1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Karlsruhe verifikon rolin e Bankës Qendrore Evropiane

Bota e financavei ka hedhur sytë sërish nga Gjykata Kushtetuese Gjermane. Gjykatësit do të shqyrtojnë para së gjithash rolin e Bankës Qendrore Evropiane. Një vendim pritet në vjeshtë.

Ishte aktpadija më e madhe e paraqitur ndonjëherë në historinë e Republikës Federale Gjermane. Padisë së paraqitur kundër Fondit të Përhershëm të Shpëtimit të Euros, ESM nga disa profesorë dhe deputetë iu bashkangjitën vitin e kaluar 37.000 qytetarë. Vërtet që gjykata më e lartë gjermane i dha me procedurë të përshpejtuar dritë të gjelbër ESM, por nuk e fshehu dyshimin e saj për kursin e Bankës Qendrore Evropiane, BQE. Në seancën kryesore, e cila fillon më 11 qershor me një dëgjim të fakteve, gjykata do të shqyrtojë nëse BQE i ka kapërcyer kompetencat e saj në rastin e shpëtimit të euros.

Dueli midis Bankës Federale gjermane dhe BQE

Për këtë, Banka Federale, pra Banka Qendrore e Gjermanisë dhe BQE kanë këmbyer tashmë replika përmes ekspertizave. Banka Qendrore e Gjermanisë ka rezerva para së gjithash me të ashtuquajturin program OMT të BQE, për të cilin u mor vendimi në shtator të vitit të kaluar dhe me të cilin në rast nevoje mund të blihen nga BQE në një sasi të pakufizuar hua të marra nga shtetet në krizë. BQE pra kërkon në mënyrë të qëllimshme "hua me kredibilitet të keq", duke e rritur kështu rrezikun, shkruajnë bankierët e Bankës Qendrore gjermane. Me këtë veprim, BQE e ka braktisur përfundimisht mandatin e saj për stabilitetin e monedhës, mendon pala e akuzës. Banka Qendrore e Gjermanisë argumenton se detyrë e Bankës Qendrore Evropiane është që të garantojë stabilizimin e monedhës, jo stabilizimin e eurozonës.

Në bazë të marrëveshjes së BE, Banka Qendrore Evropiane nuk ka të drejtë të blejë direkt borxhe të shteteve të eurozonës, duke financuar në këtë mënyrë shtetet. Por që prej shpërthimi të krizës, BQE ka blerë hua të shteteve në vështirësi në një vëllim prej 200 miliardë eurosh.

Financim i shteteve përmes një dere të pasme?

Gjykatësit kushtetues gjermanë konstatuan që në procedurën e përshpejtuar se blerja në tregun financiar, që në thelb është financim i shteteve përmes një dere të pasme nga BQE, shkel të drejtën evropiane. Juristi Henning Vöpel nga Instituti i Ekonomisë Botërore i Hamburgut, megjithatë këtu nuk sheh financim të fshehur të shteteve, sepse "në lojë ishte monedha dhe stabiliteti i tregut financiar. Në këtë kontekst ndërhyrja e BQE ishte e drejtë."

Një vendim me forcë shpërthyese

Mbetet të shihet nëse gjykata më e lartë gjermane do të besojë më tepër Bankën Qendrore gjermane apo ruajtësit e monedhës evropiane. Vërtet që Gjykata Kushtetuese ka bërë të ditur se pozicionimi i Bankës Qendrore është njëri prej shumë mendimeve të ekspertëve, të cilin gjykata e merr parasysh për të marrë vendimin e saj. Juristi Hennig Vöpel megjithatë beson se ekspertizës së Bankës Qendrore Gjermane do t'i kushtohet një vëmendje e veçantë: "meqenëse BQE është krijuar në parim sipas modelit të Bankës Qendrore Gjermane dhe Gjermania është ekonomia më e madhe popullore e Eurozonës."

Por çfarë do të ndodhte, sikur gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese gjermane të vendosin sipas mendimit të kritikëve të BQE? "Atëherë do të krijohej një situatë krejt e re dhe nuk mund të përjashtosh që do të shkaktohen turbullira, të cilat mund t'i detyrojnë vende të caktuara të dalin nga Eurozona", thotë ekomonisti nga Tübingeni, Joachim Starbatty. Për të kjo nuk do të ishte fundosja e Evropës, por një fillim i ri.