1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

KE miratoi studimin e fizibilitetit për Kosovën

Komisioni Evropian ka bërë të ditur se mund të bëjë Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Kosovën, pavarësisht mospajtimeve në BE për statusin. Qeveria zotohet se do t’i përmbushë obligimet.

Stefan Füle

Stefan Füle

Komisioni Evropian publikoi të merkurën studimin e fizibilitetit Kosovën me të cilën i bëhet e qartë Kosovës se duhet të përmbushen kushtet e parapara, për të arritur deri te nënshkrimi i marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit ndërmjet BE-së dhe Kosovës. Komisionari për zgjerimi i BE-së Stefan Füle, tha në një konferencë për media në Bruksel se në këtë studim, Komisioni do të propozojë një mandat për Marrëveshjen e Stabizilim-Asociimit, sapo që Kosova të plotësojë prioritetet afatshkurta.

Kërkesat për Kosovën nga Komisioni Evropian

Stefan Füle kërkon vazhimin e reformave

Stefan Füle kërkon vazhimin e reformave

“Komisioni do të propozojë negocimin e direktivave sapo Kosova të ketë shënuar progres në përmbushjen e një numri të prioriteteve afatshkurtra që lidhen me sundimin e ligjit, administratën publike, mbrojtjen e pakicave dhe kapacitetet tregtare“, tha Stefan Füle. Sipas raportit të Komisionit Evropian, studimi i fizibilitetit për Kosovën konfirmon se nuk ka pengesa ligjore për realizimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit ndërmjet Kosovës dhe BE-së, thuhet në një njoftim të Zyrës së përfaqësuesit të BE-së në Kosovë, Samuell Zhbogar.

Kosova nuk ka më pengesa ligjore për nënshkrimin e MSA-së


“Studimi tregon se në shumicën e rasteve Kosova ka vendosë elementet e kornizës ligjore dhe një pjesë të kapaciteteve administrative. Nga ana ligjore, BE-ja mund të konkludojë një marrëveshje të tillë me Kosovën. Qëndrimet e ndryshme nuk përbëjnë pengesë ligjore për Kosovën që të zbatojë obligimet e MSA-së”, citohet të ketë thënë Samuel Zhbogar.

Qeveria e Kosovës u zotua se do t'i përmbushë të gjitha obligimet afatshkurta, por edhe ato afatgjata, të parapara me studimin e fizibilitetit. Në një konferencë për media kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, tha se studimi i fizibilitetit i jep Kosovës dritën jeshile për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit në të ardhmen. Ai tha se Brukseli është pajtuar që Kosova të jetë partnere e barabartë me të gjitha vendet tjera që aspirojnë integrimet evropiane.

Kosova partnere e barabartë në rrugen drejt integrimeve evropiane

“Fillimi i negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit shënon hapin më të rëndësishëm në kuadër të avancimit të procesit integrues të shtetit të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe të faktorizimit të Kosovës në pozitën ndërkombëtare”, tha kryeministri Thaçi. Ai përmendi edhe fushat në të cilat Komisioni Evropian, kërkon nga Kosova përparime.

Hashim Thaçi premton plotësimin e kushteve të tjera.

Hashim Thaçi premton plotësimin e kushteve të tjera.

“Komisioni Evropian ka identifikuar katër fusha, në të cilat Kosova duhet të shënojë progres të menjëhershëm me qëllim të fillimit të negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Ato janë: sundimi i ligjit, reforma e administratës publike, trashëgimia kulturore dhe tregtia. Unë dua që ta bëj të qartë qëndrimin e qeverisë së Kosovës se kriteret teknike të mbetura do të përmbushen në afatin rekord”, tha kryeministri Hashim Thaçi.

Procesi i Stabilizim-Asociimit, i miratuar dhe vënë në fuqi në vitin 1999, është korniza e politikave të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, në kuadër të së cilës zhvillohet procesi i integrimit të këtyre shteteve në BE deri në anëtarësimin e tyre të plotë. Ky proces ka tri qëllime strategjike, stabilizimin dhe tranzicionin drejt një ekonomie të lirë dhe konkurrente të tregut, promovimin e bashkëpunimit rajonal dhe perspektivën Evropiane.