1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Kina dhe Koreja e Jugut mbështesin Japoninë

Kina, Koreja e Jugut dhe Japonia duan të bashkëpunojnë më fort në fushën e sigurisë atomike. Për këtë ranë dakord udhëheqësit e tri shteteve aziatike të dielën, në takimin e tyre të përvitshëm në Tokio.

Kryeministri i Japonisë Naoto Kan - mikpritës i takimit tripalësh

Kryeministri i Japonisë Naoto Kan - mikpritës i takimit tripalësh

Që prej vitit 2008 shefat e shteteve dhe të qeverive të Kinës, Koresë së Jugut dhe Japonisë takohen në një takim të nivelit të lartë. Por deri tani rezultatet kanë lënë më tepër për të dëshiruar. Midis fqinjëve aziatikojugorë është i diskutueshëm sovraniteti mbi disa ishuj të vegjël. Veç kësaj, para së gjithash në palën japoneze mungon një rivlerësim i së kaluarës që ka të bëjë me Luftën e Dytë Botërore.

Të dielën në mesditë përfundoi takimi i katërt i nivelit të lartë në Tokio dhe këtë herë gjithçka ishte ndryshe. Presidenti i Koresë së Jugut Lee dhe kryeministri kinez Wen patën ardhur pak më herët në Japoni, për të përkujtuar viktimat e katastrofës shkatërrimtare të tërmetit dhe cunamit. Dhe ata u treguan të gatshëm të takohen me mikpritësin japonez, Naoto Kan në Fukushima, vetëm 60 km larg centralit atomik me të njëtin emër, i cili ka pësuar avari.

"Kjo vizitë në rajonet e shkatërruara kontribuoi në një mënyrë madhështore për të treguar se Japonia dhe produktet e saj janë të sigurta. Unë shpresoj shumë që në këtë mënyrë do të binden më shumë njerëz në botë që ta vizitojnë sërish Japoninë. Unë e përshëndes shprehimisht qëndrimin e dy udhëheqësve si mënyrën më të mirë për ta mbështetur vendin tonë."

Kështu u shpreh kryeministri i Japonisë, Naoto Kan të dielën, në konferencën përmbyllëse trilaterale të shtypit në Tokio. Në një deklaratë të përbashkët u fiksua një sërë pikash. Shkëmbimi i ekspertëve të energjisë atomike do të nxitet më tej, siguria e centraleve bërthamore do të shtohet. Dhe rrjedha e informacionit midis të tria vendeve do të përmirësohet. Koreja e Jugit dhe Kina e patën kritikuar ashpër paraprakisht Japoninë, kur ajo hodhi në det sasi të mëdha uji me radioaktivitet të dobët.

Edhe në sektorin e energjive të ripërtëritshme fqinjët do të punojnë më fort me njëri-tjetrin dhe u shprehën që vitin e ardhshëm të nisin negociatat për një marrëveshje të tregtisë së lirë. Për ekonominë japoneze, eksporti në zonën aziatike ka rëndësi të madhe. Prandaj edhe disavantazhet e Japonisë ndaj konkurencës për shkak të katastrofës atomike ishin një temë e rëndësishme për mikpritësin japonez. Në këtë kuadër, ishte një gjest i rëndësishëm fakti që presidenti i Koresë së Jugut, Lee dhe kryeministri kinez Web provuan para kamerave ushqime nga Fukushima:

"Ishte vendimi im që të vija në Fukushima. Unë doja të shprehja simpatinë e popullit kinez për popullin japonez dhe para së gjithash me njerëzit këtu në Fukushima."

Në verilindjen e shkatërruar të Japonisë punonte edhe një numër i madh kinezësh. Një japonez arriti t'i shpëtonte 20 punonjësit e tij kinezë, përpara se të bëhej vetë viktimë e cunamit. Kjo histori u tregua me hollësi në Kinë. Me gjithë vështirësitë politike, të gjitha palët duken të interesuara për një afrim.

Autor: Peter Kujath/ Auron Dodi

Redaktoi: Elert Ajazaj