1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Katrougalos: Të printohen para pas fitores në Greqi?

Radikalët e majtë të Syrizës kërkojnë pas zgjedhjeve në Greqi t’i heqin qafe borxhet greke, por nuk duan të dalin nga eurozona. Eurodeputeti Jorgos Katrougalos në intervistë me Deutsche Welle-n shpjegon arsyet pse.

Georgios Katrougalos EU Abgeordneter aus Griechenland

Eurodeputeti i majtë grek Jorgos Katrougalos

Deutsche Welle: Po qe se Syriza fiton zgjedhjet parlamentare në Greqi më 25 janar çfarë do të kërkoni ju nga Bashkimi Europian?

Katrougalos: Duhet bërë dallimi se çfarë bëjmë në terrenin e brendshëm dhe për çfarë do të bisedojmë me partnerët europianë. Në politikën e brendshme ne duam t'i japim fund politikës së ashpër të kursimeve me pasoja të rënda për shoqërinë. Psh: Një e pesta e familjeve greke nuk mund të paguajnë energjinë elektrike në mesin e një dimri të ftohtë. Ne duam t'i lidhim ato sërish me rrjetin. Edhe reformat në tregun e punës ne duam t'i kthejmë në gjendjen e para politikës së kursimeve. Sot barra e borxheve është më e rëndë se para futjes në veprim të mekanizmit të shpëtimit. Ne besojmë se borxhet tona kanë të bëjnë me të gjithë Europën, jo vetëm me Greqinë.

Mendoni se Greqia e ka të nevojshme faljen e borxheve apo të një pjese të tyre?

Katrougalos: Siç e thashë para „shpëtimit“ niveli i borxhit kapte 128% të kapacitetit ekonomik të Greqisë. Atëherë u tha që kjo gjendje është e patolerueshme. Sot niveli i borxhit është më i lartë, 178%. Si mund të dalim nga kjo gjendje? Mendoj se është shumë e nevojshme që të bëjmë një konferencë ndërkombëtare për borxhet , si në vitin 1953 në Londër (kur u bë rregullimi i borxheve gjermane, shën.red.) Këtë ne e propozojmë, sepse besojmë se nuk është mirë për unitetin brenda BE-së, kur ai përbëhet nga kreditorë dhe debitorë. Ne duam të gjejmë një zgjidhje që nuk e rëndon taksapaguesin. Borxhet në një farë mënyre do të shpërndaheshin tek të gjithë përmes Bankës Qendrore Europiane.

Ju thoni taksapaguesi nuk duhet të rëndohet. Si do të funksionojë kjo? Në rast të një faljeje të borxhit, do të thotë që shtete si Gjermania, Franca, Italia të hiqnin dorë nga kërkesat e tyre?

Katrougalos: Sigurisht është e rëndësishme që taksapaguesit në Gjermani apo vende të tjera të mos kenë ndjesinë se po paguajnë për Greqinë. Duhet të bëhet e qartë se nga masat e shpëtimit kanë përfituar bankat gjermane, franceze dhe zvicerane, sepse ato kishin kohë t'i hiqnin qafe obligacionet greke, të cilat u blenë nga Banka Qendrore Europiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Ajo që propozojmë ne është një “quantative easing” - një politikë jo të shtrënguar monetare nga ana e Bankës Qendrore Europiane. Thënë thjesht duhen prodhuar më shumë para. Ky do të ishte përbashkësim i borxhit. Ndoshta do të pranojmë për këtë edhe një inflacion më të lartë. Por për momentin nuk kemi të bëjmë me inflacionin, por me deflacionin. Për këtë duhet të negociohet. Ne nuk themi se kemi një recetë të thjeshtë. Nuk lutemi për dhurata nga popujt e tjerë. Duam një zgjidhje të drejtë, jo vetëm për ne, por për të gjithë kontinentin.

Të printohen para? Do të jetë kaq e thjeshtë kjo? Pasojat do të ndjeheshin në të gjithë eurozonën?

Katrougalos: Sipas rregullave buxhetore të sotme, nga ana ligjore kjo nuk është e mundur. Ne mendojmë se rregullat e kursimit që iu vunë në kurriz Europës janë kontraproduktive. Krahasojeni me ekonominë e SHBA që ndjek një rrugë tjetër, thënë thjesht, printon bankënota për tregun. Kemi dy rezultate të ndryshme. Ekonomia amerikane rritet me 5% për vit. BE është në stanjacion. Pse nuk veprojmë si amerikanët dhe japonezët. Atje funksionon.

Syriza do të qëndrojë brenda eurozonës apo jo? Ju nuk doni një valutë të re për Greqinë?

Katrougalos: Po kështu është. Ne duam të qëndrojmë në eurozonë dhe BE. Ne duam thjesht të ndryshojmë Europën, nga një Europë neoliberale në një më sociale.

Do të vazhdoni të paguani borxhet nëse fitoni? Po qe se nuk paguani ju dilni jashtë sistemit të Bankës Qendrore Europiane…

Katrougalos: Ne nuk do të ndërmarrim hapa të veçuar. Ne duam të negociojmë për borxhet. Ne duam që edhe ju të merrni paratë tuaja, por jo me mjete brutale, por në mënyrë të drejtë.

Nuk keni frikë se investitorët e huaj do t'i kthejnë kurrizin Greqisë, po qe se situate politike nuk është e stabilizuar?

Katrougalos: Shumica e investitorëve në Greqi sot janë spekulantë. Këto fonde kërkojnë gjithmonë katastrofën. Ne kemi nevojë për investitorë seriozë, që nuk duan të bëjnë vetëm para, por t'i bëjnë mirë edhe ekonomisë greke. Kemi një problem, që sistemi financiar nuk është i imunizuar nga Hedge-fondet, pra nuk i është mbrojtur nga ato spekulime që bien ndesh me interesat e Europës.

Ju doni të negocioni me partnerët europianë. Me ç'mjete do të bëni presion, po qe se kancelarja Merkel apo partnerë të tjerë thonë – ne nuk e duam këtë?

Katrougalos: Kjo është çështja vendimtare. Ne besojmë se mjeti i presionit janë popujt europianë. Kudo në Europë, mendoj po qe hidhni një vështrim tek sistemet politike, ato janë të destabilizuar, me përjashtim të Gjermanisë. Pse? Shoqëritë reagojnë nga kësaj politike të varfërimit. Kjo prek më shumë jugun, ku e majta është forcuar, edhe në Spanjë. Kjo prek shtete si Franca, megjithëse atje është rritur e djathta ekstreme. Mendoj se ka një hendek në rritje mes elitave politike që duan të vazhdojnë politikën e kursimeve, dhe njerëzve që nuk e duan më këtë politikë. Shpresa ime është që një fitore e së majtës në Greqi të sjellë me vete një efekt domino në shtete të tjera, për ta ndryshuar plotësisht gjendjen.

Jorgos Katrougalos është profesor i së Drejtës Ndërkombëtare, nga viti 2014 deputet në Parlamentin Evropian, ku partia Syriza është e përfaqësuar me gjashtë deputetë. Syriza konsiderohet si partia me më shumë shanse për fitore në zgjedhjet e 25 janarit në Greqi.