1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Kenia:shpagim dhe siguri

Aviacioni luftarak kenian bombardoi dy kampe të organizatës terroriste Al Shabaab - si masë të parë shpaguese për atentatin në universitetin e Garissas të enjten. Njëkohësisht, masat e sigurisë në vend u përforcuan.

Policë të armatosur rëndë qendrojnë para hyrjeve të kishave të mëdha në vend. Çdo besimtar e kontrollojnë me aparate elektronike nëse ka me vete armë. Kontrolle kryhen edhe në automjete.
Kenia i ka përforcuar masat e sigurisë. Veçanërisht të forta qenë masat ditët e pushimeve të Pashkëve, që kur organizata terroriste somaleze Al Shabaab kërcënoi pas sulmit ndaj universitetit të Garissas të enjten me sulme të tjera të përgjakshme.

"Jemi të shqetësuar dhe kemi frikë, gati çdo ditë. Ky sulm erdhi papritur, nuk qemë të përgatitur për të. Kjo të shkakton një ndjenjë frike dhe paqetësie". Kështu shprehet Ipeshkvi i Katedrales së Garissas, ku Al Shabaabi në vitin 2012 sulmoi po njësoj dy kisha. Kishat janë megjithatë plot me njerëz. "Në asnjë vend nuk je e sigurtë. Po këtu në kishë je pranë Zotit dhe mund të gjesh ngushëllim", thotë Meli Muasya, që ka ardhur megjithë frikën e saj.

Ngushëllim është e vështirë të gjesh, para së gjithash për prindërit dhe miqtë e 148 viktimave të atentatit të përgjakshëm. Ata qendruan gjithë fundjavën në vargje të gjata në Nairobi, për të identifikuar edhe formalisht të vrarët në Nairobi. Detyrë mizore, thotë studenti George Omondi.
"Na u deshën gati 20 minuta për këtë punë. Kufomat janë gjymtuar keq. Prandaj zgjati shumë, sa i identifikuam bashkëstudentët tanë."

Sipas të dhënave të saj, në fundjavë aviacioni luftarak i Kenias bombardoi dy kampe të Al Shabaabit në jug të Somalisë. Të dyja pozicionet në rajonin Gedo pranë kufirit u shkatërruan plotësisht, tha një zëdhënës ushtarak. Kjo goditje e parë shpaguese do të pasohet nga të tjera. Kjo deklaratë, e edhe masat e tjera të sigurisë në rajonet e rrezikuara në kufi me Somalinë nuk mjaftojnë për ta qetësuar zemërimin e popullit. Njerëzit ndihen të lënë në baltë. "Siguria këtu është e keqe. Dhe ne bëjmë përgjegjëse qeverinë për këtë, sepse nuk duket të punojë."


Ai thotë se paralajmërimet për një atentat që po përgatitej kundër një universiteti thjesht u injoruan nga qeveria. Veç kësaj, njësia speciale e stërvitur enkas për luftimin e terrorizmit mbeti për shtatë orë pa lëvizur nga Nairobi, përpara se të nisej më në fund me avion në Garissa. Në këtë kohë, shumica e viktimave tashmë patën vdekur.


Si atentatorët, ashtu edhe shumica e pesë nxitësve të atentatit, që janë arrestuar deri tani, janë me nënshtetësi keniane. Njëri prej tyre është djali i një politikani lokal. Ai e pati njoftuar para atentatit qeverinë se dyshonte se i biri mund të ishte bashkuar me Al Shabaabin.Edhe ky informacion nuk u pasua me hapa të tjera. Tani qeveria do të hartojë një listë me të gjithë të rinjtë, të cilët nuk dihet se ku janë ose që dyshohet se kanë pikëpamje radikale.


DW.COM