1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kiesewetter (CDU): është vendimtare, që shoqëria civile dhe politika shqiptare të mbërrijnë në një proces pajtimi

25 Janar 2011

Gjermania e sheh gjendjen në Shqipëri me shumë shqetësim. Çdo përdorim dhune të ndalet, thotë kristiandemokrati Roderich Kiesewetter, anëtar i komisionit të Bundestagut për politikë të jashtme, evropiane dhe sigurisë.

https://p.dw.com/p/102Od
Roderich Kiesewetter (CDU), anëtar i komisionit të Bundestagut për politikë të jashtme, evropiane dhe sigurisë.
Roderich Kiesewetter (CDU), anëtar i komisionit të Bundestagut për politikë të jashtme, evropiane dhe sigurisë.Fotografi: Deutscher Bundestag

DW: Si e vlerëson Partia Demokristiane (CDU) si dhe parlamenti gjerman gjendjen aktuale në Shqipëri?

Kiesewetter: Ne e shohim gjendjen në Shqipëri me shqetësimin më të madh, edhe për arsye të njohjes sime personale me gjendjen. Unë vetë isha si drejtues delegacioni në shtator në vend, u takova edhe me kryeministrin Berisha, fola edhe me zotin Rama, fola me kryetaren e parlamentit. Ne shpresojmë që të ketë shumë shpejt të ketë një proces shoqëror civil në pajtim. Jemi shumë të tronditur dhe shpresojmë që çdo përdorim dhune të ndalet dhe para së gjithash veprimet e policisë, pa marë parasysh rangun, të hetohen intensivisht dhe personat përgjegjës, të mbajnë përgjegjësi.

DW: Ju thatë, që qeveria gjermane e sheh gjendjen me shqetësimin më të madh. Cili është qëndrimi gjerman ndaj refuzimit të qeverisë shqiptare dhe policisë për të ndaluar anëtarë të gardës së republikës, siç kërkohet prej prokurorisë?

Kiesewetter: Fillimisht dua të them, se Shqipëria duhet ta zgjidhë vetë këtë problem të politikës së brendshme. Për këtë arsye nuk më duket me vend të jap këshilla nga jashtë vendit, por një shtet, që dëshiron të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian duhet të zotërojë sjellje në trajtimin brenda vendit, që përputhen me shtetin ligjor dhe ne iu bëjmë thirrje të gjithë personave përgjegjës, që parimet e BE-së për shtetin ligjor të respektohen.

DW: Si duhet vlerësuar thirrja e kryeministrit për një tubim për paqen?

Kiesewetter: Mendoj, që populli shqiptar e di mjaft mirë se çfarë ka rëndësi dhe në rast se ky proces rrjedh në frymë pajtimi, atëherë ne vetëm sa mund ta përshëndesim; por përpara sesa populli të mblidhet në rrugë dhe sheshe e konsideroj absolutisht të rëndësishme, që qeveria dhe opozita pas dyersh të mbyllura të kërkojnë dialogun dhe që tema si çështja e zgjedhjeve të vitit 2009, çështja e sjelljes së parlamentit, aftësia e parlamentit për të funksionuar, çështje të shtetit ligjor, të drejtësisë, korrupsionit të trajtohen dhe që të arrihet një zgjidhje mirëkuptimi në politikën e brendshme. Ne e konsiderojmë absolutisht të rëndësishme, që Shqipëria t'i zgjidhë vetë këto probleme, edhe për të treguar, se është në gjendje që si kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian të trajtojë vështirësitë e brendshme. Sigurisht, që jemi të gatshëm të ndihmojmë nëse është e nevojshme, por është vendimtare, që shoqëria civile shqiptare, politika shqiptare të mbërrijë në një proces pajtimi, që të mbizotërojë mungesa e dhunës, që të hiqet dorë nga dhuna dhe që populli të dallojë në çështjen e shtetit ligjor, se qeveria dhe drejtësia ndëshkojnë pa lëshuar pe shkeljet e ligjit, pa marë parasysh se kush i ka urdhëruar ato dhe kush i ka zbatuar ato. Nuk mund ta tolerojmë në Evropë, që shteti ligjor të mos ketë më vend.

Më lejoni të them edhe diçka: Evropa ia doli, që të dalë nga kriza ekonomike me besim të madh në të ardhmen, Evropa ia doli, që pas Luftës II Botërore të kthehej në një rajon të paqes, prandaj është shumë e rëndësishme, që paqe të mos ketë vetëm ndërmjet shteteve, po edhe brenda shteteve vetë. Ne do të gëzoheshim shumë sikur Shqipëria në rrugën drejt Bashkimit Evropian të bënte shumë shpejt hapat e dëshiruar para. Vizita jonë në shtator të vitit të kaluar ishte inkurajuese dhe aq më zhgënjyese janë lajmet e sotme.

Intervistoi Elert Ajazaj

Redaktoi: Eliana Xhani