1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

201108 EU Blue Card

Martin Durm20 Nëntor 2008

Parlamenti Evropian miraton të mërkurën të ashtuquajturën "Karta blu". Ajo do të lehtësojë futjen në territorin e BE-së të ekspertëve. Korniza ligjore pritet të hartohet brenda dy vitesh.

https://p.dw.com/p/Fybn
Karta blu do t'i bëjë konkurencë "Green Card"- amerikanFotografi: chromorange

Duket se shumica e deputetëve të BE me padurim e pret ardhjen e "Kartës blu". „Fjala është për çëshje kulturore, të jem i hapur, fjala është për emigracionin. Ne duam që ata të vijnë, më mirë sot se nesër", thotë eurodeputeti Manfred Weber. Weber është deputet i Partisë kristiansociale, CSU, e cila nuk i përket grupit të atyre që patjetër angazhohen për një shoqëri multikulturore, por në Strasburg çështja e migracionit ka dimenzione evropiane. „Së pari, në Evropë duhet të kemi kritere të unifikuara për ardhjen e të huajve, që është një prej vlerave të vërteta evropiane.“

Ausländer und Deutsche in der Wirtschaft
Një punonjës gjerman i firmës SENTECH i sqaron një punonjësi nga India procedurat e punësFotografi: dpa Zentralbild

Evropa ka nevojë për fuqi punëtore

Vlerësohet se në 20 vitet e ardhshme, Evropa do të ketë nevojë për rreth 20 milionë punëtorë me kualifikim të larta. Në Bruksel dhe Strasburg thuhet se zgjidhja më e mirë është që ardhja e fuqisë punëtore nga vendet e treta të bëhet në mënyrë të koordinuar. Europarlamentarët dhe qeveritë e 27 vendeve anëtare të BE, pas negociatave të gjata më në fund kanë rënë dakord për miratimin e një karte blu, e cila do të futet në fuqi brenda dy vitesh.

Deputeti socialdemokrat Volfgang Kreisl-Dëfler (Wolfgang Kreissl-Dörfler), mendon se të gjithë do të përfitojnë: „Sipërmarrjet që kanë nevojë, kuadrot me kualifikime të larta mund t'i marrin nga vendet e treta. Kuadrot që vijnë në Evropë, mund të përfitojnë vende adekuate të punës, ndërkohë që lehtësimi i regjimit të vizave do t'u mundësonte lëvizje më të lehta dhe kthimin në vendlindje, për të ndihmuar ekonominë dhe shkencën e atjeshme. Unë e shoh këtë si një përfitim të trefishtë."

Europäisches Parlament in Straßbourg
Parlamenti Evropian, StrasburgFotografi: EU

Cili autoritet do ta lëshojë kartën blu?

Deri tani nuk është e qartë se cilat autoritete do ta japin "Karta blu", por është e sigurt se kjo është në interesin e Evropës. Ajo do të jetë një lloj leje qëndrimi dhe pune, që do të jepet për tri vite dhe dhe mund të vazhdohet për dy vite të tjera.

Inxhinierët nga Sri Lanka, Indonezia apo vendet tjera duhet të marrin një rrogë që është shumë më e lartë se në vendet nga vijnë. Por për lartësinë e rrogave duhet të vendosin shtetet anëtare të BE. BE beson se me këto rregulla do t'u përgjigjet edhe kërkesave të Qeverisë gjermane, e cila nuk ishte tepër e kënaqur me planet për futjen e "Kartës blu". Por edhe Gjermania ka pranuar futjen e saj, e cila konsiderohet si punë e kryer. Në dhjetor pritet që "Kartës blu", t'i jap dritën jeshile edhe Këshilli i Ministrave, ndërsa brenda dy vitesh do të krijohet korniza ligjore për aplikimin e saj.

Kaloje seksionin tjetër Zbulo më shumë