1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Kina kërkon të avancojë integrimin e rajonit

Kina tregohet e kënaqur me deklaratën e Presidentit të zgjedhur të SHBA, Donald Trump, për ta prishur marrëveshjen Transpaqësore të Tregtisë së Lirë, TPP. Kina synon që të marrë vetë një rol më aktiv në rajon.

Pas deklaratës së Presidentit të zgjedhur të SHBA, Donald Trump, se ai planifikon ta prishë Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë Transpaqësore, TPP, Kina dëshiron ta avancojë vetë integrimin ekonomik të rajonit. Vendi i tij është i hapur për të gjitha marrëdhëniet, që nxisin tregtinë e lirë, tha zëdhënësi i ministrisë së Jashtme të Kinës, Geng Shuang të mërkurën në Pekin.  Në këtë proces Kina do të japë një kontribut të vetin dhe do të luajë "rolin e vet". Marrëveshjet e tregtisë së lirë nuk duhet të politizohen ose të vështrohen nga perspektiva e gjeopolitikës, tha ai. Qeveria e Pekinit e ka parë TPP më tepër si një pjesë të përpjekjeve të SHBA për ta penguar Kinën që ajo të përcaktojë rregulla tregtie të përbotshme.

Kina përfiton nga Trumpi

Kina mund t'i shtyjë përpara negociatat për Marrëveshjen RCEP (Regional Comprehensive Economic Partnership). Në dallim nga TPP, RCEP synon më tepër pakësimin tradicional të barrierave doganore dhe më pak hapjen e ekonomive popullore që marrin pjesë në të. Japonia dhe Australia, aleatët më të rëndësishëm të SHBA në rajon, synojnë që të negociojnë edhe më tej për TPP, edhe pa SHBA.

Partneritetin e Transpaqësorit (TPP) Trumpi e karakterizoi si "katastrofë potenciale" për SHBA. Ai bëri të ditur se do ta prishë marrëveshjen TPP, të cilën SHBA e kanë nënshkruar, por nuk e kanë ratifikuar, që ditën e parë që të marrë mandatin. Në vend të saj, ai do të lidhë marrëveshje bilaterale tregtare dhe me ndihmën e tyre do të rifitojë vende pune. 

Merkeli nuk është e kënaqur

Kancelarja gjermane Angela Merkel e kundërshton izolimin si përgjigje ndaj globalizimit. "Qëndrimi i hapur do të na sjellë më shumë siguri se sa mbyllja", tha Merkeli të mërkurën në debatin e përgjithshëm të Bundestagut për Buxhetin Federal. Ajo "nuk është e gëzuar" që Presidenti i ardhshëm amerikan, Donald Trump, kërkon ta prishë marrëveshjen amerikano-aziatike të tregtisë TPP. "Unë nuk e di se kush do të përfitojë nga kjo", tha Merkeli, pa e përmendur me emër Kinën.