1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Keqtrajtimi i grave - një problem global

Shumë gra bien viktima të dhunës në familje, të ushtruar nga partnerët e tyre. Përmasat janë aq të mëdha sa OBSH flet për "epidemi".

Ato rrihen, shahen dhe përdhunohen. Dhuna kundër grave është problem mbarëbotëror dhe shumë më i përhapur nga sa mendohej deri tani. Një studim i ri i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), tregon sa akute janë në të vërtetë problemet: një në tre gra është keqtrajtuar një herë nga partneri i saj. Organizata fler për "përmasa epidemike". "Kjo do të thotë që dhuna kundër grave ndeshet në të gjithë botën dhe nuk ka thuajse fare dallime mes rajoneve të ndryshme", shpjegon ekspertja e OBSH-së, Claudia Garcia-Moreno në bisedë me DW.

Sipas studimit në rajonet me të ardhura mesatare të larta, ndër të cilat Amerika e Veriut, Evropa, Australia dhe Japonia, rreth një e katërta e grave kanë qenë viktima të dhunës fizike ose seksuale nga partnerët e tyre. Në Azinë Jugore dhe Afrikë, shpesh ato nuk guxojnë të tregojnë se kush është shkaku i plagëve të tyre. "Për këtë arsye sistemi shëndetësor duhet ta marrë shumë më seriozisht problemin e dhunës kundër grave", kërkon Garcia-Moreno.

Dhunë në mes të shoqërisë

Pamje simbolike: dhunë kundër grave

Keqtrajtime nga partnerët - "përmasa epidemike"

Sa më i lartë niveli i mirëqenies, aq më pak keqtrajtime - ky është emëruesi i përbashkët i shifrave të OBSH-së. Garcia-Moreno sheh këtu një sinjal se si mund të përmirësohet situata e grave: "Ato vetë duhet të jenë të arsimuara dhe të kenë një punë. Atëherë bëhen më rrallë objekt i keqtrajtimit", është konkluzioni i ekspertes. "Kjo ka të bëjë me një vetëbesim më të madh, por edhe me faktin që këto gra kanë më shumë mundësi t'i lënë burrat, të cilët i keqtrajtojnë."

E megjithatë: "E tmerrshmja tek dhuna është se ajo ndodh në mes të shoqërisë tonë, dhe jo në rrugët anësore ku jetojnë ata me më pak mundësi", thotë Karin Nordmeyer, kryetare e komitetit kombëtar gjerman të organizatës "UN Women". Problemi është se shpesh për shumë burra edhe sot vlen parimi: kush banon nën çatinë time, duhet të veprojë sipas rregullave të mia. "Shpesh ata i mbyllin gratë brenda dhe u japin vetëm pak para, të cilat nuk i marrin më nëse natën në shtrat nuk veprojnë sipas rregullave të burrave."

Pasoja fizike dhe psiqike

Kur gratë bëhen viktima të dhunës në shtëpi, pasojat janë shpesh të shumta: depresione, probleme me alkoolin, sëmundje seksuale dhe shtatzani të padëshiruara deri në vdekje. "Veç kësaj pasojat shtrihen mbi gjithë familjen", thotë Claudia Garcia-Moreno. Fëmijët që përjetojnë dhunën ndaj nënave të tyre brenda mureve të shtëpisë, kanë një rrezik më të madh që të bien edhe vetë viktimë e keqtrajtimeve ose në moshë madhore të keqtrajtojnë të tjerë.

Karin Nordmeyer

Karin Nordmeyer

Për faktorët e ndryshëm të riskut duhen gjetur zgjidhje të posaçme, thotë Karin Nordmeyer nga "UN Women". Ndihma për prindërit e mbingarkuar mund të ndihmojë që fëmijët të mos përballen në moshë të njomë me dhunën. Në marrëdhëniet ku burri ka në kontroll gruan, nevojiten programe për t'i mësuar burrat, dhe më mirë djemtë e rinj, të kenë një sjellje me të drejta të barabarta mes gjinive.

Inisiativa kundër dhunës në familje

Me fushatën mbarëbotërore "Say no - unite to end violence against women" dhe programin "Commit against violence", Kombet e Bashkuara synojnë të mbrojnë gratë nga dhuna në familje. Programet i drejtohen qytetarëve dhe qeverive. "Deri tani 58 shtete kanë nënvizuar interesin e tyre për inisiativën me një firmë", thotë Nordmeyer. Konventa e re e Këshillit të Evropës kundër dhunës brenda mureve të shtëpisë, përcakton qartë se çfarë është kjo dhunë dhe çfarë duhet bërë kundër saj. Aktualisht në vendet anëtarë zhvillohet procesi i ratifikimit.

Kjo nuk është arsyeja e vetme përse ekspertet presin përmirësim të situatës vitet e ardhshme. "Tek brezat e rinj mentaliteti i pushtetit të burrave ndaj grave, nuk është aq i rrënjosur", thotë me optimizëm Karin Nordmeyer.