1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Kina e lë në hava Evropën

Evropa e tronditur nga krizat kërkon ndihmë te Kina me fuqi financiare. Deri tani zyrtarët kinezë duken pak të impresionuar. Edhe ekspertët e vendit këshillojnë të pritet dhe të investohet duke ndjekur qëllimin.

Pamje ilustruese

Pamje ilustruese

Evropa e ka me nxitim. Vetëm pak orë pas samitit për shpëtimin e euros të enjten e kaluar (27.10.2011) Klaus Regling, shefi i fondit për shpëtimin e euros, EFSF, u nis për në Mbretërinë e Mesit. Mirëpo bisedimet me zyrtarët kinezë ishin pa rezultat. Në një konferencë shtypi Zhu Guangyao, zëvendësministri kinez i financave, tha se vendi i tij nuk mund të premtojë ndihmë për sa kohë nuk njihen hollësitë e fondit të ardhshëm të shpëtimit.

Kina e merr me nge. Me gjasa vendi do të rrisë kështu çmimin për mbështetjen e euros. Politikanët kinezë as nuk e fshehin se ç'presin prej evropianëve: Njohjen e ekonomisë kineze si një ekonomi tregu, fundin e embargos së armëve dhe heshtje rreth vlerësimit të monedhës kineze. Qeveria në Pekin pret, kjo edhe për të peshuar normën e interesit kundrejt rrezikut. Asaj nuk i duhet kritika në vend, se rezervat e valutës po investohen me mendjelehtësi ose madje janë çuar kot. Kësaj i shtohet fakti që edhe vetëm përfytyrimi se Kina në shumë pikëpamje e varfër do të ndihmojë Evropën, ka ngjallur diskutime të ndezura ndër ekonomistët kinezë.

Ç'rol luan Kina?

Obligacionet evropiane nuk janë depozita të mira për Kinën: prof. Huang Zemin

Obligacionet evropiane nuk janë depozita të mira për Kinën: prof. Huang Zemin

Për shembull Huang Zemin, studiues i ekonomisë në China East Normal University, shkëshillon prej blerjes së obligacioneve shtetërore të vendeve pa ose me pak para. Në fund të fundit kur përdor rezerva valute vlen parimi: Siguria para normës së interesit, thotë ai. Evropa të harxhojë rezervat e veta, thotë Huang: "Italia dhe Spanja kanë rezerva ari të bollshme. Le të shesin ca prej tyre", propozon Huang në bisedë me DW-WORLD.DE.

Që pikërisht ekonomia e tretë dhe katërt më e madhe e eurozonës janë të prekura njëkohësisht prej mikrobit të huave, paraqet sipas Yao Shujie-së një gjendje tejet të vështirë për bashkimin monetar. Në blog-un e vet në faqen ekonomike me emër të mirë Caijing profesori me prejardhje kineze në University of Nottingham shkruan: "Shpëtimtari më i madh i eurozonës është Gjermania, por vetëm një i pasur nuk i nxjerr dot nga balta shumë të varfër." E pra shpresat mbahen te Kina dhe Japonia, të cilat kërkojnë mundësi investimi për rezervat e tyre gjigante të valutës. Mirëpo këto dy vende nuk janë shpëtimtarë të besueshëm, thotë Yao Shujie: "Kina vë kushte për ndihmën e vet. Për t'i plotësuar ato, duhet miratimi i të 27 shteteve anëtare të BE-së dhe veç tyre edhe i anëtarit jozyrtar, SHBA-së." Gjithashtu konsiderohet se ka pak të ngjarë që Evropa të merret me dëshirat e Kinës, para se të jetë e qartë se ç'rol do të marrin aziatikët në shpëtimin e euros.

BE-ja si partner i rëndësishëm tregtar

Megjithëse Kina duket sikur është në një pozicion më të mirë, qeveria e vendit nuk mund të mbështetet fare rehat, derisa Evropa pengohet sepse BE-ja është partneri tregtar më i rëndësishëm për Kinën, dhe çereku i rezervave kineze të valutës janë të investuara në euro. Kësisoj këshilltari i bankës qendrore Li Daokui, i cili përndryshe paralajmëron prej blerjes së obligacioneve shtetërore të tjera evropiane, shprehet pro investimit në fondin për shpëtimin e euros. Sikur të mos ndodhë kjo, thotë ai, Kina duhet të vazhdonte të grumbullonte obligacione amerikane duke ndihmuar në këtë mënyrë amerikanët.

Për të njëjtën arsye Wei Jianguo, ish-zëvendësministri i tregtisë, është i mendimit se Kina nuk duhet të tregohet refuzuese ndaj shpëtimit të euros. Megjithatë gjatë blerjes së obligacioneve vendi i tij duhet të ketë kërkesa, të peshojë me kujdes momentin e investimit dhe të ketë gjithnjë parasysh sasinë e përgjithshme, këshillon Wei në intervistë me faqen e internetit Caixin Media Group. Ai u jep evropianëve një dëftesë tejet negative: "jorealistë, të padisiplinuar dhe arrogantë". Prandaj ai ka dyshime nëse do ta vënë në jetë atë që kanë vendosur.

Autor: Zhang Danhong / Elert Ajazaj

Redaktoi: Lindita Arapi