1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

KFOR-i midis fronteve në Kosovë

Jo shpejt, por pandërprerë gjendja midis shqiptarëve dhe serbëve po ndizet sërish. Vrasje, arrestime në të dy anët dhe kërcënimi me polici speciale shkaktojnë shqetësim. Ndërsa KFOR-i bën sehir, i paaftë për të ndihmuar.

Pas muajsh qetësie sipërfaqësore kriza e vazhdueshme në Kosovë po akumulohet. Të dielën u vra në qytetin e Mitrovicës një shqiptar. Një ditë më pas serbët përzunë punonjës të Policisë së Kosovës (të kontrolluar nga shqiptarët), të cilët donin të hetonin atentatin me lëndë plasëse. Si rrjedhojë, opozita e fuqishme kërkoi vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme. Së fundi, zëvendëskryeministri i Kosovës paralajmëron përdorimin e policisë speciale kundër serbëve në veri të vendit.

Pamje ilustruese

Pamje ilustruese

Trupa mbrojtëse KFOR, e drejtuar nga NATO-ja, dhe misioni i BE-së për shtet ligjor (EULEX) shikojnë pa mundur të ndërmarrin gjë dhe ndodhet në një gjendje të palakmueshme. Jo më larg se këtë javë disa qindra shqiptarë shanë policët e EULEX-it, të cilët kishin bllokuar urën mbi lumin Ibër, për të shmangur përplasjet me serbët. "Qërohuni!, Shporruni në shtëpi!, A s'jeni ju që vetëm sa i fryni zjarrit?", me këto fjalë iu ishte ndërsyer një polic kosovar i rangut të lartë përfaqësuesve të EULEX-it. Pak më parë, serbët e kishin akuzuar EULEX-in se nuk ishte i aftë t'i mbante në kontroll shqiptarët.

Lista e problemeve është e gjatë

Dy ditë më parë kryetari i partisë opozitare "Vetëvendosja", Albin Kurti, i kishte shkruar Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Anders Fogh Rasmussen dhe komandantit gjerman të KFOR-it Erhard Drews. Trupa duhet të përmbushë më në fund detyrën e saj dhe të garantojë lëvizje të lirë edhe në veri, ishte mesazhi qendror i Kurtit. Atje serbët bllokojnë qysh verën e kaluar rrugë tranziti të rëndësishme. Automjete të EULEX-it bllokohen çdo dy-tre ditë dhe u duhet të kthehen në bazë pa arritur kurrgjë.

Në foto, Albin Kurti

Në foto, Albin Kurti

Lista e problemeve të pazgjidhura të EULEX-it dhe KFOR-it është e gjatë. Kriminaliteti që gëlon në veriun me shumicë serbe vazhdon si gjithnjë edhe pas vitesh. Gjykata e qarkut në Mitrovicë, e bllokuar prej serbëve, nuk punon ende dhe ka krijuar kësisoj një hapësirë pa ligj në veriun e Kosovës. Në fakt KFOR-i pati paralajmëruar se do t'i mbyllte monopatet serbe përmes kufirit në natyrë, që ekzistojnë për të shmangur pikëkalimet e sigurta. Mirëpo, ai nuk guxon edhe ta zbatojë urdhrin e komandantit të NATO-s në Napoli.

Mjafton një shkëndijë për të shpërthyer fuçia e barutit

Një vit negociuan serbët dhe shqiptarët nën ndërmjetësimin e BE-së në Bruksel, për ta bërë më të lehtë jetën e dy popujve. Mirëpo, e kundërta është arritur. Në pikëkalimin e rëndësishëm të Merdares të dyja palët kërkojnë tani një lloj bilete hyrjeje. Serbia merr 100 euro "sigurim automjeti" për një muaj, Kosova do 60 euro për dy javë. Dhe kjo kur të ardhurat mujore janë 350 euro. Pasoja: Kaos dhe pritje për orë të tëra.

Pamje simbolike

Pamje simbolike

Mjafton një shkëndijë për të bërë që të shpërthejë fuçia e barutit. Me shpalljen e zgjedhjeve serbe në Kosovë edhe fitili është vënë. Qeveria e Kosovës ka ndërmend t'i shmangë, madje edhe me dhunë" votime të tilla si "sulm ndaj sovranitetit". Si reagim Prishtina planifikon të zhvillojë zgjedhje komunale edhe te serbët në veri, ku qeveria e Kosovës nuk kishte të drejtë fjale deri tani. Kjo nga ana tjetër kuptohet në Beograd si provokim i paturpshëm.

Autor: dpa / Elert Ajazaj

Redaktoi: Esat Ahmeti