1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Kievi dhe lufta informative me Rusinë

Ukraina ka nisur një kundërsulm ndaj propagandës ruse. Shtetasit e këtij vendi duhet të ndihmojnë luftën informative kundër propagandës ruse. Pritet të hapet edhe një televizion për transmetim ndërkombëtar.

Propaganda

Propaganda

"Përshëndetje, rekrut XY. Në linjë është komanda e trupave informative në Ukrainë. Detyrat jote e parë është shumë e thjeshtë: duhet t'i ftosh miqtë e tu më të ngushtë dhe më të besueshëm që t'u bashkangjiten trupave informative ukrainase dhe të paraqiten për marrjen e detyrave të përditshme. Kjo është shumë me rëndësi për luftën tonë informative kundër agresorit. Priti detyrat e ardhshme, të cilët do të vijnë shumë shpejt!"

Ajo që duket si një lojë në kompjuter për teenager, është iniciativa më e re e ministrisë ukrainase për Politikën e Informimit. Një postë të këtillë elektronike e merr secili që paraqitet në faqen e internetit www.i-army.org me emrin e tij dhe lë një e-mail. Detyra është që qytetarët të luftojnë përmes rrjeteve sociale propagandën ruse me informacione të vërteta, thuhet në ministrinë e Kievit.

Juriy Stez

Juriy Stez

Kievi do të konkurrojë Moskën në frontin e mediave

Qëllimi është të luftohen informacionet e gabuara. Prej fillimit të konfliktit, mediat ruse janë zbuluar shumë shpesh nga kolegët ukrainas si mashtruese. Vëmendjen e ka zgjuar për shembull pohimi i televizionit shtetëror rus se një i ri është kryqëzuar në qytetin Slovnjansk nga ushtarët ukrainas. Disa muaj më vonë e ka pranuar ky televizion rus se ka bërë një gabim.

"Detyra jonë është që të përhapim shpejt të vërtetën përmes internetit", thotë Juri Stez, ministër i Politikës informative, në një bisedë me DW. E vërteta është propaganda më e mirë. Ministria e tij duket e vendosur që të konkurrojë propagandën ruse në frontin e mediave.

Ministria kontestuese me mikun e presidentit në krye

Ministria e Informacioneve është një risi në Ukrainë. Ajo është krijuar në dhjetor të vitit të kaluar. Në krye të saj është zgjedhur 39-vjeçari Stez, një menaxher me përvojë dhe një i besuar i presidentit ukrainas Petro Poroshenko. Deri para pak kohësh, Stez ka drejtuar televizionin provat "Kanal 5", të cilin e ka themeluar miliarderi Poroshenko dhe megjithë zgjedhjen e tij në postin e presidentit ai nuk do ta shesë. Poroshenko dhe Stez kanë edhe lidhje familjare.

Propaganda

Propaganda

Me rreth 30 bashkëpunëtorë dhe një buxhet vjetor prej katër milionë Hryvna (rreth 100.000 Euro), ministria e drejtuar nga Stez është më e vogla dhe më e varfëra në qeveri. Themelimi i saj ishte i kontestueshëm. Kritikët kanë folur për një "Ministri për propagandë", apo "Ministri për të vërtetën" - duke u bazuar në romanin e George Orwells, "1984". Kritika kryesore ishte se "Kievi po e kopjon Moskën dhe metodat e saj jodemokratike", thotë Diana Duzyk, drejtore e organizatës joqeveritare "Telekrytyka", për DW. Ndërkohë që krijimi i një ministrie të këtillë ishte një prej qëllimeve, sepse seperatistët rusë në të vetëquajturën Republika e Donjeckut dhe Luhanskut i kanë ndaluar mediat ukrainase dhe i kanë lejuar ato ruse. Kievi po përpiqet që t'i riaktivizojë ato.

Edhe në botën e jashtme ka kritika ndaj inicitivës më të re ukrainase. Ekspertja për Evropën Lindore nga Berlini, Gemma Pörzgen e ka quajtur armatën informative të Kievit si në gabim të radhës në politikën informative. Edhe krijimin e ministrisë e ka quajtur në bisedë me DW si të gabuar. "Këtu nuk mund të ndryshojë propaganda ruse", thotë Pörzgen.

Transmetuesi i ri për botën e jashtme në prill?

Kievi do të jetë më aktiv edhe në arenën ndërkombëtare. Nisma më e re e ministrisë është themelimi i një kanali televiziv "Ukraine Tomorrow". Ai do të transmetojë për fillim në gjuhën ukrainase, ruse dhe angleze në botën e jashtme dhe pjesërsisht do të jetë një konkurrencë e televizionit të njohur rus RT (dikur Russia Today). "Qëllimi është prezantimi i pozicioneve të Kievit për reformat në këtë vend", thotë ministri Stez.

"Ukraine Tomorrow" pritet të fillojë transmetimin në prill. Televizioni do të financohet nga qeveria ukrainase dhe nga Perëndimi, shpresohet. SHBA-ja i ka premtuar ndihma financiare Kievit, pohon Stez.

Kjo është përpjekja e tretë e Ukrainës për krijimin e një televizioni të fuqishëm në tregun ndërkombëtar të mediave. Prej vitesh po përiqet televizioni shtetëror ukrainas që të përhapë lajme në gjuhën angleze nga Kievi - por pa ndonjë sukses të madh.

Kanali i financuar nga shteti "Ukraine Tomorrow" do të jenë në konkurrencë të drejtëpërdrejtë me televizionin privat ukrainas në gjuhën angleze "Ukraine Today", cili është themeluar në gusht të vitit 2014, nga manjati i mediave Igor Kolomojski. Kolomojski është një biznesmen i suksesshëm dhe guvernator i rajonit Dnepropetrovsk. Vëzhguesit thonë se ekziston rreziku i shpërthimit të luftës interne politike mes oligarkëve për pushtimin e hapsirës mediatike. Ministria për Informacione në Kiev do të paraqesë deri në maj konceptin për sigurinë e informimit në Ukrainë, i cili duhet të miratohet edhe nga parlamenti. Sikur Ukraina të kishte një koncept të këtillë para 20 vitesh, beson ministri Stez, vendi nuk do të kishte humbur luftën informative me Rusinë në lindje të Ukrainës.