1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Keqpërdorime me vizat në disa ambasada gjermane

Në shumë ambasada gjermane duket se prej vitit 2007 ka pasur keqpërdorime në dhënien e vizave. Lajmet e dëgjuara në fundjavë u konfirmuan nga Ministria e Jashtme Gjermane të hënën (20.12.).

default

Pamje simbolike e një vize

Zëdhënësi i ministrit të Jashtëm gjerman Guido Westerwelle nuk ishte i vetëdijshëm në fillim për kundërthëniet në deklaratat e veta. Andreas Paeschke fliste për "raste sporadike", të cilat" janë zbuluar me punën permanente të rrjetit të kontrollit të Ministrisë së Jashtme". Sipas tij, ky rrjet është i sensibilizuar për këtë problematikë, sepse nëpër duart e tij kalojnë rreth dy milionë kërkesa për viza në vit.

Auswärtiges Amt

Ministria e Jashtme në Berlin

Ku ka pasur keqpërdorime me vizat

Policia federale dhe prokuroritë duket se kanë pasur një punë të madhe, në radhë të parë për shkak të keqpërdorimeve në Kairo por edhe në disa ambasada të tjera. Andreas Paeschke përmend keqpërdorimet: „Fjala është për disa qindra viza ku janë konstatuar keqpërdorime. Në ambasadat e tjera bëhet fjalë për dy - tri raste. Fjala është për ambasadat dhe konsullatat në Afrikë, Lindjen e Mesme, një rast në Ballkan dhe një në Azinë Qendrore. Në media është folur edhe për raste në Amerikën Latine, por kjo nuk është e vërtetë."

Shumë punonjës vendorë janë larguar nga puna, për shkak të keqpërdorimeve, thotë zëdhënësi. E gjitha kjo të kujton aferat e zbuluara në vitin 2004, kur në qendër të vëmendjes ishte ambasada në Kiev dhe në disa vende në Ballkan.

Fischer live

Edhe më parë ka pasur një skandal me vizat në Gjermani. Ish- ministri i Jashtëm, Joshka Fischer duke folur për skandalin me vizat në 25. Prill 2005 në Berlin para komisionit hetimor të Bundestagut

Në atë kohë ishin dhënë me mijëra viza, nga të cilat kishin përfituar edhe njerëzit që merren me trafikimin e njerëzve dhe prostitucion të dhunshëm. Me iniciativën e opozitës së atëhershme konservatore, në vitin 2005 u krijua një komision hetimor parlamentar. Si dëshmitarë u paraqit edhe ish-ministri i Jashtëm, Joschka Fischer.

Bazë të dhënash për mënjanimin e keqpërdorimeve?

Rastet më të reja kanë rihapur debatin për krijimin në Gjermani të një baze të dhënash për paralajmërimin e keqpërdorimeve. Konservatorët duan që në këtë bazë të dhënash të futen sa më shumë emra dhe fakte për personat e dyshimtë që kërkojnë viza. Socialdemokratët, të cilët ishin në pushtet deri në vitin 2009 i kundërshtonin këto kërkesa. Liberalët e kanë pranuar këtë kërkesë, por deri tani një bazë e tillë nuk ekziston.

Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Philipp Spauschus, shpjegon këto plane. „Katalogu i të dhënave për paralajmërim duhet të përfshijë të dhëna nga fushat e terrorizmit, trafikimit me njerëz, kontrabandimit, kontrabandimit me drogë dhe krijimit të grupeve kriminele. Por edhe më tej ka mosmarrëveshje për autoritetet që kanë të drejtë të përdorin këto të dhëna. Qëllimi i konsultimeve është që sa më parë të arrihet një zgjidhje."

Justizministerin Sabine LEUTHEUSSER-SCHNARRENBERGER FDP

Ministrja gjermane e Drejtësisë, Sabine Leutheusser-Schnarrenberger kundër bazës së të dhënave

Përsa i përket përmbajtjes duket se ka dallime të mëdha mes ministrit të Brendshëm Thomas de Maizière dhe ministres së Drejtësisë Sabine Leutheusser-Schnarrenberger. Zëdhënësi i saj Anders Mertzlufft thotë se rëndësi ka një element tjetër. „Nga pikëpamja e Ministrisë së Drejtësisë nuk mund të krijohet një bazë e gjërë të dhënash për të gjitha shërbimet e sigurimit ku të përfshihen të gjitha kërcënimet e mundshme."

Sipas tij, rastet e fundit të keqpërdorimeve nuk do të mund të evitoheshin as me një bazë të këtillë të dhënash. Grindjet rrotullohen në fakt rreth pyetjes se të dhënat e cilit shërbim duhet të shërbejnë si bazë dhe cilat shërbime mund të përdorin këto të dhëna. Dallimet për momentin janë shumë të mëdha, për të arritur një zgjidhje të shpejtë.

Autor: Marcel Fürstenau /Bahri Cani

Redaktoi: Lindita Arapi

  • Data 21.12.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/QhGk
  • Data 21.12.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/QhGk