1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Katalogu me dhjetë pika: „Nuk jemi burka“

Ministri i Brendshëm gjerman, Thomas de Maizière ka paraqitur një katalog me dhjetë pika për kulturën gjermane si kulturë orientuese në Gjermani. Kush nuk e njeh apo e refuzon atë, ka pak shanse integrimi, thotë ai.

„Dua që me disa teza të ftoj për një debat për kulturën orientuese në Gjermani”, shkruan Thomas de Maizière në një artikull, si i ftuar nga gazeta "Bild am Sonntag". De Maizière rendit dhjetë pika, që sipas tij janë pjesë e kulturës orientuese gjermane, si për shembull disa zakone shoqërore: Në Gjermani jepet dora për t'u përshëndetur, tregohet fytyra dhe përmendet emri. „Ne nuk jemi burka", thekson politikani i CDU-së.

Tek kultura orientuese gjermane bën pjesë edhe shkollimi i përgjithshëm, vullneti për të arritur diçka në jetë, trashëgimia e historisë gjermane, me marrëdhënien e veçantë me Izraelin, dhe pasuria kulturore. Kush është i sigurtë për kulturën e tij, ndjehet i fortë, thotë ministri. Por mbi të gjitha qëndron respektimi i dinjitetit njerëzor.

Feja „si stuko e shoqërisë"

„Vendi ynë është i përcaktuar nga krishtërimi. Ne jetojmë në një paqe fetare. Baza për këtë është kushti i patjetërsueshëm i ligjit mbi të gjitha rregullat fetare në bashkëjetesën shtetërore dhe shoqërore”, shkruan ministri gjerman.

Feja është në vendin tonë "stuko e shoqërisë”, thotë de Maizière, vetë protestant besimtar. Për këtë „angazhohen në shoqëri në mënyrë të palodhshe kishat.”

Politikani kristiandemokrat shikon edhe „një patriotizëm të emancipuar" si pjesë e kulturës orientuese gjermane. Një patriot i tillë e do vendin e tij, pa urryer të tjerët. Edhe orientimi perëndimor i Gjermanisë, lidhja me Europën dhe një kujtesa e përbashkët kolektive për ngjarje, histori e tradita janë pjesë e kulturës orientuese gjermane. Ministri i Brendshëm gjerman nuk i pranoi kritikat ndaj konceptit të kulturës orientuese. Fuqia dhe siguria e brendshme në kulturën tënde të bën tolerant ndaj të tjerëve, shkruan ai.

"Dora e zgjatur"

Të gjithë atyre që vijnë në këtë vend dhe u lejohet të qëndrojnë „ne u zgjasim dorën", siguron ministri i Brendshëm. Por kush nuk e njeh këtë kulturë orientuese, nuk do ta njohë, ose madje e refuzon atë, ai „ka pak shanse për integrimin. Sepse ata nuk do të ndjehen pjesë e kësaj shoqërie, pa njohur dhe pa respektuar kulturën tonë orientuese."