1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kievi: Moska do Luftë të Tretë Botërore

Bahri Cani (dpa, dw)25 Prill 2014

Ukraina do të ndërpresë të gjitha lidhjet e separatistëve në Slovjansk me pjesën tjetër të vendit.Tonet mes Ukrainës dhe Rusisë po ashpërsohen nga ora në orë.

https://p.dw.com/p/1BoVd
Gjendje e acaruar në Ukrainë
Gjendje e acaruar në UkrainëFotografi: Getty Images

Ofensiva ukrainase kundër seperatistëve prorusë në Lindje të ish-Republikës Sovjetike i ka ashpërsuar edhe më shumë raportet me Rusinë. Kryeministri i Ukrainës, Arseni Jazenjuk e ka kritikuar vendin fqinj, se "ka për qëllim të fillojë Luftën e Tretë Botërore". Përpjekjet e Rusisë që t'i realizojë qëllimet e veta me mjete ushtarake mund të çojnë deri tek konfliktet ushtarake në Evropë, paralajmëroi Jazenjuk. Rusia do që ta pushtojë Ukrainën ushtarakisht dhe politikisht. Ministria e Mbrojtjes në Ukrainë kumtoi se njësitë ruse janë ofruar gjatë manovrave të fundit deri në një kilometër pranë kufirit me Ukrainën, por nuk e kanë kaluar kufirin.

Helikopterrët ukrainas në Slaviansk.
Helikopterrët ukrainas në SlavianskFotografi: Reuters

Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov e kritikoi ndërhyrjen e forcave ukrainase të sigurisë kundër aktivistëve lojalë ndaj Moskës si një "krim të përgjakshëm".

Qeveria kalimtare në Kiev po zhvillon "një luftë kundër popullit të saj" dhe mban përgjegjësi për gjendjen, tha Lavrovi në Moskë. Gjatë aksionit ushtarak të enjten në Slovjansk janë vrarë pesë aktivistë prorusë.

Ndërhyrja vazhdon

Sergej Lavrov
Sergej LavrovFotografi: Reuters

Ndërhyrja antiterroriste e Ukrainës (ATO), pohon se ofensiva do të vazhdojë. Ministri i Brendshëm Arsen Avakov hjodhi poshtë spekulimet se operacioni ushtarak është ndalur, për shkak të manovrave ruse në afërsi të kufirit. "ATO vazhdon dhe terroristët do të ndiqen tërë kohën. Ndërsa civilët nuk kanë pse të frikësohen", shkruan Avakov në Facebook.

Ministri i Jashtëm amerikan, John Kerry e kritikoi Moskën për destablizimin e qëllimshëm të Ukrainës. Rusia po përpiqet që me të gjitha mjetet t'i pengojë proceset demokratike në Ukrainë. Moska pohon se është e interesuar për stabilitet. Por ky është vetëm një mashtrim, pohon Kerry. Rusia nuk e ka plotësuar marrëveshjen e Gjenevës.

John Kerry
John KerryFotografi: Saul Loeb/AFP/Getty Images

"Rusia po i financon, koordinon dhe po i nxitë grupet e armatosura të seperatistëve në Donezk", theksoi Kerry. "Më lejoni të them shumë qartë: Nëse Rusia vazhdon, ky do të jetë një gabim jo vetëm shumë i rëndë, por edhe shumë i shtrenjtë", shtoi ministri i Jashtëm amerikan, i cili sipas të gjitha gjasave mendonte për sanksione të reja. "Ne jemi të gatshëm të veprojmë", tha ai.

Këshillimet për sanksione

SHBA i ka konfirmuar të dhënat për konsultime lidhur me mundësinë e ashpërsimit të sanksioneve ndaj Rusisë. Presidenti Barack Obama po këshillohet me presidentët dhe kryeministrat e vendeve të BE për ashpërsimin e sanksioneve. Ai ka zhvilluar një bisedë të përbashkët telefonike me kancelaren gjermane Angela Merkel, kryeministrin britanik David Cameron, presidentin e Francës Francois Hollande dhe kryeministrin e Italisë Matteo Renzi.