1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Kina dërgon anije luftarake kundër piraterisë në bregdetin e Somalisë

Anijet luftarake kineze morën kursin drejt birgjeve të Somalisë që rrezikohen prej piratëve. Marina kineze prej shekujsh nuk është dërguar në një distancë kaq të largët prej atdheut.

default

Kina merr pjesë me tre anije në aksionin ndërkombëtar. Dy destrojerë dhe një anije furnizuese do të jenë në patrullim në gjirin e Adenit. Në bord ndodhen raketahedhës, topa dhe dy helikopterë. Ekuipazhi përbëhet nga 800 trupa, ndër to 70 anëtarë të një njësie speciale për luftën trup me trup. Gati 1.300 anije kineze kanë qarkulluar këtë vit përmes kësaj rruge detare mes Afrikës dhe Gadishullit Arabik. Një në pesë anije është sulmuar prej piratëve, vë në dukje zëdhënësi qeveritar Liu Jiançao në Pekin: „Shtatë anije kineze janë rrëmbyer, dy prej tyre ishin direkt nga Kina, të tjerat kishin ekuipazh kinez, ngarkesë kineze, ose lundronin nën flamurin e Hongkongut. Tani vazhdon të jetë në duart e piratëve një anije peshkimi me një ekuipazh prej 18 vetësh. “


Përmes këtij aksioni ushtarak Pekini do të mbrojë kryesisht interesat tregtare të Kinës dhe furnzimin me lëndë të para. Anijet e nisura me mision do të bashkëpunojnë edhe me njësitë e shteteve të tjera, dhe do të shkëmbejnë informacione. Përveç kësaj Kina do të mbrojë anijet me mallra ndihme të organizatave ndërkombëtare.


Operacioni në gjirin e Adenit është një premierë për Kinën. Për herë të parë qysh nga shekulli i 15-të, marina kineze vepron përtej ujrave të veta territoriale. Agjencia e lajmeve Ksinhua (Kina e Re) njofton me krenari për këtë operacion. Deri më sot Pekini është mënjanuar prej misioneve ushtarake ndërkombëtare. Angazhimi në afërsi të bregdetit të Somalisë, mund të shënojë një ofensivë të re të politikës kineze të mbrojtjes. Huang Ksueping, zëdhënës i ministrisë së mbrojtjes: „Në të ardhemn ushtria kineze sipas nevojave do të ofrojë mbështetjen. Ne do të ndihmojmë për të siguruar paqen dhe stabilitetin rajonal dhe mbarëbotëror."


Vetëdija ushtarake e Kinës po forcohet. Republika Popullore me sa duket planifikon edhe ndërtimin e një aeroplanmbajtësje, që do të ishte e para e këtij vendi. Aeroplanmbajtëset, sipas zëdhënësit Huang Ksueping, do të pasqyronin forcën në tërësi të një vendi dhe janë të nevojshme për marinën. Por fillimisht flota detare ushtarake e Kinës duhet të përballojë sprovën përpara brigjeve afrikano-lindore. Ekspertët e marinës nga e gjithë bota do ta vëzhgojnë atë me shumë kujdes. Ky nuk është një mision i lehtë. Oficeri me grada i marinës Ma Luping: „Gjendja në këtë zonë është e komplikuar. Ky rajon është shumë larg Kinës. Ne nuk kemi baza ushtarake në këtë rajon. Furnizimi i marinës përmes rrugëve detare është një sfidë e vështirë. Por ajo duhet përballuar."


Kina do të negociojë në mënyrë aktive me shtetet afrikane lidhur me të drejtën e përdorimit të porteve të ankorimit dhe të furnizimit, dhe do të pajiset më mirë për konfliktet e mundshme. Sipas të dhënave kineze, në këtë rajon detar operojnë 25 deri në 30 grupe piratësh.

  • Data 27.12.2008
  • Autor Markus Rimmele
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/GNiV
  • Data 27.12.2008
  • Autor Markus Rimmele
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/GNiV