Kiev: Opozita kërkon më shumë
29 Janar 2014Parlamenti në Kiev po diskuton për një amnesti të mundshme për lirimin e demonstruesve të burgosur, të cilët u arrestuan gjatë protestave për javë të tëra kundër presidentit Viktor Janukoviç. Një votim në Parlament për një amnesti të tillë dështoi ditën e martë (28.01), pasi qeveria i kërkoi opozitës si kundërpërgjigje që të lirojë të gjitha rrugët dhe ndërtesat e qeverisë të mbajtuara të bllokuara prej saj. Parlamenti për këtë u mblodh në një seancë të posaçme dhe tërhoqi ligjin e diskutueshëm të nxjerrë para dy javësh që kufizonte në mënyrë masive organizimin e protestave.
Gjithashtu kryeministri Nikola Asarov dhe kabineti i tij u tërhoqën përfundimisht nga detyra.Janukoviç u kërkoi ministrave që të qëndrojnë në funksion të punës deri në formimin e një qeverie të re. Ndërkohë që udhëheqësit e partive të opozitës pro-europiane këmbëngulin edhe më tej me dorëheqjen e presidentit dhe me zhvillimin e zgjedhjeve të reja.