1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Kievi vë në sprovë durimin e BE-së

Në Bruksel pritet për vizitë një mysafir i vështirë. Presidenti ukrainas Viktor Janukoviç kërkon Marrëveshjen e Asociimit me BE-në, por injoron thirrjet për më shumë demokraci në vendin e tij.

Më shumë se dy vjet është dashur të presë Viktor Janukoviç për një vizitë në Bruksel. Në tetor të vitit 2011, në momentin e fundit dështuan bisedimet e udhëheqjes së BE-së me presidentin e Ukrainës, pasi u arrestuan liderja e opozitës Julia Timoshenko dhe një numër i ish-anëtarëve të kabinetit të saj. Tani Janukoviç do të marrë pjesë në samitin BE-Ukrainë, që zhvillohet më 25 shkurt 2013 në Bruksel.

Kievi këmbëngul në nënshkrimin e shpejtë të Marrëveshjes së Asociimit të negociuar tashmë me Bashkimin Evropian. Ajo do ta afronte Ukrainën me standardet evropiane duke përfshin edhe krijimin e një zone të tregtisë së lirë. Por stili udhëheqës gjithnjë e më autoritar i presidentit ukrainas e rrezikon përparimin e Ukrainës drejt BE-së. Në dhjetor të vitit 2012 Këshilli Evropian formuloi disa kushte për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje. Para së gjithash pushteti në Kiev duhet të japë mesazhe të qarta, se nuk do ta persekutojë opozitën. Po ashtu kërkohen reforma për forcimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe lirisë së shytpit si dhe kushte më të favorshme për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Skepticizëm në Berlin

Kohën deri në samitin në Bruksel udhëheqja e Ukrainës nuk e ka shfrytëzuar fare për të bërë bërë ndonjë ndryshim, thotë Susan Stewart nga Fondacioni për Shkencë dhe Politikë në Berlin. "Unë nuk shoh asnjë shenjë se Ukraina është e gatshme për t'iu përgjigjur seriozisht këtyre kërkesave," tha ajo për DW-në. Madje në rastin e Timoshenkos ka edhe një zhvillim negativ: liderja e opozitës do të gjendet sërish në bankën e të akuzuarëve. Në këtë mënyrë Timoshenko, procesin ndaj së cilës BE-ja e konsideron si të motivuar politikisht, kërcënohet të dënohet me burgim të përjetshëm. Prokuroria në Kiev pohon se Timoshenko para dy dekadash ishte përfshirë në një rast vrasjeje.

epa02941583 Former Ukrainian Prime Minister Yulia Tymoshenko (L) makes her final speech during the Kiev Pecherskyi District Court session in Kiev, Ukraine, on 29 September 2011. Reports state that a Ukrainian court, on 05 August 2011, ordered the detention of former prime minister Yulia Tymoshenko, who is under investigation for abuse of power while in office. EPA/ALEKSANDR PROKOPENKO / POOL POOL

Julia Timoschenko në gjyq, foto e 29 shtatorit 2011

Edhe Viola von Cramon, zëdhënëse e grupit parlamentar të të Gjelbërve për marrëdhëniet me jashtë të BE-së, tha se BE-ja nuk mund ta nënshkruajë Marrëveshjen e Asociimit me Ukrainën në rrethanat e tanishme. "Nëse ju si qiradhënës i keni dhënë dikujt një banesë me qira dhe qiramarrësi e shkatërron banesën tuaj, atëherë ju me siguri që nuk do t'i thoni atij 'faleminderit" dhe do të merrni përsipër shpenzimet e rinovimit", tha politikanja ekologjiste në bisedë për DW-në. Nënshkrimi do ishte një sinjal i gabuar për vendet e tjera të partneritetit Lindor të BE-së. "Përse vende të tilla si Gjeorgjia apo Moldavia duhet të angazhohen në të ardhmen, nëse një marrëveshje e tillë mund të nënshkruhet edhe pa plotësimin e kushteve?"

Paralajmërime për Kievin

Viktor Janukoviç nuk ka shumë kohë. Nëse marrëveshja e Asociimit nuk do të nënshkruhet në nëntor në samitin e Partneritetit Lindor të BE-së në Vilna, atëherë kjo temë do të zhduket nga rendi i ditës për vitet e ardhshme, ka paralajmëruar  komisioneri i BE-së për zgjerim, Stefan Füle në fillim të shkurtit gjatë një vizite në Kiev.

European Commissioner for Enlargement and European Neighborhood Policy Stefan Fuele, left, shakes hands with Ukraine Prime Minister Mykola Azarov during their meeting in Kiev, Ukraine, Thursday, Feb. 7, 2013. (AP Photo/Sergei Chuzavkov)

Komisari i BE-së për zgjerimin Stefan Füle dhe kryeministri ukrainas Mykola Azarov gjatë takimit në Kiev, 07.02.2013

Edhe politikanët gjermanë paralajmërojnë: "Për qeverinë në Kiev tani është një dritare e hapur, këtë shans ajo duhet ta shfrytëzojë seriozisht deri në nëntor",  thotë socialdemokrati  Franz Thönnes, nga Komisioni për punë të jashtme i Bundestagut gjerman. Megjithatë sipas tij, marrëdhëniet mes Ukrainës dhe BE-së, nuk duhet të kufizohen vetëm në Marrëveshjen e Asociimit. "Në samitin në Bruksel, interesat e Ukrainës në fushën e energjisë dhe të liberalizimit të vizave duhet të gjejnë ekuilibrin e duhur," thekosi deputeti gjerman.

Që prej ardhjes së Janukoviçit në postin e presidentit para tre viteve, politika e jashtme e Ukrainës luhatet mes Lindjes dhe Perëndimit. As te popullsia e Ukrainës nuk ka një shumicë të qartë kur është fjala nëse Ukraina duhet ta nënshkruajë Marrëveshjen e Asociimit me BE-në, apo për bashkimin me Bashkimin Doganor të Rusisë, Bjellorusisë dhe Kazakistanit. Një anketë e kohëve të fundit e kryer me kërkesë të DW-së tregon se 50 për qind e ukrainasve janë për njërin, ndërsa 50 për qind për opsionin tjetër.