1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Karakashogllu: "Na duhet një sistem i ri arsimor"

Në Gjermani nxënësit me sfond migracioni braktisin shkollën dy herë më shpesh se ata me origjinë gjermane. Cilat janë shkaqet e mundshme i shpjegon në intervistë me DW studiuesja e integrimit, Yasemin Karakashogllu.

DW: Fëmijtë dhe të rinjtë me sfond migracioni në Gjermani, parë statistikisht kanë shanse shumë më të këqija arsimimi se sa ata me origjinë gjermane. Çfarë shkon keq në sistemin arsimor në Republikën Federale?

Yasemin Karakaşoğlu: Fillimisht duhet të diferencojmë. Shpesh thuhet se nxënëset dhe nxënësit me sfond migracioni janë automatikisht në disavantazh në sistemin arsimor dhe se ky disavantazh ka të bëjë me sfondin e tyre kulturor. Por e saktë është të thuhet se ka grupe të caktuara të cilat janë veçanërisht në disavantazh. Nuk është sfondi i migracionit si i tillë që paraqet problem për të pasur sukses në sistemin arsimor, por fakti që prindërit vijnë nga i ashtuquajturi mjedis larg arsimit dhe nuk janë në gjendje t'i mbështesin fëmijët, ashtu siç pritet nga sistemi.

Cili është atëherë problemi konkret në sistemin gjerman të arsimit, përse ai nuk arrin t'i mbështesë më mirë pikërisht këta fëmijë me këtë sfond specifik social?

[

Yasemin Karakasoglu -studjuese për integrim.

Ne kemi një sistem arsimor shumë selektiv, të gjitha studimet e bëjnë këtë fare të qartë: sistemi arsimor në Gjermani është i padrejtë nga aspekti social, pasi mbështet shumë fort ata tek të cilët kapitali social dhe kulturor është i pranishëm falë familjes. Dhe ata që vërtet kanë nevojë për mbështetjen e shtetit për të shpalosur talentet e tyre, sistemi nuk i mbështet në mënyrë të përshtatshme. Ne selektojmë pas klasës së katërt dhe i ndajmë fëmijët në shkolla të formave të ndryshme. Kjo është tejet ekzotike në plan ndërkombëtar. Pjesa më e madhe e sistemeve arsimore në të gjithë botën njohin vetëm një formë shkolle, në të cilën fëmijët shkojnë së bashku dhe ku diferencohet më pas brenda shkollës.

Cilat masa mund të përmirësonin këtë situatë?

Këto mund të jenë për shembull masa strukturore në shkolla, të cilat krijojnë akses në sistem. Pra përpjekja për ta bërë sa më të hapur rrugën drejt maturës dhe të mos ketë seleksionim që pas klasës së katërt. Gjithashtu duhet mbajtur parasysh që kemi një shoqëri migracioni. Shkolla duhet të ketë në vëmendje formimin gjuhësor. Pra duhet që në strukturat parashkollore dhe në pjesën e kujdestarisë së prindërve të ketë vazhdimisht mbështetje për mësimin e gjuhës. Kështu fëmijët mund të pregatiten mirë për shkollën. Fakti që në shtëpi flitet një gjuhë tjetër nga ajo e shkollës apo e shoqërisë, e bën të domosdoshme mbështetjen për mësimin e gjuhën gjatë gjithës shkollës.

Pra ju jeni kundër masave që kanë në qendër fëmijët me sfond migracioni?

Pikërisht! Kjo është teza që unë mbështes: një hapje ndërkulturore dhe sociale e sistemit, nga e cila përfitojnë të gjithë. I rëndësishëm është megjithatë edhe kualifikimi i mësuesve. Në mënyrë që mësueset dhe mësuesit të mos i shohin këta nxënës si raste të veçanta, të vështira dhe me të cilat duhet të merren në një farë mënyre. Përkundrazi, ata duhet të jenë të ndërgjegjshëm se këto janë raste normale. Në metropolet gjermane madje ata përbëjnë shumicën. Është e rëndësishme që shkolla të riorientohet dhe t'i konsiderojë këta fëmijë si rastin normal dhe jo të hartojë programe speciale si deri tani duke i parë si pakicë.

Ju thoni se shumë gjuhë dhe kultura janë ndërkohë diçka normale. Çfarë potenciali nënkupton ky heterogjenitet për Gjermaninë?

Njohja e disa gjuhëve nga migrantët mbart një potencial të madh, për t'u hapur fëmijëve botë të ndryshme dhe këndvështrime të tjera kulturore. Veç kësaj mund të pasurojmë njëri-tjetrin në aspektin kulturor dhe intelektual. Nëse jemi të zgjuar nuk duhet ta humbasim këtë pasuri kulturore. Ekonomia botërore ndryshon në mënyrë dinamike dhe gjuhë si turqishtja apo të tjera mund të marrin një tjetër rëndësi në këtë proces.

Schüler mit Migrationshintergrund und aus Deutschland

Ju vetë jeni vajza e një gjermaneje dhe një turku dhe kemi ndjekur kryesisht shkollën në Gjermani. Çfarë përjetimesh të veçanta ruani nga ajo kohë?

Mamaja ka qenë gjithnjë shumë e rëndëishme për mua. Ajo është gjermane dhe gjuhën amtare ka gjermanishten dhe ka qenë gjithnjë e pranishme për të më mbështetur dhe stimuluar. Për mua ka qenë e rëndësishme edhe që disa mësuas panë tek unë potencial megjithëse në klasën e tretë ende nuk shkruaja saktë gjermanisht. Me mbështetjen e tyre dhe ndihmë pas shkolle arrita të mësoj relativisht shpejt. Suksesi im në shkollë ishte pra rezultat i sfondit familjar dhe mbështetjes nga mësues të veçantë. Vetë sistemi nuk ishte i tillë që të më mbështeste mua si fëmijë me të tjera parakushte arsimi.

Ju jeni nga profesoret e pakta me sfond migracioni në Gjermani. A besoni se pas 15 vjetësh do të keni më shumë kolege dhe kolegë me histori të ngjashme?

Shihet që tani se numri i atyre që promovojnë është në rritje. Veç kësaj që tani kemi dukshëm më shumë profesore dhe profesorë. Deri vonë unë i njihja me emër të gjithë kolegët me sfond migracioni që punonin nëpër universitete në Gjermani. Tani nuk është më kështu pasi ka shumë të rinj. Unë jam shumë optimiste. Natyrisht ata vazhdojnë të jenë përjashtime por unë nuk i numëroj dot më me gishtat e dy duarve, numri është në rritje.

Yasemin Karakashogllu është profesore për arsim ndërkulturor në Universitetin e Bremenit. Në qershor 2013 kandidati socialdemokrat për kancelar Peer Steinbrück, e mori në ekipin e tij të kompetencës për zgjedhjet parlamentare 2013. Atje ajo është përgjegjëse për politikën e arsimit dhe shkencës. Karakaşoğlu është vajza e një gjermaneje dhe një turku dhe është rritur si në Gjermani ashtu edhe në Turqi.

Intervistoi: Greta Hamann

Redaktoi: Eliana Xhani