1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

KE kërkon dënim për shtetet refuzuese të refugjatëve

AUD (AFP, dpa, epd)5 Maj 2016

Mbi një milion migrantë kanë ardhur vitin e kaluar në BE. Për t'i lehtësuar shtete si Greqia dhe Italia, Komisioni i BE ka propozuar një sistem të ri azili. Ai që nuk pranon refugjatë, duhet të paguajë.

https://p.dw.com/p/1IiUW
Aachen Rathausplatz Denkmal Karl der Große,
Fotografi: DW/B. Riegert

Komisioni i BE kërkon ta reformojë sistemin e azilit dhe të mbështetet më fort për këtë tek solidariteti. Vende anëtare me një kufi të jashtëm, ku kërkojnë mbrojtje shumë njerëz, do të lehtësohen më fort. Vendet që i bëjnë bisht rishpërndarjes së njerëzve, duhet të hapin portofolin. Këtë e parashikojnë propozimet për një reformë të të ashtuquajturave rregulla të Dublinit të Komisionit Evropian.

Rregulli bazë i Dublinit nuk do të ndryshojë. Sistemi i deritashëm parashikon që refugjatët ta paraqesin lutjen për mbrojtje në atë shtet anëtar, në të cilin ata hyjnë për herë të parë në BE. Vende me një kufi të jashtëm të BE si Italia ose Greqia me këtë i ekspozohen një barre veçanërisht të rëndë. Në krizën e refugjatëve këto shtete u ankuan për mungesën e solidaritetit të shumë shteteve të tjera anëtare. Komisioni i BE vërtet dëshiron që ta ruajë parimin e Dublinit, por propozon tani një "mekanizëm-korrektese".

Vendos numri i popullsisë dhe fuqia ekonomike

Ky mekanizëm do të hyjë në funksioni, kur një shtet përballet në një periudhë të shkurtër kohe me një numër të madh migrantësh që vijnë dhe kur nuk mund ta përballojë më vetë ngarkesën. Se kur quhet i arritur ky kufi i ngarkesës, kjo do të orientohet 50 përqind në bazë të numrit të popullatës dhe 50 përqind në bazë të fuqisë ekonomike të vendit. Kur vlera orientuese për një vend kapërcehet në më shumë se gjysmën e saj në një periudhë dymbëdhjetë mujorshe, atëherë azilkërkuesit e rinj në të ardhmen do të përcillen në shtete të tjera evropiane. Në këtë rast, refugjatët do të shpërndahen për aq kohë në shtete të tjera të BE - sërish të shpërndarë duke u bazuar në numrin e popullsisë së shtetit dhe në fuqinë e tij ekonomike - derisa vendi anëtar i prekur të lehtësohet.

Do të mbahet parasysh edhe se sa refugjatë ka pranuar deri në atë kohë një shtet i BE direkt nga një shtet i tretë - për shembull sirianë nga Turqia. Me këtë, Komisioni i BE dëshiron t'i inkurajojë shtetet anëtare që të krijojnë më shumë mundësi për një hyrje legale të personave në nevojë në BE.

250.000 Euro për çdo refugjat të refuzuar

Shtetet mund të dalin jashtë këtij sistemi. Por në këtë rast, ato duhet t'u paguajnë shteteve që janë pjesë e sistemit 250.000 Euro për çdo refugjat, të cilin në bazë të vlerave të referencës këto shtete duhet ta kishin pranuar. Shtetet e BE dhe Parlamenti Evropian duhet të bien dakord me rregulloren e re. Çekia e bëri që tani të qartë se është kundër këtyre propozimeve. Edhe ministri i Brendshëm i Polonisë, Blaszcak është kundër një rregullimi të tillë me kuota.

Në këtë sistem refugjatët nuk do të kenë mundësinë që të zgjedhin se në cilin shtet të BE kërkojnë mbrojtje. Në ato raste kur ekziston një rrezik "i konsiderueshëm", që një migrant t'i shpëtojë dërgimit në një vend të caktuar të BE, ai do të arrestohet deri në katër javë. Edhe në refuzimin për të dhënë gjurmët e gishtave, do të jetë i mundur arresti "si mjet i fundit".

E drejta për bashkim familjar do të forcohet dhe do të vlejë si për motrat e vëllezërit, ashtu edhe për familjet që janë ngritur në shtete tranzit. Me këtë do të synohet të pengohet që pjesëtarë të familjes të bien në duart e trafikantëve, për të mbërritur tek të afërmit e tyre.

Përjashtim për disa shtete të BE

Britania e Madhe, Irlanda dhe Danimarka, në bazë të së drejtës në fuqi, nuk duhet të marrin pjesë në "mekanizmin e rastit urgjent". Ato do të kenë mundësi të vendosin nëse duan të bashkohen me mekanizmin. 25-shtetet e tjera janë pjesë e mekanizmit. Edhe shtetet jo anëtare të BE, po anëtare të hapësirës Shengen- Islanda, Zvicra, Norvegjia, Lihtenshtajni - përjashtohen. Nëse "mekanizmi i rastit urgjent" do të mbështetet nga shtetet anëtare dhe nga Parlamenti i BE, Komisioni i BE e përfytyron tërheqjen e propozimit të tij për një çelës të përhershëm shpërndarjeje të refugjatëve. Ky plan i shtatorit hasi në rezistencë të ashpër në shumë shtete evropiane si dhe në Francë.