1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

KFOR-i përgjysmon trupat në pranverë

Komandanti i KFOR-it gjenerali gjerman Erhard Buhler, e cilësoi të qetë situatën e përgjithshme të sigurisë në Kosovë, por tha se në veri të vendit, paqeruajtësit do të kenë një angazhim të veçantë.

KFOR-i do të përgjysmojë trupat nga 10 në 5 mijë

KFOR-i do të përgjysmojë trupat nga 10 në 5 mijë

Sipas Komandantit të KFOR-it, gjeneralit gjerman Erhard Buhler, Veriu i Kosovës edhe pas përgjysmimit të trupave të NATO-os, që do të ndodhë deri në pranverën e vitit 2011, do të jetë fokusi i angazhimit të KFOR-it. Ai thotë se dialogu i mundshëm Prishtinë- Beograd për çështje praktike në fushën e sigurisë, mund t'i kontribuojë zbutjes së tensioneve në veri të vendit. Këto komente gjenerali Buhler i bëri në një konferencë për media, pas vendimit të NATO-s, për përgjysmimin e numrit të trupave të KFOR-it nga 10 mijë sa janë aktualisht në Kosovë në pesë mijë.

Bajram Rexhepi, Ministri i punëve të brendshme në qeverinë e Kosovës

Bajram Rexhepi, Ministri i punëve të brendshme në qeverinë e Kosovës

Veriu i Kosovës do të jetë në fokusin e KFOR-it

"Ne do të kemi mjaft forca, rreth 5000, dhe tri batalione të përgatitura mirë jashtë vendit në mënyrë që do të mund të reagojmë ndaj çfarëdo sfide të sigurisë që do ta kemi në këtë shtet. Nuk pres trazira të shkallës së lartë siç i kemi parë në vitin 2004. Ne kemi shansin dhe mundësinë për t'u përqendruar në ato pika në vend për situatën e sigurisë të së cilave jemi të shqetësuar ," thotë komandanti gjerman, Erhard Byhler.

Ministri i punëve të brendshme në qeverinë e Kosovës, Bajram Rexhepi thotë për DW-së, se reduktimi i KFOR-it, padyshim që është një lajm i mirë për Kosovën se situata e sigurisë këtu është stabile.

Përgjysmimi i trupave të KFOR-it tregon se situata në Kosovë është stabile

“Disa përgjegjësi të KFOR-it, siç kanë qenë ato të ruajtjes së objekteve kulturore dhe fetare serbe është në gjendje t`i marrë policia e Kosovës. Kosova ka një polici e cila është mjaft efektive, këtu kemi edhe policinë e misionit EULEX. Pra unë them se reduktimi apo përgjysmimi i KFOR-it tregon se Kosova po shkon drejt një stabiliteti të qëndrueshëm”, thotë Bajram Rexhepi minister i Brendshëm.

Një muaj më parë, policia e Kosovës, ajo e misionit EULEX dhe forcat paqeruajtëse ngritën masat e sigurisë në veri të Kosovës për shkak të incidenteve të vazhdueshme në këtë pjesë të banuar më shumicë serbe. Ministri i brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi, thotë se megjithë reduktimin e KFOR-it, trupat e NATO-os nuk duhet të zvogëlojnë prezencën në veri. "Prezenca e KFOR-it është më e domosdoshme në veri të Kosovës dhe në ruajtjen e kufijve të vendit, aty nuk duhet të zvogëlohet numri ndërsa, në pjesët tjera të Kosovës, policia e Kosovës dhe ajo e misionit EULEX, mund ta mbajnë nën kontroll gjendjen e sigurisë dhe të rendit pa ndonjë problem," thotë Bajram Rexhepi.

Komandanti i KFOR-it gjenerali gjerman Erhard Buhler

Komandanti i KFOR-it gjenerali gjerman Erhard Buhler

Reduktimet e trupave duhet të bëhen krahas ngritjes së organeve kosovare të sigurisë

Ndërkohë, për ekpertin e çështjeve të sigurisë Ramadan Qehaja, reduktimet e trupave të KFOR-it duhet të ndodhin por jo me këtë tempo të përshpejtuar siç po vepron Aleanca Veriatlantikre. Për DW ai shpjegon arsyet. ”Reduktimi i vazhdueshëm i KFOR-it, mendoj se është pak i ngutshëm sepse në veri të Kosovës kemi një situatë të brishtë me tendecë të përkeqësmit. Në veri të Kosovës ka stuktura paralele serbe, në Kosovë ka probleme të karakterit ekonomiko social, krim të organizuar, korrupsion dhe fenomene negative të karaktereve të ndryshme. Lufta ndaj këtyre fenomeneve kërkon padyshim mbështetjen e KFOR-it. Në veçanti kur jemi te strukturat paralele serbe të sigurisë, ato nuk mund të luftohen pa mbështetjen e forcave paqerujatëse”, thotë Ramadan Qehaja.

Ramadan Qehaja, thotë se zvogëlimi i trupave të KFOR-it, do të duhej të ndodhte krahas ngritjes së plotë të kapaciteteve të organeve kosovare të sigurisë.“Zvogëlimi i trupave të KFOR-it, nuk ka shkuar në mënyrë paralele me ngritjet e kapaciteteve të plota të oganeve të sigurisë së Kosovës këtu e kam fjalën për Forcën e Siguisë së Kosovës. Pra është dashur që FSK të marrë disa detyra nga njësitet e KFOR-it, të cilat tashmë janë larguar apo do të largohen dhe në anën tjetër është dashur të kemi një gatishmëri më të madhe të veprimit të policisë së Kosovës. Përveç kësaj akoma nuk është e kompletuar Agjencia Kosovare e Iteligjencës. Pra, deri sa në një anë bëhet zvogëlimi i trupave të KFOR-it, ne akoma nuk jemi në gjendje të mbështetemi plotësisht në forcat tona vetanake të rendit”, thotë Ramadan Qehaja, ekpert i çështjeve të sigurisë.

Serbien Wahlen Soldaten der KFOR

Ushtarë të KFOR-it

Trupat e NATO-os hynë në Kosovë në vitin 1999 dhe ato numëronin diku 50 mijë ushtarë që vinin nga vendet anëtare dhe jo anëtare të NATO-s. Në vitin 2002, numri i pjesëtarëve të KFOR-it u reduktua në 39 mijë, për të vazhduar në fazën e dytë të reduktimit në qershor të 2003-ës në 26 mijë, ndërsa në fund të po atij viti në Kosovë mbetën 17.500 ushtarë. Aktualisht, në Kosovë veprojnë rreth 10 mijë trupa të KFOR-it.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Aida Cama

  • Data 30.10.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/PuPe
  • Data 30.10.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/PuPe