1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

KDNK: Pavarësia e pakthyeshme

Grupi Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën u shpreh kundër ndarjes së Kosovës dhe kërkoi qasje më të madhe të Prishtinës dhe komunitetit ndërkombëtar të veriut të vendit.

Veriu duhet të marrë pjesë në procesin e stabilizim-asociimit, thotë Feith.

"Veriu duhet të marrë pjesë në procesin e stabilizim-asociimit," thotë Feith.

Grupi Drejtues Ndërkombëar për Kosovën, në përbërjen e të cilit janë 25 shtete që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, u shpreh në një deklaratë të përbashkët se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme, integriteti territorial i Kosovës është i pacënueshëm dhe iu kërkua institucioneve kosovare që të luftojnë me vendosmëri korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Shefi i zyrës civile ndërkombëtare, Peter Faith, i cili kryesoi takimin në Prishtinë, tha se në veri të Kosovës aty ku ka vështiësi në funksionimin e rendit dhe ligjit, kërkohet një qasje më aktive. “Më e rëndësishmja është se Bashkimi Evropian dhe komuniteti ndërkombëtar duhet të kenë qasje më të mirë në veri, në mënyrë që të ofrojmë shërbime më të mira për qytetarët. Duhet të krijojmë lidhjet administrative mes Prishtinës dhe komunave në veri.

"Ekziston një mirëkuptim i gjerë në Grupin Ndërkombëtar Drejtues se ndarja nuk duhet të jetë rezultat i synuar. Prandaj, ne duhet të kemi qasje në mënyrë që veriu të marrë pjesë në procesin e stabilizim-asociimit, që është pjesë e perspektivës evropiane," tha Peter Feith.

Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, i cili shtroi drekë pune për anëtarët e GND-së, tha se ka kërkuar nga miqtë e Kosovës, që ta ndihmojnë vendin në procesin e njohjes, pas dhënies së mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. “Krahas sfidave, me të cilat përballet shteti i ri i Kosovës, Kosova është një rrëfim suksesi, një rrëfim i mirë i kapërcimit me kualitet të një distance që nga koha kur është pavarësuar. Por paralelisht kemi një zotim që do ta realizojmë në ecje e sipër, për të pasur Kosovën me realizim të pritjeve të qytetarëve të vet, një Kosovë të plotë, një pavarësi që nuk ka kthim, një pavarësi që nuk negociohet dhe një integritet të plotë territorial," tha presidenti Fatmir Sejdiu.

Kosovo bereitet Unabhängigkeit vor Flagge

Grupi Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën, beson se mendimi këshillues i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë rreth ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës do të paraqesë një mundësi që Kosova dhe Serbia të lëvizin përpara në komunikimin e drejtpërdrejtë në fushat në të cilat bashkëpunimi do të përmirësojë jetën e qytetarëve. Sipas tyre bashkëpunimi rajonal, marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe dialogu janë thelbësore për stabilitetin, zhvillimin ekonomik dhe integrimin në BE.

Grupi Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën, në deklaratë e tij i bën thirrje qeverisë dhe institucioneve të Kosovës të përshpejtojnë progresin në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kryeministri Hashim Thaçi, thotë se qeveria e tij do ta luftojë këtë fenomen negativ. “Ne kemi arritur që pas 10 vjetësh të heshtjes ndaj korrupsionit, por në një formë edhe të tolerimit të korrupsionit, të marrim vendimin të ndërprerjes së këtij trendi të rrezikshëm dhe ndjehem mirë që gradualisht po fillojmë të jemi në vijën e parë, apo në ballë të luftës kundër korrupsioni," tha Thaçi.

Anëtarët e Grupi Ndërkombëtar Drejtues, gjatë qëndrimit në Kosovë vizituan komunën e re serbe të Gracanicës e krijuar në bazë të planit të Marti Ahtisarit. Ata i dhanë mbështetje kësaj komune si dhe procesit të decentralizimit në tërësi. Ata thanë se komuna e Gracanicës është model në zbatimin e decentralizimit dhe kërkuan që decentralizimi të zbatohet edhe në veri të Kosovës.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Aida Cama

  • Data 15.06.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/NrB7
  • Data 15.06.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/NrB7