1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Kapot dhe "shoqëria e ujqve" në Buchenwald

Buchenwaldi nuk ishte vetëm një nga kampet më të mëdha naziste të përqendrimit. Ai ishte një kamp veçanërisht djallëzor. SS-ët i vinin si mbikqyrës të burgosur të caktuar dhe krijonin me këtë një "shoqëri ujqsh" brutale.

Rreth 21.000 të burgosur numërojnë amerikanët, kur katër javë para fundit të luftës ndeshin me tanket e tyre në Ettersberg pranë Weimar-it në një kamp shumë të veçantë përqendrimi nazist: Buchenwald. Gjithsej, historianët llogarisin 56.000 të vdekur në këtë kamp, në të cilin prej vitit 1937 deri në vitin 1945 u mbajtën të burgosur 266.000 njerëz. 46 hektarë janë përmasat e qendrës së mizorisë, më vonë madje 190 hektarë, një qytet i madh sa Wupertali dhe i rrethuar me tela me gjemba. 748 burra, gra dhe fëmijë do të vdesin edhe pasi amerikanët e vunë nën kontrollin e tyre kampin. Nën sundimin e nazistëve, të burgosurit i pushkatojnë, ata vdesin nga torturat e punës si skllevër ose i vdesin me injeksione. Kjo në një kohë kur Buchenwald-i nuk është një kamp thjesht asgjësimi, si Auschwitz-Birkenau.

70 vjet nga çlirimi i Buchenwaldit

70 vjet nga çlirimi i Buchenwaldit

Ai është para së gjithash kamp pune për industrinë e armatimit, me një strukturë specifike mbikqyrjeje të të burgosurve. Në luftën e përditshme për të mbijetuar, armiku nuk janë vetëm SS-ët, por edhe kapot, të burgosur me të ashtuquajturat detyra funksionale, për shembull në administratë. Një sistem i pabesë brenda shoqërisë së kampit, që mbjell mosbesim, frikë dhe zili. Kufijtë midis viktimave dhe dorasve eleminohen.

Një kamp përqendrimi si pajisje industriale

Kampi i përqendrimit Buchenwald u krijua në vitin 1937. Deri në fund të luftës ai është kampi më i madh i përqendrimit në tokën gjermane. Hebrenjtë, sintët dhe romët i internojnë këtu, por edhe të ashtuquajtur persona "të huaj për komunitetin". Në ta, nazistët përfshijnë homoseksualët, të pastrehët, Ddshmitarët e Jehovas dhe persona me precedent penal. Kundërshtarët politikë të nazistëve, në Buchenwald i shënojnë me ngjyrë të kuqe, kriminelët dallohen nga flamujt e vegjël trekëndësh të gjelbër. Emigrantët mbajnë ngjyrë blu, homoseksualët ngjyrë rozë. Ndryshe nga Auschwitz-Birkenau, Buchenwaldi është që në fillim kamp pune. Këtu prodhohen pajisje armatimi të rëndësishme për luftën. Gati çereku i gjithë mitrolozëve të ushtrisë gjermane prodhohen në Buchenwald. Në një nga kampet e shumta të jashtme, në Dora pranë Nordhausenit, rreth 60.000 të burgosur gërmojnë gropa për të vendosur pajisjet e raketave, të cilat nga Peenemünde në Detin Baltik zhvendosen këtu. Një ndër tre të burgosur e humbet jetën. Por midis tyre ka edhe të privilegjuar.

Kapot: shpëtues apo ndëshkues?

Kur amerikanët arrijnë në prill 1945 në Buchenwald, ata iritohen. Krahas të burgosurve të dobët, me rrobat e tyre me vija të të burgosurit, drejt tyre vijnë edhe banorë të kampit të ushqyer dhe veshur mirë, të cilët nuk bëjnë pjesë te SS-ët. Këta janë të ashtuquajturit kapo. Atyre SS-ët u kanë caktuar detyra të veçanta. Për shembull mbrojtjen e kampit, një lloj policie në kamp. Ata kanë privilegje, marrin më shumë për të ngrënë, mund të lëvizin më lirisht dhe kanë rroba të ngrohta në dimër. Ata kanë autoritet dhe përcaktojnë rregullat e lojës në përditshëmërinë e kampit. Sistemi i kapove është një lloj vetëadministrimi.

Me strukturën e kapove, SS-ët ndiqnin një strategji të dyfishtë: nga njëra anë ata kursenin burimet e tyre, në kampin gjigand me së fundi 130 degë. Nga ana tjetër, me hierarkizimin ata fusnin një pykë në shoqërinë e kampit. Kapot mund të asgjësonin jetë në kamp, por edhe mund të shpëtonin jetë. Ata mund të dyfishonin racionet e ushqimit ose të shqiptonin dënimin me vdekje. Për shembull kur ishte fjala për të përcaktuar se kush do të transportohej më tej në një kamp asgjësimi.

Shoqëria e ujqve iu prezantua më 1945 amerikanëve me të gjithë viktimat, dorasit dhe bashkëpunëtorët. Midis kapove shumë qenë komunistë. Rreth 600 deri 700 të burgosur numëronte grupi i Partisë Komuniste të Gjermanisë (KPD) në mes të luftës, në kamp. Historiografia e RDGJ ka ushqyer për ta gjatë legjendën, sikur ata kishin bërë rezistencë heroike në Buchenwald dhe kishin shpëtuar të burgosur. Dosjet që janë parë kohët e fundit tregojnë se komunistët mbronin njëri-tjetrin. Dhe dërgonin në vdekje të tjerët.