1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Kievi arrreston të dyshuarit që qëlluan për vdekje demonstruesit

Në Ukrainë janë arrestuar anëtarë të policisë speciale Berkut. Ata gjatë trazirave në Kiev, ku në muajin shkurt vdiqën rreth 100 njerëz, kanë qëlluar mbi demonstruesit.

Gjashtë javë pas të shtënave me armë zjarri në sheshin e pavarësisë Majdan në Kiev të Ukrainës autoritetet vendore bëjnë të ditur për arrestimin e 12 të dyshuarve. Prokuroria e Përgjithshme në kryeqytetin ukrainas njoftoi se të dyshuarit janë anëtarë të njësive speciale të policisë së posaçme, tashmë të shpërndarë, Berkut. Për këta persona dyshohet se më 20 shkurt kanë qëlluar mbi demonstruesit paqësorë. Gjatë protestave në Kiev patën humbur jetën në ditë të ndryshme rreth 100 njerëz.

Bashkësia ndërkombëtare kërkoi prej javësh nga autoritetet ukrainase sqarime të hollësishme mbi rastin e vdekjes së demonstruesve. Pas rrëzimit të presidentit Viktor Janukoviç, udhëheqja e re është përballur me akuza për punë të pamjaftueshme për kapjen e autorëve. Rusia kishte akuzuar opozitën e atëhershme se ka përdorur vetë snajpera për të nxitur protestat kundër Janukoviçit.


Ndërkohë në një intervistë për agjencinë e lajmeve "Associated Press" dhe kanalin rus "NTV", ish presidenti i Ukrainës shprehu shpresën që “Krimea t'i kthehet sërish Ukrainës. Janukoviç, i cili ndodhet aktualisht në Rusi tha se po përpiqet të bindë presidentin rus, Vladimir Putin, t'ia kthejë Krimenë Ukrainës.