1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Kerry dhe Lavrov bisedime për krizën në Ukrianë

Kryediplomati amerikan, John Kerry, mbërriti në Londër të premten për të takuar homologun e tij rus Sergei Lavrov, në një përpjekje të minutës së fundit për të ulur tensionet në rritje në Lindje të Ukrainës.

Kerry pritet t'i kërkojë Lavrovit të ndikojë në çtensionimin e situatës në Krime, ku trupat ruse kanë marrë kontrollin që pas rrëzimit të Presidentit ukrainas pro-rus Viktor Janukoviç.

Autoritet pro-ruse në Krime kanë organizuar mbajtjen e një referendumi të dielën në rajonin rusishtfolës, por që është edhe baza e flotës detare ruse në Detin e Zi. Referendumi është quajtur si i paligjshëm nga fuqitë perëndimore dhe pritet të sjellë një krizë.

Presidenti rus Vladimir Putin ka thënë se është duke iu përgjigjur thirrjeve të rusëve etnikë, të cilët supozohet se janë të kërcënuar nga mbështetësit ukrainas të Bashkimit Europian. Moska nuk do të njohë legjitimitetin e qeverisë së përkohshme të Ukrainës.

Kerry ka paralajmëruar Rusinë se SHBA dhe Bashkimi Europian se sanksionet do të fillojnë që të hënën, pas shpalljes së rezultatit të referendumit.

Diplomaci mbi agresionin

Të enjten, gjatë një sesioni të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Ukraina dhe Rusia këmbëngulën në faktin se nuk do të donin luftë. Kjo ishte mbledhja e gjashtë e Këshillit të Sigurimit brenda dy javëve në lidhje me çështjen e Ukrainës. Me Rusinë, që ka të drejtën e vetos, Këshilli e ka patur të pamundur të ndërmarrë një veprim konkret për krizën.

Gjatë sesionit emergjent të së enjtes, kryeministri ukrainas Arseniy Yatsenyuk i bëri thirrje Rusisë të negociojë dhe të tërhiqet. "Ne duam të kemi bisedime. Ne nuk duam të kemi asnjë agresion ushtarak", theksoi ai.

Yatsenyuk tha se ishte i bindur që "Rusët nuk duan luftë" dhe për një moment ai foli në rusisht e jo në anglisht, duke iu drejtuar ambasadorit rus në OKB Vitaly Churkin.

Në fjalimin e tij Churkin u përgjigj se "Rusia nuk do luftë, po ashtu si dhe rusët, dhe jam i bindur se as ukrainasit nuk e duan një gjë të tillë."

Pavarësisht qetësisë retorike, të paktën një person u vra në qytetin lindor të Ukrainës, Donetsk, ku një grup protestuesish pro-Kievit u sulmuan nga një grup pro-Rus. Kjo ishte vdekja e parë e konfirmuar që pas fillimit të tensioneve në Krime.