1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Karanoviq: Askush nuk mund t'i ndalë proceset

Intervistë me aktoren e njohur nga Serbia, Mirjana Karanoviq. Ajo u prezantua me një premierë në Berlinale, por në Serbi Mirjana Karanoviq ka qenë shumë shpesh e sulmuar - edhe për shkak të Kosovës!

DW: Në Berlin jeni prezantuar me filmin „Rekvijem za gospodju J." (Rekuiem për zonjën J.). Kush është kjo zonjë që prezantohet në film?

Mirjana Karanoviq: Kjo është një grua e moshës sime, e cila ka humbur shpresën se gjërat mund të përmirësohen në jetë dhe se prania e saj në këtë botë sjellë vetëm probleme. Ndaj ajo do të largohet disi.

A pasqyron ky lloj depresioni i personazhes suaj në film edhe gjendjen në shoqërinë ku jetoni Ju?

Mendoj se shumë njerëz ndjehen kështu, të dezorientuar... Mendoj se njerëzit kanë humbur ndjenjën e vlerave personale dhe shumë njerëz jetojnë vetëm pse duhet të jetojnë - për shkak të fëmijëve apo njerëzve të tjerë, të cilët në një farë mënyre varen nga ata. Kjo ndjenjë është shumë e afërt me shumë njerëz në vendin tim.

Njerëzit në vendet tona ankohen shumë, por pak prej tyre flasin për depresionin...

Jo, nuk flitet. Ende ekziston një tabu se kjo është një sëmundje psikike dhe nëse je në depresion, atëherë ke sëmundje mendore. Tani po flitet më shumë se më parë. Njerëzit sot megjithatë kërkojnë ndihmë. Por mendoj se të shëndoshit nuk u besojnë të sëmurëve, ndaj shumë shpesh thuhet: hajde ngrihu, të duhet vetëm pak angazhim dhe gjoja krejt do të jetë në rregull.

Bota në të cilën jeton personazhi në këtë film Jelena, është me fabrika të boshatisura, sipërmarrje të shkatërruara, institucione që nuk funksionojnë... Sa përshtatet kjo me vendin tuaj ku jetoni?

Shikoni, unë jetoj në Beograd dhe si në çdo kryeqytet tjetër në hapsirat e ish-Jugosllavisë, mund të gjeni probleme. Në Beograd investohet më së shumti që të duket si duhet, që të mos duket se është shkatërruar... por jashtë Beogradit gjërat duken krejt ndryshe. Njerëzit janë dorëzuar dhe shpresojnë se do të mbijetojnë në qoftë se nuk kundërshtojnë, sikur në ndonjë situatë kur pret që gjërat të rrjedhin pa investuar energji për ndryshimin e gjërave që mund të jenë vendimtare për të ardhmen tënde.

Por ky është një problem serioz...

Natyrisht! Por mendoj se njerëzit e kanë humbur besimin tek institucionet, tek sistemi. Tek ne, por besoj se ky është një lloj trendi edhe në mbarë botën, sepse shpresohet shumë se do të gjendet ndonjë shpëtimtar dhe më shumë i besohet ndonjë individi. Nuk ka institucione, sepse ky person më pas nuk i respekton ato dhe paraqitet si shpëtimtar i popullit. Ka dhe një element fetar këtu, sepse nga ky person pritet që të bëjë mrekulli.

Mirjana Karanovic bei Berlinale 2006 (picture-alliance/dpa)

Ju pesonalisht nuk keni mbështetur këto ide. Keni aktruar edhe në Bosnje, kur nuk ka qenë tepër e popullarizuar. Keni bashkëpunuar edhe me aktorët dhe institucionet e filmit në Kosovë. Për këtë shkak ju kanë quajtur edhe "tradhëtare e popullit". Sa ju ka prekur dhe sa ju prekë ende ky ofendim?

Shumë pak dhe shumë shkurt kam qenë e prekur për këtë shkak. Energjinë dhe mbështetjen gjithmonë e kam kërkuar tek njerëzit që më kanë mbështetur. Dhe gjithmonë jam e bindur se njerëz të këtillë ka mjaft në vendin tim, ndaj nuk ka kurfarë shkaku të punoj diçka që nuk përputhet me botëkuptimet e mija. E dyta, fuqinë dhe mbështetjen gjithmonë e kam kërkuar brenda vetvetes. Por me siguri që shtroni pyetjen: në mos po gaboj vërtetë diçka, pasi që po më sulmojnë? Dhe i thua vetes: duhet të jesh i sinqertë ndaj vetvetes! Shikoni, ne mund të gënjejmë të tjerët, por jo edhe veten. Në fund ti je ai që ulesh vet në dhomë dhe pyet veten: a është kjo ajo që do të bësh? Me rëndësi është që me vetveten të jesh i pastër. Unë kam pasur një situatë të pastër, gjithmonë kam fjetur e qetë. Mendimet dhe ndjenjat e mija në punën time janë më të rëndësishmet për mua, shumë më të rëndësishme se ato çfarë flasin të tjerët. Kjo është për mua një siguri, kështu jam edukuar - që duhet t'i besosh vetes dhe të luftosh për atë që beson. Ndonjëherë duhet të sakrifikosh shumë, por natyrisht që nuk do të sakrifikosh edhe jetën.

A keni pasur frikë ndonjëherë?

Normalisht që po, do të isha e marrë sikur të thosha se nuk kam frikë. Por kurrë nuk kam lejuar që frika të drejtojë jetën apo dhe përcaktimet e mia.

Karrierën e keni nisur në një vend shumë më ta madh se tani, në ish-Jugosllavi, ku tregu filmik ka qenë shumë më i madh. Si i përjetoni sot Zagrebin, Sarajevën., Ljubjanën, Shkupin... si qytete tuajat, si e ndjeni veten kur aktroni atje?

Shumë gjëra kanë ndryshuar. Tani jam e vetëdijshme se ato janë shtete të tjera, por e di që ka edhe shumë gjëra të ngjashme, se ka shumë gjëra të përbashkëta për të gjithë rajonin tonë, që problemet janë të ngjashme në këto vende dhe nëse shikoni titujt e gazetave në këtë vende e shihni që ka shumë gjëra për përputhen.

Mendoni se Serbia sot po shkon në drejtimin e duhur?

E ardhmja më e mirë duhet të vijë ende, progresin dhe ndryshimet nuk mund t'i ndalë askush, kjo është diçka që nuk mund ta ndalë asnjë sistem. Ekzistojnë shtete në këtë botë, të cilat përpiqen që me izolim dhe politikë të egër denimesh t'i ndalin proceset e ndryshimeve dhe influencën e kulturave të tjera. Por të gjitha po shkojnë në drejtimin e ndërlidhjes së botës. Njerëzit sot mund të informohen, interneti ka bërë që sot të mos ndjehesh i vetmuar. Unë mendoj se shumë gjëra të këqija prodhojnë disa të mira, sikur që edhe gjërat e mira prodhojnë të këqija dhe mund të keqpërdoren. Por nuk besoj kurrë që diçka është aq e keqe sa të mos ketë asgjë të mirë, të mos prodhojë reagimin e njerëzve dhe rezistencën e tyre. Nuk ekziston asgjë që është vetëm e mirë apo vetëm e keqe. Asgjë nuk shkon kurrë vetëm në një drejtim.