1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Keqkuptim i rëndë i Kushtetutës - Mbi çështjen Mediu

Pushimi i procesit gjyqësor ndaj deputetit republikan dhe Ministër i Mjedisit Fatmir Mediu, i pandehur i Prokurorisë për çështjen e Gërdecit, ka ngjallur reagime nga konstitucionalistë dhe ekspertë të drejtësisë.

Gërdec.

Gërdec.

Fatmir Mediu, aktualisht deputet në Parlamentin e dalë nga zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit dhe ministër Mjedisi në qeverinë Berisha 2, nuk është as i pafajshëm dhe as fajtor për shpërthimin e depos së armëve në Gërdec, që ndodhi kur ai ishte Ministër i Mbrojtjes. Imuniteti që i risolli mandati i deputetit, që ai fitoi në zgjedhjet parlamentare te 28 qërshorit, solli vendimin e Gjykatës së Lartë për pushimn e procesit gjyqësor ndaj tij, si i pandehur i Prokurorisë së Përgjithshme për çështjen Gërdeci.

Konstitucionalisti Genti Ibrahimi duke shprehur për DW opinionin e tij për këtë vendim thotë: " Vendimi i Gjykatës së Lartë për pushimin e ceshtjes penale ndaj deputetit Mediu buron nga një keqkuptim i rëndë i Kushtetutës." Ai shpjegon se keqkuptimi lidhet me nenin 73 të Kushtetutës, i cili u garanton deputetëve mbrojtje nga veprimet hetimore të Prokurorisë dhe të Policisë gjyqësore, dhe autorizim nga Parlament për t´i kryer ato. Por jo në një proces gjyqësor kur ai ka filluar dhe është në zhvillim e sipër si rasti i Fatmir Mediut. Për konstitucionalisti Ibrahimi ka arsye që Gjykata e Lartë bëri një keqinterpretim të Kushtetutës." Të keqkuptosh Kushtetutën është çështje profesionalizmi," thotë Gent Ibrahimi.

Vendimi i Gjykatës së Lartë ka lënë të pakënaqur jo vetëm të afërmit e viktimave të tragjedisë së Gërdecit, pasi ai kërkon pafajësi.

Aurela Anastasi, eksperte e të drejtës Kushtetuese, pedagoge në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës, thotë se egzistojnë hapësira ligjore që procesi të rihapet. " Ka mjete ligjore që procesi gjyqësor të mos mbyllet pa përfunduar dhe pa gjetur të gjitha shkaqet, fajësia apo pafajësia e të pandehurve të Prokurorisë për çështjen e Gërdecit. Natyrisht, do të ketë një vonesë në proces por e rëndësishme është që çështja të përfundojë."

Kjo do të thotë që Kushtetuta lejon Prokurorinë që ajo të formulojë një kërkesë të re drejtuar Parlamentit për heqjen e imunitetit për herë të dytë të dytë të deputetit republikan Mediu. "Nuk ka asnjë ndalesë as nga ligji , as nga Kushtetuta që Prokuroria të kërkojë për herë të dytë autorizimin nga Parlamenti që të rihapë procesin, " thotë Zonja Anastasi.

Rifillimi i procesit gjyqësor do të shmangë edhe vetëgjyqësinë apo hakmarrjen personale të të afërmve të viktimave të Gërdecit. Pas vendimit të Gjykatës së Lartë, disa prej tyre deklaruan në mediat kombëtare të Tiranës se nëse drejtësia dështon do të përdorin vetëgjyqësinë. Por vetëgjyqësia është një dukuri që ecën në kundërshtim me shtetin e së drejtës, që Shqipëria po përpiqet të konsolidojë.

Konstitucionalisti Gent Ibrahimi: " Simptoma për vetëgjyqësi duhet marë shumë seriozisht dhe duhet kuruar që herët. Po të isha Prokuror do të hapja menjëherë një çështje penale me persoant që shpallin se do të bëjnë vetëgjyqësi".

Krijimi i një gjyqësori profesional, të pavarur nga politika përbën thelbin e reformës në Drejtësi. Vazhdimi i saj ka mbetur pezull pasi opozita ka bojkotuar Parlamentin dhe për miratimin e ligjeve duhen votat e tre të pestave, 84 vota.

Autor : Ani Ruci

Redaktoi : Aida Cama

  • Data 26.09.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/JpUf
  • Data 26.09.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/JpUf