1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

KFOR: Veriun e Kosovës e kontrollojmë me masa të përditshme

Në një intervistë për Radion Deutsche Welle, gjenerali Erhard Buhler, thotë se KFOR-i, policia e misionit EULEX dhe policia e Kosovës do të arrijnë të ndalojnë incidentet e dhunshme në veri të Kosovës.

default

Deutsche Welle: Gjeneral Buhler, si paraqitet situata e sigurisë në përgjithësi në Kosovë?

Gjenerali Erhard Buhler: Situata e sigurisë në Kosovë gjatë viteve të fundit ka ndryshuar për të mirë, pra situata e sigurisë në Kosovë është stabile. Mirëpo këtu më duhet të bëj një përjashtim, është fjala për situatën në veri të Kosovës. Në veri jetojnë shumë njerëz paqedashës të cilët dëshirojë të jetojnë në paqe dhe liri. Mirëpo, ka edhe nga ata njerëz që nuk dëshirojnë paqen, fjalën e kam për njerëz që përdorin shpesh mjete shpërthyese, kemi shumë kriminelë, kontrabandues të ndryshëm dhe kohë pas kohë kemi edhe shpërthim të dhunës siç ishte rasti i 11 shtatorit. Pra ky rast i fundit na bën të gjithëve që të mendojmë pak më tepër sepse atë ditë janë përdorur më shumë armë zjarri se ndonjëherë më parë në Kosovë. Përveç kësaj kemi raste kur njerëzit shqetësohen prej atyre që përdorin granata dore, armë zjarri dhe mjete të ndryshme shpërthyese dhe këta njerëz që shkaktojë dhunë nuk do t'i tolerojmë. Pra, përshtypja ime që kur ndodhem në krye të KFOR-it është se shumica e njerëzve në veri dëshirojnë të jetojnë në paqe dhe këtyre njerëzve dëshirojmë t'iu ndihmojmë.


Veriu i Kosovës vazhdon të jetë rajoni me i ndieshëm për sigurinë në Kosovë, cilët janë hapat që keni ndërmarrë për të ndryshuar këtë gjendje?

Fillimisht kemi bërë vlerësimin e gjendjes së bashku me policinë e EULEX-it dhe policinë e Kosovës dhe bazë për vlerësimet tona ishin pikërisht ngjarjet që i përmenda më herët. Ne së bashku përpiluam një plan për të ndalur kriminalitetin në veri. Do të kufizojmë levizjen e lirë të kriminelëve, kështu që ata gjithmonë tani do të duhet të llogarisin se do të hasin në një pikë kontrolli të KFOR-it, policisë së EULEX-it dhe policisë së Kosovës. Këto masa do të jenë të përditshme dhe në bazë të rezultateve që do të arrihen ne do t'i kordinojmë aktivitet tona të radhës.

Cila është qasja e juaj ndaj strukturave parale serbe në Kosovë, të cilat është thënë se në një masë të madhe e kanë mbështetjen e Beogradit?

Kjo më shumë është një pyetje që kërkon përgjigje nga politika. Strukturat paralele përbëhen nga dy shtylla, janë ato politike dhe ato të sigurisë për të cilën flas unë. Strukturat politike apo civile, të cilat në një masë kordinohen edhe nga Beogradi, nuk është cështje e imja dhe për këtë duhet të merret politika. Ndërsa, sa i përket strukurave paralele të sigurisë, nëse këto strukura përbëhen nga persona të armatosur dhe kërcënojnë gjendjen e sigurisë, atëherë hyn në lojë KFOR-i dhe rezoluta 1244 dhe natyrisht atëherë, në do të veprojmë së bashku me policinë e EULEX dhe policinë e Kosovës.

A e kërcënon sigurinë e përgjithshme në Kosovë, gjendja në veri?

Nuk do të shkoja aq larg, kjo është një çështje rajonale brenda Kosovës. Atje kemi shumë verime kriminale, kontrabandë, kontrabandë më armë, ndoshta në një masë kjo gjendje mund të kletë ndikim edhe në rajone tjera, mirëpo ne kemi forca të mjaftueshme për të evituar një zgjerim të tillë.

Cilat janë rreziqet për Kosovën, ato të jashtme dhe të brendshme?

