1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Kina dhe SHBA: „Skepticizëm strategjik“

Presidenti amerikan, Barack Obama, lideri kinez Xi Jinping, një rezidencë kaliforniane, një buqetë temash që rëndon takimin në vetëm dy ditë kohë. Një përpjekje për të kuptuar marrëdhënien e komplikuar SHBA-Kinë.

Të shtëna salutuese, parakalime nderi, bankete shtetërore - Pompoziteti tipik për samitet amerikano-kineze do të mungojë. Detyrime të protokollit diplomatik nuk ka. Palët do të prekin një territor të ri, larg Uashingtonit. Barack Obama dhe Xi Jinping takohen në “Sunnylands” – një rezidencë private në jug të Kalifornisë, e pajisur me të gjithë luksin e duhur. Kravatat do të lihen në valixhe. Dy liderë superfuqish tregtare, të dy shteteve më mjedisndotëse do t'i japin duart njëri-tjetrit të veshur me këmishë e mëngëpërveshur. SHBA është debitori më i madh botëror, Kina kreditori më i madh jashtë vendit të vet.

Me Xi Jinping, Barack Obama ka përballë njeriun që do të drejtojë fatet e Kinës deri vonë në dhjetëvjeçarin e ardhshëm. Në këto kohë, sipas të gjitha gjasave, Kina do t'i lerë pas, në rang të dytë Shtetet e Bashkuara, si fuqia më e madhe ekonomike. Se përse bëhet fjalë e përmblodhi qartë që para një viti, ish-sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton. Në Maj 2012 ajo tha në Pekin: „SHBA dhe Kina po përpiqen të bëjnë diçka që është e pashembullt në histori: Të gjejnë një përgjigje të re për një çështje të vjetër, se çfarë ndodh kur një fuqi e konsoliduar përballet me një fuqi në rritje e sipër.“

"Defiçit besimi"

Por kërkimi i kësaj përgjigjeje të re vështirësohet nga një mungesë e thellë besimi ndaj qëllimeve afatgjata të tjetrit. Politologët bëjnë fjalë për „skepticizëm strategjik“. Pekini pretendon që Uashingtoni synon të pengojë ngjitjen e Kinës, më keq se kaq, ta sabotojë me qëllim të ruajtjes së hegjemonisë. Riorientimi i politikës amerikane në drejtim të Azisë i inicuar nga Barack Obama, zhvendosja e resurseve ushtarake e diplomatike - në zhargonin e Uashingtonit “ribalancim” – e ushqen më shumë këtë dyshim. Ndërsa tek pala amerikane qëndron shqetësimi se Kina synon të dominojë Azinë – në kurriz të influencës dhe interesave amerikane.

Strategët i shohin të dyja vendet aktualisht të futura brenda një loje, ku rezultati përfundimtar duket qartë 0:0, pra jo një fitimprurëse për të dyja palët. Elizabeth Economy, eksperte e Këshillit të Nju jorkut për Marrëdhëniet Ndërkombëtare shprehet në bisedë me Deutsche Welle-n shumë e rezervuar mbi shanset e zbutjes së skepticizmit strategjik mes dy vendeve. „Vetëm po qe se nga ana kimike marrëdhënia mes të dyve do të jetë e mirë, dhe po qe se do të gjenden vërtet të përbashkëta, atëherë mund të fillojë një epokë e ndërtimit të besimit mes dy vendeve.“

Besimi, thekson Economy, ndërtohet për një kohë shumë të gjatë dhe bazohet në vlera të përbashkëta dhe në qëllime të përbashkëta politike. Por defiçite besimi ndaj Kinës nuk ka vetëm SHBA. Vende të tjera kanë probleme të njëjta me Kinën, mendon ekspertja nga Nju Jorku. Fjala bie tek pirateria e pronës intelektuale, tek sulmet e hakerave apo grindjet territoriale në Detin e Jugut dhe atë Lindor kinez.

Fuqi ekonomike dhe politike

Për një kohë të gjatë Kina u tregua e përmbajtur në arenën ndërkombëtare. Arkitekti i reformave, Teng Xiao Ping kishte lënë direktivën: Kina “duhet të fshehë thesarin që mban dhe të presë momentin e duhur”. Me gjasë lidershipi kinez pas dhjetëra vitesh parakalimi ekonomik të të tjerëve, duket se mendon se ka ardhur momenti i duhur. Politologu berlinez, Eberhard Sandscheider e cilëson si rrjedhojë logjike, që në një moment të caktuar shtetet ta përkthejnë kapitalin ekonomik në pushtet politik dhe ushtarak. “Kështu ato zhvillojnë interesa globale. Kjo do të thotë: Ato bëhen aktive. Ato tregojnë vëmendje për probleme të caktuara me qëllim që t'u japin shtytje interesave të tyre. Ne duhet të ambientohemi me faktin që Kina në marrëdhëniet ndërkombëtare hap pas hapi, me ngadalë e me pragmatizmin e njohur do të marrë një rol gjithnjë e më aktiv.“

Investim në „kohë cilësore"

Me qëllim që në këtë situatë të mënjanohen konfliktet dhe keqkuptimet, Kina dhe SHBA duhet të njohin qëllimet e palës tjetër, por edhe motivet pas tyre. Për këtë dy ditë „kohë cilësore“ në Kaliforni janë një investim i shkëlqyer. Në përditshmërinë mjaft dinamike të politikës janë të rralla raste të tilla për njohje të dhe besim të dyanshëm. Obama dhe kreu i shtetit kinez do të takohen për së dyti, pas takimit në shkurt të vitit 2012, kur Jinping u prezantua si lideri i ri i Kinës. Nga marrëdhënia mes dy politikanëve varen shumë gjëra. Sepse fshihet pak më shumë se një kokrrizë e vërtete në fjalinë e një eksperti : „Vërtet që Kina dhe SHBA nuk mund të zgjidhin të problemet e globit. Por asnjë problem nuk mund të zgjidhet pa to.“