudio Kadr

Histori për të gjithë botën

Ajo çfarë e karakterizon kinemanë e re janë historitë, që mund të kuptohen pavarësisht nga  koha dhe vendi. Për një kohë të gjatë filmi polak u përqëndrua thuajse tërësisht tek situata aktuale sociale e Polonisë. Këto filma ishin për publikun e huaj shpesh të pakuptueshëm dhe jo tërheqës.

Jan Komasa me vetëdije donte ta ndryshonte këtë tendencë dhe me filmin e tij donte t'i fliste një auditori më të gjerë ndërkombëtar. "Unë dua që filmat e mi të shfaqen dhe të shihen në mbarë botën", thotë ai. Ngjarjet e filmit të tij "Suicide Room" i vitit 2011 zhvillohen në një qytet pa emër. Figura kryesore  e "Suicide Room" është një i ri nga familje e mirë, i veshur elegant dhe i rrethuar nga gratë. I mërzitur nga jeta e tij ai merr arratinë në hapësirën kibernetike (Cyberspace) të internetit, ku si Avatar bën një jetë virtuale. Në "Suicide room" ai njihet me një grua. Nis me të një aferë virtuale, e cila kurorëzohet me një marrëveshje për vetëvrasje të përbashkët.

"Filmat reflektojnë gjithnjë e më shpesh realitetin, në të cilin ne jetojmë. Unë vëzhgoj të përditshmen, thotë Kasia Roslaniec. Regjisorja e re debutoi në vitin 2010 me filmin "Shopping girls". Filmi bën fjalë për vajza të reja, që shesin veten tek burrat e moshuar për të blerë mallra konsumi. Klientët e tyre ato i gjejnë nëpër Shopping Malls. Sipas mendimit të Lukasz Maciejewski si kamera ashtu edhe  Roslaniec ia kanë arritur që të entuziazmojnë publikun e ri. "Kjo është diçka e re në Poloni. Përpara nuk ka pasur filma për brezin e ri.

Sehnsucht nach Europa Polen
Skenë nga filmi "Ki"Fotografi: Karol Baginski

Ta provokosh spektatorin të vihet në mendime

Një tjetër përfaqësues i "kinemasë së re polake" është Leszek Dawid.  Ai debutoi me filmin "Ki" në vitin 2011 duke prezantuar një heroinë të kinematografisë, e cila të ngjall emocione të dyjëzuara: Atë ose e do, ose e urren.  Kinga, shkurtimi "Ki", është një nënë që kujdeset e vetme për fëmijën dhe që përpiqet të arrijë më të mirën nga jeta e saj dhe ta shijojë atë. Ajo do të arrijë diçka duke mos e pasur as vet të qartë se cili është qëllimi i saj.  "Unë e kam xhiruar këtë film, sepse më mahnit bota e Ki. Ajo më tërheq dhe më tmerron njëkohësisht. Ky model i figurës së filmit tim banon në Gjermani, por filmi nuk e pasqyron të plotë jetën e saj. Ne rrëfejmë një histori universale", mendon Dawid.

Kinemaja e re polake i prezanton protagonistët e vet në një botë moderne me të cilën atyre u duhet të përballen. Të gjithë kineastët e rinj i shmangen gjykimit ndaj realitetit, ata më shumë tregojnë dhe dokumentojnë. Në këtë drejtim me vetëdije ata i lenë shumë gjëra në paqartësi, në mënyrë që spektatori të nxjerrë konkluzionin e vet.  "Përmes filmit unë dua ta provokoj publikun që të vihet në mendime. Unë gëzohem kur spektatorët në filamt e mi gjejnë një histori për vetveten", thotë Leszek Dawid.

Eksperimente stilistike

Kineastët e rinj eksperimentojnë gjithmonë e më me guxim me stilin.  Kinemaja evropiane dhe interneti sjellin frymëzim dhe risi të shumëllojshme. Baza e suksesit të tre kineastëve të rinj është përzierja e elementëve të kinemasë komerciale me ato të kinemasë autoriale, gjykon Maciejewski.

Një shembull për këtë lloj stili është filmi "Suicide Room", në të cilin Komasa përdor teknika të ndryshme të filmit. Përderisa ne qendër të filmit të tij është realiteti virtual,  Komasas i erdhi ideja, që ta lidhë filmin me elementët e animacionit. "Unë doja të tregoja forma të shprehjes së internetit në një film,  të gjithë larminë e teknikave dhe platformave. Ne përdorim edhe teknologjitë 2d- dhe 3d (dy dhe tri dimensionale). Ne kemi punuar tre vjet me filmin", thotë Komasa. 

Sehnsucht nach Europa Polen
Skenë nga filmi "Suicide Room"Fotografi: Filmstudio Kadr

Kasia Roslaniec beson, se një film i mirë nuk ka nevojë vetëm për një temë të mirë, por edhe për një stil të mirë.  "Kinemaja bashkëkohore polake ende nuk e ka gjetur stilin e vet përfundimisht. Secili është ende në kërkim. Por unë do të përpiqem, në filmin tim të ardhshëm të heq dorë prej stilit klasik narativ dhe të luaj e të eksperimentoj me stilet narative", thotë Roslaniec.

Si kritikët edhe kineastët janë të një mendimi: Kinemaja e re polake duhet të jetë e kuptueshme dhe të tregojë jetën e vërtetë, njëkohësisht ajo duhet të jetë origjinale dhe t'i mahnisë spektatorët. Autorët e rinj ndodhen në rrugën e duhur, mendon Lukasz Maciejewski: "Polonia po hapet dhe do të jetë e pranishme në Evropë."