1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

KFOR-i do të luftojë strukturat kriminale në veri

Komandanti i KFOR-it, gjenerali gjerman Erhard Bühler tha se forcat paqëruajtëse së bashku me policinë e EULEX-it dhe atë kosovare do të luftojnë strukturat kriminale që veprojnë në veri të Kosovës.

Erhard Bühler

Bühler - së shpejti lamtumirë.

Komandanti i KFOR-it, gjenerali gjerman Erhard Bühler, tha se situata në veri të Kosovës për momentin duket e qetë, por në këtë pjesë ka potencial të madh për dhunë. Ai tha se disa persona që veten e quajnë përfaqësues politik të serbëve në veri, dëshirojnë që gjendja në veri të mos ndryshojë, sepse kështu u shkon për shtati atyre.

“E gjithë kjo bëhet për pushtet dhe për para. Ata nuk dëshirojnë të humbasin fuqinë dhe pozicionin që kanë dhe dëshirojnë që të mbetet kjo situatë ku strukturat radikale dhe kriminale të tyre mund të funksionojnë”, tha gjenerali, Erhard Bühler. Ai tha se forcat paqërujatëse së bashku me policinë e misionit EULEX dhe policinë e Kosovës do të luftojnë strukturat kriminale në veri të Kosovës, sepse ato po ua shkatërrojnë jetën edhe shumicës së qytetarëve të ndershëm të asaj pjese.

NATO nuk planifikon reduktime

Bühler në takim me Stefanoviqin gjatë trazirave.

Bühler në takim me Stefanoviqin gjatë trazirave.

Gjenerali gjerman, Erhad Büher, konfirmoi se NATO-ja në këtë fazë nuk planifikon reduktimin e mëtejmë të trupave të KFOR-it dhe e gjithë kjo për shkak të zhvillimeve që ndodhën në veri të Kosovës një muaj e gjysmë më parë. Ai tha se NATO-ja ka një plan reduktimi për trupat në Kosovë. Por ky plan bazohet në vlerësimet e situatës së sigurisë dhe për sa kohë në veri të Kosovës të ketë një situatë të tensionuar, trupat nuk mund të reduktohen në këtë fazë. Gjenerali Bühler, tha se faza e ardhshme e reduktimit të trupave të KFOR-it mund të ndodhë në gjysmën e parë të vitit 2012 - nëse shënohet përmirësim i situatës së sigurisë në veri të Kosovës.

Gjenerali gjerman këtë të premte lë mandatin e tij njëvjeçar, për t'i liruar vendin në krye të forcave paqerujatëse një gjenerali tjetër gjerman Erhard Drews.

Komandanti i deritashëm i KFOR-it, duke rikujtuar ngjarjet e 25 korrikut në veri të Kosovës tha se situata në atë kohë ka qenë shumë e keqe, ku u shënuan shumë incidente me viktima.

Shumica duan jetë të qetë, kriminelët trazojnë punë

Erhard Bühler

Erhard Bühler ndisa herë ka folur edhe për DW-në.

Ai tha se në bazë të një vlerësimi të KFOR-it, shumica e njerëzve që jetojnë në atë pjesë dëshirojnë të kenë një jetë të qetë dhe normale, mirëpo, qetësia e tyre po prishet nga individ kriminel, të cilët në disa raste janë edhe të organizuar.

“Këta kriminel dhe strukturat e tyre radikale u imponojnë popullatës lokale rregullat e tyre”, tha gjenerali Bühler.

Sipas tij, shërbimet e KFOR-it kanë një vit që po sigurojnë informacione mbi aktivitet kriminale në veri dhe këto të dhëna u kanë dorëzuar policisë së Kosovës dhe misionit EULEX, të cilat tash po zhvillojë hetime.

Trupat e NATO-s, po vazhdojnë të patrullojnë nëpër rrugët e veriut të Kosovës. Ndërsa dy pikat kufitare me Serbinë, një dhe 31 vazhdojnë të jenë pika të izoluara ushtarake, ku mallrat e Serbisë nuk lejohen të hyjnë në Kosovë.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Bahri Cani