1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Karuseli i kandidatëve për Papë

Kush do ta pasojë Papën Benedikti i XVI? Po kërkohen kandidatë. Një gjë është e qartë: me zgjedhjen e saj konklava do të marrë vendim edhe për kursin e ardhshëm të Kishës Katolike.

Sërish dikush nga Evropa e vjetër? Apo për herë të parë guxim për një Papë nga një tjetër kontinent? Braziliani Scherer, kolumbiani Salazar Gomez apo ganezi Turkson për shembull? Kandidatë të mundshëm ka plot. Në qarqet kishtare dhe të vëzhguesve diskutimi për kandidatin është edhe spekulim për kursin e ardhshëm të Fronit të Shenjtë.

Dëshira kryesore: moshë e re dhe zgjuarsi

Dëshira ka: kështu për shembull kardinali nga Kölni Joachim Meisner, dëshëron një pasues me "shëndet vital". Ky duhet të jetë rreth 70 vjeç, i zgjuar dhe intelektual si Joseph Ratzinger, Benedikti i XVI. Edhe kardinali berlinez Rainer Maria Woelki pozicionohet para punimeve të konklavës: nuk do të ishte keq nëse Papa i ri do të ishte në mes të gjashtëdhjetave ose në fillim të shtatëdhjetave. Ai duhet të ketë një zemër për njerëzit dhe t'i arrijë ata me fjalët e veta.

Arqipeshkvi i kryeqyteti gjerman 56-vjeçar, është një nga më të rinjtë në kolegiumin poliglot të kardinalëve, i cli është mbledhur në Romë për zgjedhjen e Papës së ri. Woelki thotë se nuk do të kishte problem me zgjedhjen e një afrikani apo latino-amerikani. Për të është krejtësisht "e parëndësishme" se nga cili kontinent do të vijë Papa i ri.

Meisner, Woelki dhe kardinalë e ipeshkvë të tjerë, dëshërojnë një Papë më të ri. Dëshira është e kuptueshme: në prill 2005 konklava zgjodhi kardinalin Joseph Ratzinger, tre ditë pas ditëlindjes së tij të 78-të. Në daljen e tij të parë në ballkonin e Katedrales së Pjetrit, bavarezi dukej më i ri. Por tetë vjet më vonë ai e argumenton dorëheqjen me pakësimin e fuqisë për shkak të moshës së thyer.

Grupi italian i fortë

Krahas moshës, predominon edhe një pyetje themelore: a do të arrijë blloku i 28 italianëve në konklavë, ndoshta në aleancë me spanjollët konservatorë dhe disa francezë, të arrijë triumfin e një italiani "nga aparati"? Apo, ashtu si në vitin 1978 me polakun Wojtyla dhe në 2005 me gjermanin Ratzinger, do të zgjidhet përsëri një Papë nga jashtë? A do të jetë përsëri një evropian Papë apo për herë të parë një përfaqësues nga një "kishë e re" në Afrikë, Azi, Amerikë Latine? Edhe nga radhët e tyre vijnë mjaft përfaqësues me arsim, me lidhje të mira dhe poliglotë. Një zgjedhje e tillë do të ishte sensacionale! Nuk duhet harruar se në Evropë, si i vetmi kontinent, numri i besimtarëve ka  mbetur në vend.

Në rrethin e italianëve sytë janë drejtuar tek patriarku i Venecias, pasi në shekullin e 20 tre Papë kanë ardhur nga ky qytet. Arqipeshkvi i tanishëm nuk është as 60 vjeç dhe pra shumë i ri, e madje nuk është as kardinal. Angelo Scola, i cili në 2011 kaloi nga Milano në Venecia, ka moshë më të përshtatshme. Por disa e shohin si me shëndet jo të mirë. Në fokus është edhe Gianfranco Ravasi, "ministri i kulturës" i Papës. Ai ka përvojë në dialogun me jobesimtarët dhe ateistët dhe për shkak të finesës në sjellje dhe formimit krahasohet nganjëherë me Ratzinger-in e ri ose Wojtyla-n. Por megjithë bllokun italian në konklavë, zgjedhja e një italiani nuk është e sigurt. Ipeshkvët e vendit janë të ndarë në kampe të ndryshme.

Emra nga Amerika e Veriut dhe Jugut

Nëse vështrimi do të hidhet përtej kufijve të Evropës, zgjedhja e një amerikani nga SHBA duket pa shumë shanse. Moçali i skandalit të abuzimeve nuk ka qenë në asnjë vend tjetër më i thellë. Ende sot vazhdon puna për zbardhjen dhe përpunimin.

Megjithatë nga Amerika e Veriut vjen një emër shumë premtues, kanadezi Marc Ouellet. 68-vjeçari është prefekt i kongregacionit më të rëndësishëm të Vaktikanit dhe prej vitesh pra ka qenë një "bërës kardinalësh". Kështu ai mund të marrë vota nga hemisfera veriore, e para së gjithash nga vendet anglishtfolëse. Mbështetjen nga Amerika Latine e ka të sigurt.

Katër emra të tjerë vijnë nga katër vende. Vendimi për secilin prej tyre do të ishte një sensacion: këtu bëjnë pjesë braziliani Odilo Pedro Scherer (63), arqipeshkvi i Sao Paulo-s, i cili ka punuar disa vite në Vatikan. Atdheu i tij është prej kohësh një nga vendet më të rëndësishëm "katolikë" në të gjithë botën dhe qendra e teologjisë së çlirimit.

Kolumbiani Ruben Salazar Gomez (70) ka fituar jo pak reputacion vitet e fundit dhe në Bogota ka arritur shumë në lidhjen ndërkishtare të kontinentit amerikano-jugor.

Një afrikan në Fronin e Shenjtë?

Kardinali i kuries Peter Kodwo Appiah Turkson (64) nga Ghana, si president i Këshillit Papnor ka reputacion si njeri i drejtësisë dhe paqes dhe gëzon simpati. Ai merr përsipër edhe misione delikate. Turkson është i vetmi kandidat që ia vlen të përmendet nga Afrika.

Vendimi për dorëheqje i Benediktit XVI, ndryshe nga vdekja e një Pape, lë më shumë kohë për spekulime dhe krijim kampesh. Një pasojë është pasiguria në të gjitha anët. Hapi i Benediktit tregoi qartë madhështinë e frikshme të postit, detyrës dhe pretendimeve. Pas largimit të Benediktit ndoshta në fillim të punimeve të konklavës, nuk ka një favorit të qartë, por vlen thënia romane "kush futet si Papë del si kardinal".

Autor: Christoph Strack/ Eliana Xhani

Redaktoi: Auron Dodi