1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Katër frikërat e Vuçiqit

Aleksandar Vuçiqi do të zgjidhet president të dielën. Më parë ai ndërtoi një strategji parazgjedhore, të bazuar në përhapjen e frikës në disa forma, mendon Dragoslav Dedoviq.

Së pari, ai përhapi frikë tek ajo pjesë e popullit serb, e traumatizuar nga ndryshimet e 5 Tetorit të vitit 2000, sepse ka mbetur pa privilegjet nga koha e regjimit të Millosheviqit. Edhe Vuçiqi ka përjetuar këto trauma, ndaj vet emrin DOS (Demokratski Pokret - Lëvizja Demokratike, e cila e ka rrëzuar Millosheviqin nga pushteti me 5. tetor 2000) e përmend me përbuzje. Por ky numër i personave të traumatizuar nga ajo kohë është shtuar si pasojë e tranzicionit në Serbi, e cila pas vrasjes së Gjingjiqit u dominua nga Koshtunica apo manekinët proevropianë në kohën e Tadiqit.

Sinteza e personave të traumatizuar nga të dy blloqet shpjegon suksesin e Vuçiqit. Kandidatët e tjerë Vuk Jeremiq, Preletaçeviq, Sheshel dhe Jankoviq nuk kanë ndonjë të përbashkët lidhur me traumat e kaluara. Ndërsa Vuçiqi garanton se traumat e së kaluarës nuk do të përsëriten. Ndonëse aktualisht edhe nuk ka ndonjë mundësi që këto trauma të përsëriten, pasi ai mban pushtetin absolut.

Frika e dytë mbi të cilën Vuçiqi e projekton Serbinë është se mund të ndodhë ndonjë skenar si në Ukrainë apo Maqedoni. Vuçiqi ka krijuar një psikozë, se atë duan ta rrëzojnë nga pushteti demonët e ndryshëm, sipas ndonjë skenari të jashtëm. Në këtë mënyrë shpjegohet edhe frika për spiunimet apo komplotet e huaja kundër Serbisë. Kryeministri grindet me "ambasadorë", apo me "ata", siç thotë. Kjo frikë mbillet tek personat që kundërshtojnë Perëndimin dhe "kaosin" që mund të shkaktohet. Ndërsa Vuçiqi e paraqet veten si luftëtar kundër kaosit dhe kuçedrave që duan të përpijnw Serbinë. Ai e paraqet veten si stabilizatorin suprem.

Frika e tretë është implementuar në ideologjinë e vet Vuçiqit, e ajo është vetëmohimi i tij. Vuçiqi tërë kohën ankohet se ai është viktimë. Ai thotë se po lufton i vetëm kundër 10 të tjerëve, se po lufton i vetëm kundër të gjithëve... si një kauboj i vetmuar që kalëron dhe lufton kundër të gjithëve. Kjo paraqitje e tij heroike, është plotësisht e pakuptimtë. Vuçiqi është kandidat i koalicionit në pushtet, që në zgjedhjet e kaluara ka fituar rreth 60% të votave. Ndaj pohimet e tij se po lufton vetë kundër të gjithëve janë të pakuptimta. Por me rolin e viktimës mund të identifikohen shumë në Serbi, ndonëse shumëkush është viktimë pikërisht e ideologjisë neoliberale të Vuçiqit.

Vuçiqi prodhon mentalitetin e stresit, ndaj edhe kemi zgjedhje që po mbahen çdo dy vite. Në kushte normale, politikanë të tillë konsiderohen histerikë dhe egomanë. Për këtë arsye krijohen gjithmonë kushte të jashtëzakonshme, ku kundërshtarët shpallen armiq, ndërsa gazetarët kritikë shpallen gënjeshtarë. Vuçiqi paraqitet si shpëtimtar kundër shtrigave, gënjeshtarëve dhe armiqve.

Frika e katërt, me të cilën manipulon Vuçiqi, është frika për vendin e punës. Partia e tij kërkon nga njerëzit që të japin dëshmi se kanë votuar për kandidatin e tyre AV. Ndaj atyre që mendohen ushtrohet presion. Por pasi AV nuk mund t'i realizojë të gjitha vet, atë e ndihmojnë bashkëpunëtorët, sikur Ivica Daçiqi. Të dy politikanët i lidh e kaluara, sepse Daçiqi ka qenë edhe më afër epiqendrës së makinerisë së dhunshme të Millosheviqit, në kohën kur Vuçiqi ishte një çetnik-fillestar. Edhe Daçiqi ka kërcënuar me fjalët se "Serbia nuk duhet të lejojë që të fitojnë resat e DOS-it". Pra të dy ata përdorin kërcënime të njëjta, sepse të dy kanë qenë viktimë e ndryshimeve demokratike në kohën e DOS-it, në vitin 2000. Me dallim që resa e dikurshme e Millosheviqit Ivica Daçiq, më pas u shndërrua në resë të Tadiqit.

Nëse Vuçiqi në ndonjë moment mendon se do ta ketë përgjithmonë mbështetjen e Daçiqit, gabon rëndë, sepse ai i ka mbijetuar disa sundues serb, të cilët kanë menduar se do të mbetet përjetësisht në pushtet. Por AV duhet ta dijë se manipulimi i përhershëm me frikën e njerëzve mund të prodhojë vetëm sundimin e frikës. E zakonisht me fund jo të mirë si për popullin ashtu edhe për sunduesin.