Detyra e KFOR-it në rend të parë është që të ruhet integriteti i Kosovës brenda vijës kufitare të Kosovës dhe misioni i dytë i KFOR-it është që të sigurohet siguria brenda kufijve të Kosovës dhe për këto të dyja misione ekziston një angazhim shumë i madh i NATO-s dhe ju këtë e vëreni nga vizitat e shumta të ushtarakëve të lartë të NATO-s në Kosovë dhe nga fakti që në kuadër të forcave të KFOR-it janë të angazhuara 32 vende të ndryshme dhe ky angazhim ka kontribuar që mos të paraqitet asnjë rrezik nga jashtë për Kosovën dhe të ruhet siguria përbrenda saj. Përveç përjashtimit për të cilin fola më parë.

Kosova në këtë fazë po përgatitet për zgjedhje të parakohshme dhe në të njetën kohë, po përgatitet për të filluar dialogun me autoritet e Beogradit. Këto zhvillime mund ta sfidojnë situatën e sigurisë në Kosovë?

Zgjeshjet që do të mbahen janë një proces i zakonshëm demokratik dhe nuk besoj se do të ketë ndonjë ndikim në situatën e sigurisë. Ndërsa, sa i përket bisedimeve Prishtinë-Beograd kjo është një çështje që ndoshta do të ndodhë në të ardhmën. Unë nuk jam profet që të merrem me spekulime, megjithatë mendoj se nuk do të ketë ndonjë ndikim në gjendjen e sigurisë pavarësisë se çfarë mund të ndodhë.

Gjeneral Buhler, ju keni paralajmëruar reduktimin e trupave të KFOR-it. Shumë kombe tashmë kanë terhequr ushtarët e tyre nga Kosova. E lejon situata e sigurisë në gjë të tillë?

Ka disa vende, që i përmendet edhe ju të cilat kanë paralajmëruar një reduktim apo një tëheqje të trupave të tyre, por këto janë në kuadër të paralajmërimeve të NATO-s se do të ketë reduktime, por nuk do të thotë se kjo do të ndodhë menjëherë, por pak më vonë. Por mund të them se mund t'ia lejojmë vetës një reduktim të tillë, sepse këtë e lejon edhe situata e sigurisë në vend. Pra kur flasim për reduktim, flasim edhe për nevojën e një strukture të re të KFOR-it. Reduktimin e KFOR-it unë do ta cilësoja si një proces të zakonshëm sepse kjo ka ndodhur vazhdimisht edhe gjatë viteve të shkuara.

Reduktimi i KFOR-it është thënë se duhet të ndodhë krahas zhvillimit të mekanizmave të brendshme kosovare të sigurisë. Ju jeni përgjegjës për zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Cilat janë përgjegjësitë që mund t'ia bartni FSK-së?


Fillimisht më duhet të konstatoj se policia e Kosovës ka bërë vitet e fundit përparime të mëdha dhe unë kam një besim shumë të madh në policinë e Kosovës. Ky besim bazohet në bashkëpunmin tonë të përditshëm që kemi. Përveç kësaj NATO-ja po zhvillon Forcat e Sigurisë së Kosovës. Unë sapo përfundova një takim me minsitrin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ministrin Fehmi Mujota dhe ne jemi të pajtimin që kapacitetet e plota të kësaj force të arrihen në një afat sa më të shkurtër kohor. Kjo nënkupton një afat deri në dy vjet. FSK, duhet të jetë një organizatë për raste emergjente civile e cila duhet të jetë e armatosur më armë të lehta. Në kuadër të detyrave që i parashtrohen FSK-së janë edhe deminimi, ndërhyrja emergjente në kuadër të katastrofave natyrore, por edhe ofrimi i ndihmave mjekësore, Meqenëse, edhe ndërhyrjet humanitare kërkojnë aftësi vetëmbrojteje, atëherë kjo trupë duhet të jetë e armatosur lehtë.

A jeni i kënaqur më zhvillimet në FSK?

Kjo trupë e cila rrjedh nga TMK, ka arritur për dy vjet shumë përparime të mëdha, këtu do të përmend ndërhyrjet e FSK në deminimin e zonave tash e dy vjet. Ky është fakt, pra të gjitha aftësitë vepruese të FSK-së, janë prezantuar edhe para komitetit ushtarak të NATO-s. Pra unë jam shumë i kënaqur me zhvillimet që kanë ndodhur në FSK-së, megjithatë më duhet të them se mbetet edhe një rrugë e gjatë zhvillimi, por gjithsesi ne duhet të arrijmë kapacitetet e plota të kësaj force brenda dy vjetëve të ardhshme ashtu siç kemi planifikuar.

Intervistën e zhvilloi Bekim Shehu

Redaktoi: Aida Cama

  • Data 15.10.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Pero
  • Data 15.10.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Pero