1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: Ivanoviq kandidon për kryetar komune

Bekim Shehu30 Janar 2014

Nisma Qytetare Serbe kandidoi politikanin lokal serb Oliver Ivanoviq për kryetar komune në veriun e Mitrovicës, edhe pse ai ndodhet në paraburgim i dyshuar për krime lufte.

https://p.dw.com/p/1AzQa
Oliver IvanoviqFotografi: Bojan Slavkovic

Dy shqiptarë dhe dy serbë nga gjithësej katër subjekte politike do të garojnë për kryetar të komunës së veriut të Mitrovicës në zgjedhjet e përsëritura që do ta mbahen me 23 shkurt, njoftojnë zyrtarë të KQZ. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, afati i fundit për paraqitjen e kandidaturave ishte deri të mërkurën në mbrëmje me datën 29.01. Me kandidatët e tyre për kryetar të komunës së veriut të Mitrovicës, kandidojnë, Lidhja Demokratike e Kosovës, (LDK), Partia Demokratike e Kosovës, (PDK) dhe dy subjekte politike serbe. Lista serbe, e mbështetur nga qeveria e Beogradit, kandidoi, Goran Radicin dhe jo Kërstimir Pantiqin, siç ishte paralajmëruar më herët.

Zgjedhjet në veri të Mitrovicës, përsëriten pikërisht për shkak se kryetari i zgjedhur ne zgjedhjet e vitit të shkuar, Kërstimir Pantiq, nuk pranoi të jap betimin nën rregullat dhe ligjet e Republikës së Kosovës.Ndërsa, Nisma Qytetare Serbe, (SPD), kandidoi Oliver Ivanoviqin edhe pse ky i fundit ndodhet në paraburgim i dyshuar për krime lufte. Kandidimi i Ivanoviqit, u bë në momentet e fundit, pak para skadimit të afatit për paraqitjen e kandidaturave.

Nisma qytetare që udhëhiqet nga Ivanoviq, në një deklaratë për media thekson se “kandidimi i Ivanoviqit, është dëshmi se ai është i pafajshëm dhe se mosvënia e kandidaturës do të nënkuptonte se ai ka frikë nga akuzat e pabaza dhe të turpshme”. Ky subjekt politik madje thotë se “mbajtja në paraburgim i Ivanoviqit ka prapavijë politike”. Misioni EULEX, ndëkohë i hodhi poshtë këto pretendime. Shefi i Prokurorisë speciale, Jonathan Ratel, tha në një komunikatë për media se “arrestimi i Ivanoviqit, është bërë pas një pune njëvjeçare të prokurorëve të misionit EULEX”.

Eulex Logo

Prokuroria e posaçme nuk pranon udhëzime politike. Udhëzimi i saj i vetëm vjen nga ligji. Ligji është besnikëria e parë dhe e vetme, ndërsa Prokuroria e posaçme do të vazhdojë me ndjekje penale për vepra të rënda, krime të luftës, krim të organizuar dhe korrupsion. Prokurorët janë këtu për ta respektuar dhe zbatuar ligjin dhe t'i kryejnë detyrat e tyre në mënyrë të paanshme, të pavarur dhe me integritet. Kjo nuk do të ndryshojë”, thuhet në komunikatën për media të shefit të Prokurorisë së Speciale, Jonathan Ratel. Zgjedhjet e përsëritura për kryetar të komunës së veriut të Mitrovicës mbahen me datën 23 shkurt.