1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Karsten Voigt: "Interesantja është ajo që nuk e thotë Putini"

Ish- eksperti për politikën e jashtme i SPD, Karsten Voigt i konfirmon DW deklaratat e kolegut të partisë së tij, Egon Bahr, të bëra në Moskë më 1990, që i citon në intervistë për "BILD" Presidenti i Rusisë, Putin.

Deutsche Welle: Në një intervistë të gazetës BILD, Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin citon nga biseda të papublikuara deri tani të politikanëve evropianoperëndimorë me përfaqësues sovjetikë në fillim të vitit 1990. Kolegu juaj i SPD, Egon Bahr u shpreh atëherë për një Bashkim të ri në Evropën Qendrore, ku të bënin pjesë BRSS dhe SHBA. Ai është shprehur edhe kundër zgjerimit të NATO-s. Sipas Putinit, kjo bisedë është zhvilluar në 27 shkurt 1990, në të cilën Egon Bahri dhe ju keni folur me përfaqësuesin e KQ, Valentin Falin. A është e saktë kjo?

Karsten Voigt: Putini e cilëson saktë këtë bisedë. Atëherë, Egon Bahr ka qenë kundër anëtarësimit të një Gjermanie të bashkuar si anëtare e plotë në NATO. Unë kam pasur mendim tjetër dhe e kundërshtova atëherë. Interesantja është ajo që Putini nuk e përmend. Në 27 dhe 28 shkurt 1990, në Moskë u zhvilluan jo vetëm bisedime me Falinin, i cili mbështeti mendimin e Bahr-it, por edhe me ministrin e Jashtëm sovjetik, Shevarnaze, anëtarin e Byrosë Politike përgjegjës për politikën ndërkombëtare, Aleksander Jakovlev dhe marshallin e Bashkimit Sovjetik, Ahromejev. Në të gjitha këto biseda Bahr i prezantoi gjithashtu përfytyrimet e tij. Interesantja është, se asnjëri nga partnerët sovjetikë në bisedime, me përjashtim të Falinit, nuk i kushtoi vëmendje këtij propozimi të Egon Bahri-t. Për mua, atëherë ky qe një sinjal se në udhëheqjen sovjetike nuk kishte ndonjë pozicionim të pakapërcyeshëm kundër një anëtarësimi të Gjermanisë së bashkuar në NATO.

Ju thatë se e kundërshtuat Egon Bahr-in në bisedë me Falinin dhe se deri sot me sa duket mendoni se ishte e drejtë, që NATO të zgjerohet në Lindje?

Këto janë dy tema të ndryshme. Njësoj si Egon Bahr, menjëherë pas rënies së Murit të Berlinit (09 nëntor 1989) unë nuk e konsiderova të mundur se BE do të shprehej dakord me një anëtarësim në NATO të një Gjermanie të bashkuar. Kështu mendoja deri në fund të janarit 1990. Atëherë zhvillova disa bisedime me përfaqësues sovjetikë dhe amerikanë dhe arrita në pikëpamjen se një anëtarësim i Gjermanisë së ribashkuar në NATO ishte i mundur dhe me vend. Zgjerimi i NATO-s në Lindje është temë tjetër. Unë kam qenë pro kësaj, megjithatë në bashkëpunim të ngushtë me BE dhe më vonë me Rusinë.

Moska ndihet e provokuar nga zgjerimi i NATO-s në Lindje. A e konsideroni tani të drejtë pranimin e Polonisë dhe të vendeve të tjera në NATO?

Po, unë jam i mendimit se kjo politikë ka qenë me vend, se ajo kontribuon në stabilitetin e Evropës. Po dua të fiksoj njëkohësisht se kjo politikë kontribuon për stabilitet, kur njëkohësisht arrin të krijojë një raport bashkëpunimi me Rusinë - për aq sa kjo është e mundur sot për shkak të politikës së sotme ruse. Politika e jashtme aktuale ruse e vështirëson jashtëzakonisht një politikë bashkëpunimi, po kjo nuk do të thotë se nuk duhen bërë përpjekje.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, thotë herë pas here, se vendi i tij është kundër një bote monopolare, të drejtuar nga SHBA. Rusia dëshiron një rend të ri botëror. Si e vlerësoni këtë?

Unë nuk besoj se bota është monopolare. SHBA është sot, shumë më tepër se në dekadat e shkuara e varur nga partnerët. Problemi për Rusinë është se shumica e fqinjëve të saj evropianë, para së gjithash të fqinjëve të saj të vegjël perëndimorë, prej frikës nga politika ruse kërkojnë gjithnjë e më tepër strehim te BE, te NATO dhe te SHBA. Përpjekja e tyre për mbrojtje prej Perëndimit nuk është rezultat i një komploti amerikan të drejtuar kundër Rusisë. Përpjekja e tyre për të shkuar drejt Perëndimit është më tepër se një reagim nga politikës ruse. Shqetësimet e kuptueshme të fqinjëve perëndimorë të Rusisë dhe fqinjëve tanë lindorë rëndojnë e vështirësojnë edhe politikën tonë ndaj Rusisë.

A besoni se ndërkohë është kapërcyer niveli më i ulët i marrëdhënieve gjermano-ruse?

Këtë mund ta shpresosh, po nuk jam ende i sigurt. Ka njëfarë stabilizimi, po shumë probleme vazhdojnë të jenë të pazgjidhura: kështu për shembull gjendja në Ukrainën Lindore. Putini thotë në intervistë me BILD se problemet në Ukrainë nuk janë zgjidhur deri tani, sepse Ukraina nuk i ka plotësuar të gjitha kushtet e Minskut. Kurse unë jam i mendimit të qeverisë gjermane që i shikon shkaqet për vështirësitë para së gjithash te separatistët. Veç kësaj, për mendimin tim, udhëheqja ruse nuk ushtron ndikim të mjaftueshëm te separatistët.