1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Karaxhiçi shpreson për dokumente që e shfajësojnë - Disa vende marrin thirrje për t'u paraqitur në Tribunalin e Hagës

Me kërkesë të të paditurit Karaxhiç para tribunalit për Jugosllavinë duhet të paraqiten përfaqësues të disa vendeve, ndër ta dhe të Gjermanisë. Karaxhiç shpreson që me këtë rast të zbulohen dokumente shfajësuese për të.

Ish-kreu i serbëve të Bosnjës Radovan Karaxhiç në sallën e Gjykatës Ndërkombëtare në Hagë

Ish-kreu i serbëve të Bosnjës Radovan Karaxhiç në sallën e Gjykatës Ndërkombëtare në Hagë

Në sallën 3 të Gjykatës Ndërkombëtare në Hagë gjendja mund të bëhet paksa e parehatshme për përfaqësuesit e gjashtë shteteve. Ata duhet të dëshmojnë para Tribunalit për Jugosllavinë, sepse këtë e ka kërkuar ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjës Radovan Karaxhiç, i akuzuar atje për vrasje në masë. Është hera e parë në historinë e Tribunalit që gjykata kapërceu vetveten për një masë të tillë.

Me sa duket ajo nuk pati zgjidhje tjetër, siç shpjegon Christoph Safferling, profesor për të drejtën ndërkombëtare dhe ndërkombëtare penale në Universitetin e Marburgut: "Së paku kërkesa e Karaxhiçit duhet të jetë e rëndësishme për vendimin, në mënyrë që një gjykatës të veprojë dhe të thotë: Ne duhet t'i sjellim këtu këto prova dhe të shohim nëse në to nuk gjejmë vërtet material shfajësues."

Se sa bindëse duhet të ketë qenë kërkesa e Radovan Karaxhiçit këtë e tregon masa e gjykatës. Ajo i ka thirrur gjashtë vendet me " subpoena order" siç thuhet në anglishten juridike. Do të thotë: Një vend që refuzon të paraqitet, mund të dënohet me masa detyruese të Kombeve të Bashkuara.

Skelete nga masakra e Srebrenicës

Skelete nga masakra e Srebrenicës

Megjithatë, Karaxhiçit, i cili po përgjigjet para gjykatës për masakrën e Srebrenicës dhe për rrethimin e Sarajevës, nuk i interesojnë aq shumë fjalët e përfaqësuesve të këtyre vendeve.

Karaxhiçi do më tepër që këta të dërgojnë dosjet dhe siç sqaron Christoph Safferling me një synim: "Sigurisht që është fjala për rrethana që duhet ta shfajësojnë. Me sa di unë është fjala për livrime armësh gjatë kohës së luftës së Bosnjës, ku kanë qenë të përfshira shumë vende, dhe Karaxhiçi pretendon se këto vende kanë informacione, që mund të forcojnë mbrojtjen e tij."

Pikërisht livrimet e armëve dhe dijenia për to duhet pra të shfajësojnë Karaxhiçin. Gjashtë vende, ndër to vende aq të ndryshme si Gjermania dhe Holanda nga njëra anë, dhe Irani nga ana tjetër, duhet të paraqiten, por ato nuk duhet të zbulojnë gjithçka.

Kërkesa e Karaxhiçit duhet të jetë e rëndësishme për vendimin e Tribunalit të Hagës

Kërkesa e Karaxhiçit duhet të jetë e rëndësishme për vendimin e Tribunalit të Hagës

Ka kufij, që Christoph Safferling i përcakton kështu: "Natyrisht që ka shkallë të ndryshme të ruajtjes së sekretit, pra si shtet mund të thuash: Unë po i zbuloj në masë të madhe dokumentet e mia, por vetëm për gjykatën, në mënyrë që të paktën gjykatësi të bindet nëse ka material shfajësues në dokumente."

Aq seriozisht sa i merr Gjykata Ndërkombëtare e Hagës deklaratat e vrasësit në masë të supozuar, po aq seriozisht duket se i marrin edhe Ministria gjermane e Drejtësisë dhe ajo e Jashtme. Këtë ato duan ta dokumentojnë edhe kundrejt gjykatës dhe me Thomas Läuferin, ambasadorin gjerman në Hagë, kanë ofruar personin më të përshtatshëm për seancën dëgjimore në Hagë. Läufer ka studiuar dhe ka mbrojtur titulllin doktor në drejtësi dhe ka punuar në katedrën për të drejtë ndërkombëtare në Universitetin e Bonit. Kolegu i tij italian nuk ka nevojë të dëshmojë. I padituri Karaxhiç i ka liruar shprehimisht italianët nga paraqitja në gjyq; por këta edhe kanë dorëzuar tashmë dokumente.

Autor: Jürgen Kleikamp / Elert Ajazaj
Redaktor: Pandeli Pani

  • Data 15.02.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/M1O0
  • Data 15.02.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/M1O0