1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Katari investon 1.2 miliardë euro në minierat greke të arit

Sipas marëveshjes së nënshkruar mbremë në Athinë në praninë e kryeministrit grek Papandreu dhe emirit të Katarit Al Than në minierat e arit grek do të investohen 1.2 miliardë euro dhe do të hapen 1.500 vende pune.

Kryeministri grek Jorgos Papandreu

Kryeministri grek Jorgos Papandreu

Në prani të kryeministrit grek, Jorgos Papandreu dhe emirit të Katarit, Hamad Bin Khalifa Al Than  u nënshkrua mbrëmë (01.10) marrëveshja për hyrjen e kapitaleve investuese të shtetit arab në kompaninë greke “Ari grek”, që shfrytëzon minierat e arit të Kalkidikisë në Greqinë Verilindore. Investimi do të arrijë në 1.2 miliardë euro dhe do të hapen të pakten rreth 1.500 vende pune.

Më parë Qatar Holdings përftoi 10% të aksioneve të një kompanie greke në Europen Goldfields, e cila ka në zotërim 95 % të aksioneve të firmës “Ari grek”, që nga ana e saj në verë u licensua prej shtetit grek për nxjerrjen e arit në Kalkidiki.

Marrëveshja - mesazh besimi

“Sot vërtetohet në praktikë se sa e rëndësishme është të kompletohen në vendin tonë të gjitha reformat e nevojshme,” deklaroi kryeministri grek Jorgos Papandreu pas nënshkrimit të marrëveshjes, të cilën e cilësoi si një mesazh “besimi ndaj komunitetit ndërkombëtar për shanset investuese”, që ofron vendi i tij. Marrëveshja arrihet një vit pas nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit Ekonomik  në shtator të vitit 2010 në Uashington nga Papandreu dhe Al Than.

Emiri tha se vendi i tij i vogël “nuk ka axhendë politike” në investimet e tij në Greqi, që drejtohen në fushat e energjisë, pasurive minerale dhe turizmit. Një investim i madh në fushën e turizmit, që thuhet se do të arrijë në 10 miliardë euro në hapësirën e aeroportit të vjetër të Athinës mbetet i hapur. Ndërkohë muajin e kaluar rreth 500 milionë euro të tjera prej Katarit u investuan për bashkimin e bankave greke Eurobank dhe Alpha.


Autor: Niko Anagnosti/ Athinë

Redaktoi: Auron Dodi