1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

KFOR: Dhuna në veri nuk do të tolerohet

Forcat paqerujatëse në Kosovë thanë se dhuna nuk do të tolerohet në veri. Zëdhënësi i KFOR-it, Ralf Adametz, shpjegoi incidentin në pikën kufitare në Jarinje kur u plagosën katër ushtar të KFOR-it dhe disa civilë serbë.

Sërish trazira në kufi me Serbinë

Sërish trazira në kufi me Serbinë

“Rreth mesditës një makinë civile ka tentuar të kalojë pikën kufitare të Jarinjës. Forcat e KFOR-it të mbështetura nga EULEX-i kanë provuar ta parandalojnë dhunën, dhe për pasojë, një pjesëtar i KFOR-it është lënduar. Gjatë këtij incidenti ka ndodhur po ashtu një tentim për marrjen e një arme të një pjesëtari të KFOR-it. Pas kësaj, pjesëtari i KFOR-it ka hapur zjarr dhe ka plagosur ,personin i cili ka tentuar të marrë armën”, deklaroi  zëdhënësi Ralf Adametz. Ai tha se gjatë  incidentit, në drejtim të forcave të KFOR-it janë hedhur edhe disa granata dore nga ana e serbëve lokalë duke plagosur ushtarët e KFOR-it.

Shefi i misionit EULEX, Xavier Bout de Marnak, e ka dënuar ashpër dhunën në veri të Kosovës kundër forcave paqeruajtëse dhe policisë së misionit EULEX, duke  bërë thirrje të gjithëve që të tregojnë maturi dhe përgjegjësi në veprimet e tyre. Në një deklaratë të shkruar, në orët e vona të natës së shkuar thuhet se Bashkimi Evropian, mbështet aksionin e forcave ndërkombëtare të rendit për të hequr nga rruga barrikadat e vëna nga serbët në mënyrë që të mundësohet qarkullim i lirë në veri të Kosovës.  

NATO thotë se nuk do të tolerojë dhunë

NATO thotë se nuk do të tolerojë dhunë

Edhe qeveria e Kosovës, e dënon fuqishëm dhunën e ushtruar ndaj forcave paqëruajtëse të KFOR-it nga ana e strukturave kriminale në afërsi të vendkalimit kufitar në Jarinje. Edhe qeveria në një deklaratë të shkruar në orët e vona të natës shpreh vendosmërinë e saj për vendosjen e plotë të rendit dhe ligjit edhe në atë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës, për zhbllokimin e rrugëve, për lirinë e lëvizjes, në përputhshmëri të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

“Reagimet e dhunshme që kanë ndodhur ndaj ushtarëve të KFOR-it janë reagime të njerëzve që janë kundër sundimit të rendit dhe ligjit, që identifikohen me struktura kriminale, me kontrabandë dhe krim të organizuar. Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë përkushtimet e veta të fuqishme për forcimin e rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës, në kordinim të plotë me KFOR-in, EULEX-in dhe mekanizmat tjerë ndërkombëtarë”, thuhet në deklaratën e qeverisë  së Kosovës. Ekzekutivi kosovar fton qytetarët serbë të pjesës veriore të vendit që të mos mbështesin njerëzit e dhunshëm dhe të mos mbesin peng i strukturave kriminale, por të kenë besim tek institucionet legjitime të Kosovës, për t'i hapur perspektivë zhvillimit dhe integrimit të gjithmbarshëm.

Tetë ushtarë zë KFOR-it janë plagosur

Tetë ushtarë zë KFOR-it janë plagosur

Situata e sigurisë në pikën kufitare të Jarinjes në mbrëmje ka qenë e qetë, mirëpo, sipas, organeve të rendit tensionet vazhdojnë të jenë të larta. Serbët vazhdojnë të mbajnë të barrikaduara të gjitha rrugët në veri të Kosovës.   

 Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Aida Cama

 

DW.COM