1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Katastrofa në Haiti dhe angazhimi i Google në Kinë

"Eßlinger Zeitung": Është e qartë që tani se katastrofa e tërmetit në Haiti do të pasohet nga një tragjedi. Këtë herë jo natyrore por nga dora e njeriut.

Njerëzit në Port-au-Prince, Haiti, pas tërmetit.

Pasoja shkatërrimtare.

"Eßlinger Zeitung" shkruan për tërmetin në Haiti: "Në historinë e ndihmës ndërkombëtare në raste katastrofash janë tretur donacione të panumërta, aq më tepër në shtete të izoluara, qeveritë e të cilave e kanë rrënuar me ekonomizim të keq vendin, banorët e të cilave kanë pak arsim, ku nuk i kushtohet kujdes mjedisit, ku nuk ka infrastrukturë dhe kanalet e errëta zëvendësojnë administratën funksionuese, pikërisht si në Haiti. Prandaj fatkeqësisht është e qartë që tani: katastrofën atje do ta pasojë një tragjedi. Por në dallim nga tërmeti, ajo do të jetë e bërë nga njeriu."

Ndërsa "Badische Zeitung" vëren: "Përsëri preku më të varfrit, vendin më të varfër të Amerikës. Shkatërrimi prej tërmetit është i papërfytyrueshëm. Shteti i vogël ka pësuar kolaps. Shteti i varfër i Karaibeve ka tani nevojë për ndihmë ndërkombëtare dhe ajo po niset me shpejtësi rrufe. Kështu duhet të jetë!"

Në lidhje me paralajmërimin e sipërmarrjes Google se mund ti japë fund angazhimit të vet në Kinë gazeta "Frankfurter Allgemeine" komenton: "(...) Natyrisht, tani duhet treguar qëndrim konsekuent. Qeveria amerikane kërkoi me fjalë të qarta një shpjegim të Pekinit për sulmet. Ky, në rast se bëhet, do të jetë për t'u vendosur në kategorinë "pafajësi e fyer". Megjithatë, vërtet interesante do të jetë përgjigjja ndaj pyetjes, me ç'konsekuencë do t'i vërë në jetë Google paralajmërimet e veta. A i bën ballë tani e tutje sipërmarrja kërkesës së tepruar për censurë të autoriteteve kineze? Apo mos i ka shfrytëzuar sulmet vetëm për të përmirësuar para gjithë botës në mënyrë efikase emrin e mirë të dëmtuar në opinion? Edhe sikur Google t'i bëjë të gjitha ato që thotë tani, pasoja mund të jetë një rezultat negativ për sipërmarrjen. Bashkësia e internetit mund të mësonte nga Kina, se si funksionon një jetë pa Google-in."

Autor: dpa / Elert Ajazaj

Redaktoi: Eliana Xhani

  • Data 14.01.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/LVTz
  • Data 14.01.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/LVTz